Xhevat Mustafa: Komentet për politikanët e infektuar me Covid

408
Sigal

Mesazhet dhe nëntekstet e komenteve për Vilma Nushin dhe Erion Veliajn

“…reagimet, në formën e mesazheve dhe të komenteve, të shumë qytetarëve ndaj Vilma Nushit, më parë, e për Erion Veliajn më 28 korrik, nuk janë shprehje e urrejtjes klasore, politike e partike, por janë kritika, mospajtime, kundërshtime, akuza  për abuzimet dhe gjëmat që kanë bërë me fondet publike, me taksat e qytetarëve shqiptarë, më të varfërit në Evropë, edhe sipas statistikave më të freskëta!”

Gjatë 10 ditëve të  fundit të korrikut 2020, coronavirusi arriti të gjejë, kapë dhe infektojë edhe dy persona VIP  në Tiranë e në mbarë Shqipërinë. Fjala është për bizmesmenen e njohur Vilma Nushi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këta të dy, krahas kësaj të keqeje të re, i lidh si një fill i kuq, edhe miqësia e vjetër dhe e ngushtë, edhe me kryeministrin Edi Rama.  Ishte e pritshme, e kuptueshme dhe e justifikueshme, që infektimi i tyre të pritej me një lum apo bum mesazhesh, komentesh, debatesh në rrjetet sociale e në media. Nëqoftëse do të vihen “thasët”, edhe në kandar trotuaresh e dyqanesh e jo më farmacie, do të dilte dukshëm se do të peshonte më shumë thesi me komente nga njerëz, që e kanë përjetuar pa keqardhje, domethëne  me kënaqësi e gëzim, prekjen e këtyre dy figurave nga biznesi dhe qeverisja nga virusi kinez apo global. Plot, ndoshta nga fakti se u ka ardhur thika apo laku në fyt e nuk mund ta përmbajnë dot zhgënjimin, urrejtjen dhe revoltimin nga keqaqeverisja 7 vjeçare e “rilindjes” apo ajo Edi Rama, u uruan edhe më të keqen apo më të rëndën, i mallkuan me shpirt e zemër. Nga ky këndvështrim, mund të mendohet dhe thuhet se “peshimi” apo mbizotërimi i ndjeshëm i komenteve dashakeqe apo negative ndaj atyreve mëshiruese, solidarizuese dhe  mbështetëse, mund të merret edhe si “anketim jo zyrtar” i antipatisë dhe simpatisë, që kanë në shumicën e qytetarëve Vilma Nushi dhe Erion Veliaj, si dhe në përgjithësi, “PS- Rilindja” dhe qeveria Rama. Rezultati i këtij “anketimi”, me vlera edhe për betejën e ardhshme elektorale të vitit 2021,  është shumë larg e shumë ndryshe nga ai i kronikave të disa televizioneve proqeveritare apo prorilindase, që e reklamojnë Erion Velinë si “bir të dashur e të shtrenjtë  të të gjithë popullit të Tiranës”, që plot qytetarë, sidomos gra 60-80 vjeçare, shumica me origjinë nga Berati, Vlora, Tepelena, Gjirokastra, rrinë në rradhë për t’i përqafuar faqet dhe duart, edhe në këto muaj pandemie. Kjo jep shkas dhe arësye të mendohet se ndoshta njwra nga këto gra, bashkë me puthjen, mund t’ia ketë dhuruar edhe coronavirusin Erion Veliajt. Natyrshëm Vilma dhe Erioni janë befasuar, zhgënjyer dhe mërzitur boll nga “rrufetë në ditë me diell”, që u ranë në formën e mallkimeve, sharjeve, fyerjeve. Vilma, gjeti kohë e forca dhe e shprehu publikisht pakënaqësinë dhe kundërshtimin e saj, duke u kujtuar dashakëqinjve të saj, se ajo ka shumë vjet që po rraskapitet për mbarësinë dhe frytshmërinë e bizneseve të saj, falë të cilëve është bërë një nga gratë më të fuqishme në Shqipëri dhe një nga emrat në vendet e para të listës së oligarkëve të këtyre 7 viteve të fundit. Mjafton të kujtojmë dhe llogarisim se sa fiton vetëm në një vit nga check-up.

Duke iu “kundërvënë” shumicës së qytetarëve komentues, që nuk i përmbajtën dot mallkimet  ndaj Vilma Nushit, më 24 korrik, unë u shpreha në një koment timin në facebook:  “Një urim i sinqertë: u shëroftë, që të “rilindë” nga shpirti, zemra, mendja, që të bëhet më së pari NJERI, që të mendojë çdo ditë, 23 orë e 59 minuta për pasurimin e vet e 1 minutë për t’u rritur pagat dhe pensionet, kujdesin social shumicës së të punësuarve nëpër bizneset e saj! E kështu shembulli i saj të zbatohet nga të gjithë bosët e bizneseve të tjera, së pari nga miku i saj Rama dhe qeveria e tij, për t’i larguar shqiptarët nga ngujimi prej 75 -vitesh në vendin e fundit në Europë për treguesit e zhvillimit e të mirëqenies! E di se është utopi e fantazi, por…ndoshta, me ndihmën e ZOTIT në qiell, na ndodh kjo mrekulli! Reflektimi apo shërimi i Vilma Nushit do të besohej dhe do të mirëpritej, nëqoftëse bën të pabesueshmen e të parealizueshmen: të heqë dorë, të paktën nga 10 milionë euro në vit, që u rrëmben shqiptarëve të mjerë nëpërmjet  check-up, apo sipas meje,  „ketchap-it Edi Rama- Vilma Nushi!”

Disa, njerëz, me shumë gjasa, nga ata, që nuk u kanë bërë keq kujt dhe nuk ua duan të keqen askujt, pra, nisur thjeshtë e pastër nga humanzmi dhe jo për motive partiake, jo si plot të tjerë, që janë gati të mbrojnë çdo “djall”, që mban flamurin, teserën, mandatin  e partisë së tyre të zemrës, me të drejtë, shprehën shqetësim dhe kundërshtime nga kjo histeri dashakeqësie ndaj Vilma Nushit dhe Erion Veliajt. Sipas vizionit të këtyre njerëzve tejet tolerantë, me humanizëm idealist,  mallkimet ndaj Vilmës dhe Erionit, mund të shikoheshin dhe  interpretoheshin si shprehje e ruajtjes, edhe pas 30 viteve demokraci, të “luftës së klasave” dhe të ndarjes në “tanët” dhe në “armiq”. Argumenti më i fortë i tyre mbështetet logjikshëm tek fakti se të dy, në fund të fundit, janë njerëz, bashkëshortë, prindër dhe akoma të paprekshëm nga drejtësia. Vërtetë, këta të dy janë të paprekur nga drejtësia. Me shumë gjasa, sa të jetë Edi Rama në pushtet, nuk do t’ua hyjë as këtyreve një gjëmb në këmbë. Por, nuk mund të përjashtohet kategorikisht, se me veprime e mosveprime, me firma e vepra, deri më sot,  të “pa vëna re”, nga prokuroria,  SPAK-u, OFL-ja, edhe Vilma e Erioni janë “engjëj” apo “krejt të “virgjër” për nga… korrupsioni. Apo se, pa apo me dashje, pa plumba e thika, nuk kanë “vrarë”, me “armë” e forma të tjera, edhe me pandjeshmëri njerëzore e sociale, me neglizhenca e “harresa”, njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë prej vitesh, apo duke ua shkaktuar  sëmundjet jetëmarrëse me helmet e ndotjes së ajrit, të ushqimeve, ilaçeve, me pasaktësi të analizave.

Jo vetëm sipas këndvështrimit apo vizionit tim subjektiv, por sipas një opinioni shumë më masiv, reagimet, në formën e mesazheve dhe të komenteve, të shumë qytetarëve ndaj Vilma Nushit, më parë, e për Erion Veliajn më 28 korrik, nuk janë shprehje e urrejtjes klasore, politike e partike, por janë kritika, mospajtime, kundërshtime, akuza,  për abuzimet dhe gjëmat që kanë bërë me fondet publike, me taksat e qytetarëve shqiptarë, më të varfërit në Evropë, edhe sipas statistikave më të freskëta! Thellë, nga zemrat, unë jo, por, jam i bindur se edhe askush nga ata “të gëzuarit”, nuk ua do dhe uron rëndimin e sëmundjes dhe vdekjen Vilmës dhe Erionit. Të gjithë dëshirojmë dhe urojmë, sa janë në krye të vendit, bizneseve jetike dhe të Tiranës, atë që mund të na shërbejë të gjithëve: të bëhen më NJERËZ, më NJERËZORË, më të ndjeshëm e më të përgjegjshëm për 1001 hallet e shumicës së qytetarëve, duke mos marrë miliona euro edhe për punë të pakryer ose të kryer 1 herë me korrektesë dhe në vitet e ardhshme, duke korrektuar nga memoria e kompjuterave rezultatet e para; duke mos dhënë 10- 15- 20 milionë euro për 1 km rrugë tek Astiri apo 20- 30 euro për metër katror pllaka në qendër të Tiranës…Natyrisht, edhe që mos vazhdojnë të shkatërrojnë TEATRO, KULTURË KOMBËTARE, TRASHËGIMI,  për kulla kanabisi! E shumta, që mund të duan shumica e komentuesve është që për këta të dy dhe shokët e shoqet e tyre të veprojë drejtësia vërtetë e pavarur nga  Edi  Rama, Gramoz Ruci, Ulsi Manja, SPAK -u dhe OFL-ja,  dhe t’u japë dënimin e merituar, nëse ua vërtetojnë edhe prokuroritë me të vërtetë të pavarura nga partia në pushtet e nga qeveria e saj; nëse në institucionet e drejtësisë, pas “reformës në drejtësi”, allashqiptare, nuk vazhdojnë të jenë shumicë ata gjykatës dhe prokurorë, të rekomanduar për miqësi të vjetra apo lidhje familjare, nga Edi Rama, Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Ulsi Manja, Sandër Lleshaj, Elisa Spiropali, Ermonela Felaj…! Apo shqip fare: që nuk presin dhe marrin urdhëra nga lart, nga partia, kryetari, kryeministri!

Meqenëse Erion Veliaj njoftoi se ishte mëshiruar nga coronavirusi, duke u prekur lehtë, për pak humor, në këto ditë  të frikshme, të ankthshme e depresuese nga coronavirusi, nga vapa Sahariane, nga rëndimi i pandalshëm i krizës shumëplanëshe ekonomiko-sociale dhe nga “krizat e pafundme të sajuara prej politikës”, po e mbyll me një hamendësim: Nëpërmjet debatit për rënien edhe të tij viktimë të coronavirusit, mos vallë Erion Veliaj, na ka fshehur synimin e tij për të  nxjerrë emrat e atyreve komentuesve, që nuk ia duan të mirën dhe të atyreve, që e duan për ideal, domethënë për “parti dhe Enver”…! Kështu, ai, me një gur rrëzon dy kokrra fiq Tirane! Po kështu, edhe mund të themi: “Kjo ishte loja!”