Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin që nuk lejonte protestat, Av. Altin Goxhaj: Na kanë arrestuar padrejtësisht!

138
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ky është një lajm i madh për ne. Gjykata Kushtetuese shfuqizon Nenin Antikushtetues 262 të Kodit Penal, të burgimit dhe gjobave për organizim dhe pjesmarrje në protesta!

Pra askush nuk mund të akuzohet për organizim dhe pjesmarrje në protesta ndaj dhe askush nuk mund të arrestohet, shoqërohet dhe pastaj burgoset për pjesmarrje dhe organizim në protesta. Pra sa herë më ka shoqëruar dhe arrestuar  mua policia, ka qenë antikushtuese. Edhe ju.

Ky nen shfuqizohet:

Neni 262

Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 59)

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi competent, sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Ndërsa ky Nenin 261 që dënon policët që pengojnë protestat, rri në fuqi

Neni 261

Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar

Kryerja e veprimeve për të penguar shtetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Kur veprimet shoqërohen me përdorimin e dhunës fizike, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Gjykata Kushtetuese detyron Kuvendin që brenda 6 muajve të ndryshojë nenin 262 të Kodit Penal që lidhet me protestat, pasi askush që kërkon të protesojë nuk duhet të marrë leje më parë nga institucionet.

Tubimet e paligjshme quheshin kundravajtje penale dhe dënohej me gjobë deri në 2 vite burg, dhe me vendimin e Kushtetueses ato nuk do të konsiderohen më të tilla.

Njoftimi i Kushtetueses:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 04.05.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

  1. Pranimin e kërkesës.
  2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
  3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
  4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.