Moisi Dalipi: “Shënjestra” evropiane e Elisabeta Karabollit

594
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Më 28 shtator  1979, në kampionatin evropian  të zhvilluar në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, qitësja shqiptare  Elisabeta Karabolli, u shpall kampione e Evropës, në garën standard me pistoletë  30×30 me 587 pikë, duke lënë pas saj dy rivale tepër të forta ruse, përfaqësueset e një prej gjigantëve të këtij sporti në botë në ato vite. Gjithsesi, Medalja e Artë e fituar  nga kjo  qitëse  shqiptare në  një event të nivelit të tillë evropian,  ishte e para e këtij  lloj për  një sportiste femër  nga Shqipëria. Por  në këtë kampionat evropian,  ekipi shqiptar, i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata, realizon 1733 pikë, duke u shpallur nënkampion dhe  merituar medaljet e argjendta. Edhe pse kanë kaluar 41 vjet nga ajo ditë e këtij suksesi evropian, lidhur me pritjen në Shqipëri pas kthimit nga Gjermania, Elisabeta Karabolli kujton: “Pritja në Shqipëri ishte madhështore. Ishte një arritje e madhe për të gjithë kombin.

Nuk ishte vetëm arritja ime, ishte arritja e të gjithëve. Në rrugë të tërë donin të më takonin, donin të më përqafonin, të më uronin. Ishte vërtet një kënaqësi”. Por ky pod nderi i fituar me kaq  dinjitet, nga kjo vajzë me origjinë  nga fshati Kallarat i Vlorës, nuk e humbet asnjëherë aktualitetin e tij, për arsyen sepse  është pari i regjistuar  nga  sporti qitjes shqiptare. Dhe për kuriozitet në atë vit,  sportistja  shqiptare  ishte  vetëm 21 vjeç dhe kishte plot 7 vjet që kishte filluar të ushtohej me sportin e qitjes. Nisja e sportit të qitjes prej saj, ka qenë krejtësisht e rastësishme edhe pse ishte vajza e një ish –ushtaraku, Tare Karabolli.  Në një prej intervistave për shtypin në ato vite  “shenjestra” jonë evropiane Elisabeta  Karabolli, e ka rrëfyer kështu historinë e hyrjes së saj në botën e sportit, ku ajo do të linte një emër aq të madh: “Isha në klasë të gjashtë dhe atë kohë jetoja te zona e Kinostudios. Një nga fqinjet e mia më tha: ‘Do të vish me mua, do të shkoj në stërvitje për qitje’. Ishte një poligon te shkolla  ‘Skënderbej’.

Shkova aty dhe po prisja shoqen të mbaronte stërvitjen. Trajner ishte Rexh Ndreu. Ai më pa dhe më tha: ‘Do ta provosh të gjuash një herë?’ Më dha pistoletën dhe gjuajta. Si duket i pëlqeu dhe, pas disa muajsh, erdhi e takoi prindërit e mi dhe u kërkoi leje që unë të bëhesha pjesë e ekipit të të rejave të ‘Partizanit’.” Dhe  karriera e Elisabeta Karabollit  nis  në sportin e qitjes në vitin 1973, kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme. Kështu 15-vjeçarja mori pjesë në kampionatin e qitjes për të reja, si pjesë e ekipit të të rejave të “Partizanit”, duke vendosur rekord kombëtar në garën e pistoletës me ajër. Vetë kampionia  kujton : “Ky rezultat u bë motivi shtytës që vazhdova punën sistematike për të arritur nivele më të larta.” Pastaj Elisabeta Karabolli u bë pjesë e ekipit të të rriturave, sigurisht po të “Partizanit”. Në vitin 1975, ende pa mbushur 17 vjeç, ajo arriti të dalë kampione e Shqipërisë, në garën e qitjes me pistoletë 25m/30+30. Bazuar në rezultatet e saj, Elisabeta Karabollit iu dha e drejta për të qenë anëtare e ekipit kombëtar të qitjes për femra. Shpejt  Elisabeta Karabolli u bë pjesë e ekipit të të rriturave,  e klubit  të “Partizanit”. Në vitin 1975, ende pa mbushur 17 vjeç, ajo arriti të dalë kampione e Shqipërisë, në garën e qitjes me pistoletë 25m/30+30.

Bazuar në rezultatet e saj, Elisabeta Karabollit iu dha e drejta për të qenë anëtare e ekipit kombëtar të qitjes për femra. Dhe këtu e ka zanafillën ajo që është quajtur “epoka” Karabolli në arenën ndërkombëtare, kur qitësja e re arriti të marrë tre medalje në tre kampionate evropiane, me rezultate në rritje nga viti në vit. Kronologjia  e sukseseve  kërkon të thotë, se në vitin 1977 në kampionatin evropian të zhvilluar në Romë të Italisë, në qitjen me pistoletë 30+30, Elisabeta Karabolli fiton vendin e tretë me 584 pikë, vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, përballë 48 qitëseve më të mira nga 24 vendet e kontinentit, duke marrë medaljen e bronzit. “Konkurrimi i parë në arenën ndërkombëtare ka qenë në Romë, në vitin 1977, ku zura vendin e tretë, pas dy ruseve,” -kujton Elisabeta Karabolli. “Marrja e medaljes së bronztë ishte një krenari kombëtare. Qitëset e tjera të pistoletës kishin pasur edhe një eksperiencë të më parshme, por jo të atij niveli.

Prandaj ishte një krenari dhe një gëzim.” Një vit më pas, në vitin 1978, në kampionatin evropian të zhvilluar në Hameelina të Finlandës, Elisabeta Karabolli do të shënonte 586 pikë, vetëm dy pikë më pak se vendi i parë, duke dalë nënkampione e Evropës dhe duke marrë medaljen e argjendtë. Por pas një viti do të vinte suksesi më i madh i Elisabeta Karabollit dhe një prej arritjeve më të mëdha të sportit shqiptar. Në vitin 1979, qitësja asokohe vetëm 21-vjeçare, në kampionatin evropian në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, me rezultatin 587 pikë po në disiplinën qitje me pistoletë 30+30 nga 25 m, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Po në këtë kampionat, ekipi shqiptar, i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata, realizon 1733 pikë, duke u shpallur nënkampion dhe duke merituar medaljet e argjendta. Rezultatet e shkëlqyera të kampiones së Evropës do të vazhdonin edhe në vitin 1980, kur në kampionatin shqiptar, me rezultatin 593 pikë, vendos një rekord të ri jo vetëm kombëtar, por edhe botëror, që në atë kohë ishte 592 pikë.

 

Por ishte një rekord që nuk u njoh, pasi nuk u arrit në një veprimtari ndërkombëtare. Një gjë të tillë Elisabeta Karabolli e kishte realizuar edhe më parë, në vitin 1977,  por që mbeti i panjohur si rekord botëror, se ishte  jashtë  garave ndërkombëtare. Po në vitin 1980, në kampionatin evropian, ekipi kombëtar shqiptar, i përbërë nga Karabolli, Cingu e Mata, u rendit i katërti, duke lënë pas ekipet e 19 vendeve të tjera. Një tjetër sukses i Elisabeta Karabollit,  ishte dhe ai i arritur në Lojërat e Mesdheut në vitin 1993, ku mori dy medalje ari dhe dy medalje argjendi. Në  këtë sukses për  Lojërat e 12-ta Mesdhetare të vitit 1993,  të organizuara në Langëdok-Rusijon në Francë, nga 16-27 qershor, e të hapura nga ish-presidenti i Francës, Fransua Miteran,  ku Elisabeta fitoi medaljen e argjendtë në pistoletë me zjarr dhe atë më ajër, madje ato ishin dy medaljet e vetme të fituara nga ekipi shqiptar. Qitësja  e nivelit evropan  dhe atij botëror, Elisabeta Karabolli,  ka qenë  edhe  kapitene e ekipit përfaqësues shqiptar  për shumë vite, deri në Lojërat Olimpike të Atlantës, më 1996. Që prej atij viti, ajo nisi të jetojë në ShBA, por gjithmonë pa hequr dorë nga sporti i saj i  dashur  i qitjes . Në vitin 1997, ajo nisi pjesëmarrjen me sukses në kampionatin amerikan të qitjes, ku për shumë  vite u rendit mes më të mirave, në disiplinën e qitjes me pistoletë.

                                         SKEDA E ELISABETA KARABOLLIT
Lindur: në Tiranë, më 13 shkurt 1958.
Arsimi :  I lartë , dega Financë  në Fakultetin Ekonomik, UT.
Sporti ushtruar : Qitëse  në klubin “Partizani” dhe ekipin  kombëtar në vitet 1973  deri 1996 dhe 1997 e në vazhdim, në SHBA.
Sukseset  në sport: Kampione kombëtare në ushtrimin  pistolet 30×30  për të  reja dhe të rritura  dhe  kampione SHBA, në vitin 2008.
Medalje ndërkombëtare  të fituara: Medalje Bronzi, në Europiani 1977, Romë Itali; Medalje Argjendi, Europiani 1978, Hameenlinna, Finlandë;  dhe Medalje e Artë, Europiani 1979, Frankfurt mbi Main, Gjermani;  Medalje Ari dhe Medalje Argjendi në Lojrat e 12-ta  Mesdhetare 1993,  Langëdok-Rusijon, Francë
Vlerësime:  “Mjeshtre e Merituar  Sporti” , “Nderi Sportit Shqiptar” , “Mjeshtre e Madhe” , fituese  “Anketave  Sportive”.