Adriatik R. Dosti: Fitnete Rexha, Kanarina e këngës popullore tironase

1099
Sigal

Personalisht i përkas atij brezi që pati fatin e madh ta shihte për së gjalli në skenë për vite me radhë, Mbretëreshën e muzikës popullore shqiptare, e veçmas atë të trevës së Shqipërisë së Mesme,  specifikisht Bilbilin apo Kanarinën e këngës popullore tironase, Fitnete Rexhën. E kam admiruar, duartrokitur e ndjerë thellë në shpirt artin e saj brilant popullor, interpretimin e saj të magjishëm e dashurinë e saj për këngën, qytetin e saj të lindjes Tiranën e Atdheun e saj Shqipërinë, të cilët i deshte si rrallëkush tjetër. Fitnete Rexha e bija e patriotit dhe atdhetarit të shquar krutan, Babë Rexhë Delia, u lind në Tiranë në 8 Qershor 1931, dhe ishte vajza e tij e vogël të cilën ai e donte aq fort dhe e quante derisa ishte gjallë ”Sytë e Ballit”. E teksa sot në këtë 100 -vjetor të Tiranës kryeqytet shoh të flitet fare pak, e pothuajse aspak për këtë Qytetare – Ikonë të Tironës sonë, ndërkohë kur kryeqytetin po na e mbushin me buste lloj-llojësh të ardhur deri edhe nga 7 ditë larg prej Tirone, e që s’kanë kërkundi asnjë lloj lidhje me të e me historinë e saj, e kokëfortësisht po na i vendosin në mes të kryeqytetit, s’ka se si të mos të më vijë ndërmend tironsja jonë, gojë e zemër flori, bilbilesha e kanarina e këngës sonë popullore, Fitnete Rexha. E s’ka se si të mos përulem me respekt e mirënjohje përpara gjithë asaj ç’ka ajo i fali qytetit e vendit të vet për dekada me radhë, sepse Fitnete Rexha, është e mbetet një ndër krenaritë e rralla të Tironës sonë, e një thesar i vyer i art-kulturës sonë kombëtare popullore shqiptare. Në këtë 100- vjetor të Tironës kryeqytet, për harrestarët dashakeq, për kryetarët e saj jabanxhi e provincialë, për politikanët tanë faqezinj etj etj, …dua të kujtoj se përmbi gjysëm shekulli e mrekullueshmja Fitnete Rexha, mbushi plot jetë skenat shqiptare nga Konispoli në Vermosh, e zëri i saj i papërsëritshëm na ngrohu e na solli gëzim të veçantë të gjithëve ne që jetuam në Tiranë dhe mbureshim me bashkëqytetaren tonë model, të mirën Fitnete Rexha! Jo më kot që për së gjalli artistët tanë të mëdhenj të skenës e të muzikës si: Sulejman Pitarka, Çesk Zadeja, Tish Daia, Ferdinand Deda, etj., e quanin Fitnete Rexhën një Monument të rrallë të kulturës kombëtare shqiptare. “Ambasadorja e shkëlqyer e këngës dhe e veshjes tradicionale të folkut shqiptar”, -shkruanin për të gazetat më të mëdha të Turqisë gjatë një turneu atje të Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore. Në skenë që 15 -vjeçe e që në 1946 ndër të parat këngëtare popullore në Radio Tirana, e derisa mbylli sytë në 16 Gusht të 2003, duke kënduar e interpretuar këngët e Mustafa Budinit e të Muharrem e Ramazan Gurrës, Skënder Rekës e të mjaft krijuesve të tjerë popullorë duke i kënduar jetës, natyrës, bukurive popullore, qytetit të saj, dashurisë njerëzore. Vite më pas përfaqëson Shqipërinë e folklorin e saj brilant në sa e sa turne ndërkombëtare e koncerte nëpër botë që nga Moska e Dizhoni i Francës ku do të rrëmbente Gjerdanin e Artë, e deri në Algjeri, e në vijim në Turqi, Vjenë, Greqi, Kinë e në 1971 edhe mes motrave e vëllezërve të saj të një gjaku, në Kosovën që e deshte aq shumë e kish atje edhe idhullin e saj Nexhmije Pagarushën ikonike… Dhe sërish kulmi i ironisë së fatit Fitnete Rexha, krenaria e Tironës sonë, ende nuk është minimumi as Qytetare Nderi e kryeqytetit tonë, ndërkohë që i tillë në vend të saj është serbo -boshnjaku Kostunica, apo edhe fieraku Luftar Paja, të cilët as i lidh, e as ka për t’i lidhur kurrë e asgjë me Tironën tone! Dhe si për ”harresë” edhe të Presidentit tone, që s’ka lënë njeri pa dekoruar me lloj – lloj titujsh e urdhërash ende Fitnetja jonë e mrekullueshme që ja fali krejt jetën e saj artit të vendit e të popullit të vet ende s’është as Mjeshtre e madhe e Punës dhe as Nderi i Kombit, teksa i takon përpara sa e sa të tjerëve që i gëzojnë këta tituj pa bërë kërkundi as gjysmën e asaj që bëri Fitnetja për Shqipërinë e saj të dashur, e veçmas edhe për Tironën e zemrës së saj. Është …Fisnikëri e Tironës, Mirënjohje e qytetit, Artiste e Merituar [ nuk e di saktësisht nëse është edhe Artiste e Popullit] dhe sërish kërkundi ende s’kemi një bust a një shtatore të saj diku në Kryeqytet, ndërkohë që soji i pa cipë i politikanëve tanë çaprazë me Gramoz Ruçin në krye, nxitojnë e inagurojnë në mes të Tiranës bustin e Selam Musait të cilin mund ta nderonin e respektonin fare mirë atje ku lindi, e atje ku luftoi e ra heroikisht, në mbrojtje të vendit të tij, ç’ka do të ngjiste tamam e do të kish kuptim plotësisht. Dhe tek kujtoj sot vite e vite më parë ç’ka më thoshte dikur Fitnetja për Pagarushën – Dive të muzikës së lehtë e popullore të trevës së Kosovës, mendja më shkon tek dy vargjet brilante të njërës prej këngëve më të dashura të saj, atë të 7 Bylbylave, ku në tekstin e saj thuhet “Ato Dimnin e bojshin Ver-e”/. Dhe vërtet në ato kohë të zymta që kaluam ne shqiptarët, si në Tiranë, po ashtu edhe në Prishtinë, mes atyre Dimrave zemërakë të diktaturës e mes atyre Verërave të nxehta prush që mbajtën mbi supe vëllezërit tanë kosovarë prej represionit të egër serbo-madh, për fatin tonë të mirë si komb, patëm edhe një Fitnete Rexha e një Nexhmije Pagarusha që me artin e zërin e tyre puro shqiptar e brilant na i bënë Dimrin -Verë! E nëse është turp që deri më sot as vetë Tirana dhe fjalën e kam për atë që ndenji plot 12- vjet në krye të Bashkisë së saj Edi Ramën, por edhe për këtë të sotmin që është ende në krye të saj sharlatanin Veliaj, nuk kanë ditur nga injoranca, por edhe nga keqdashësia se si ta nderojnë, vlerësojnë e respektojnë Qytetaren e Artisten brilante të Tironës sonë, Fitnete Rexhën të paktën në këtë 100- vjetor të Tiranës – Kryeqytet, le të mblidhet Këshilli Bashkiak i saj e t’i japë asaj titullin e merituar e të munguar të Qytetares së Nderit. Sepse është kollaj të mblidheni natën e si cubat e errësirës kur ”ju a do puna” e kur ju komandojnë e urdhërojnë nga lart fjala vjen për të prishur deri edhe njërën nga krenaritë tona kombëtare të art-kulturës kombëtare shqiptare siç ishte Teatri Popullor, ndaj mblidhuni për të nderuar e respektuar, e jo për të prishur e shkatërruar ok! Një bust a një shtatore e Fitnete Rexhës, a një objekt kulturor me emrin e saj në Tiranë, si dhe Titulli Qytetare Nderi e Tironës sonë, por edhe Nderi i Kombit, do t’i bënin nder jo thjesht Fitnetes si person e si artiste, por së pari, do të nderonin e respektonin vetë artin e kulturën tonë kombëtare, sikurse veçmas folklorin e këngën aq të dashur popullore shqiptare. Bëjeni e nderojeni Fitnete Rexhën ashtu sikurse i takon sa nuk është tepër vonë, sepse Thesarët e Kombit nuk kanë thjesht nevojë për medalje e buste, por për Përjetësi!