Kastriot Myftaraj: Z. President i Republikës, bëni atë që duhet të kishte bërë Allende në Kilin e 1973, jo atë që bëri

359
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Letër e hapur drejtuar Presidentit Meta

Z. President

Pikësëpari ju duhet të kuptoni se reagimi kërcënues i Ambasadores Amerikane Yuri Kim ndaj thënies suaj të 21 prillit 2021 për sfurqet, është pasojë e një tjetër thënieje tuajës që e preku veçanërisht Ambasadoren, asaj të 19 marsit 2019, ku ju thatë se ishit gati të sakrifikoheshit si Presidenti i Kilit Salvador Allende. Sepse kur Presidenti i Shqipërisë e shpall veten si Allende, kjo domethënë që ambasadorja amerikane në Shqipëri, është si ambasadori amerikan në Kilin e vitit 1973, Nathaniel Davies. Ky ambasador konspiroi me Pinoçetin për grushtin e shtetit dhe për vrasjen e Allendes, për të cilën puçistët, të vetmit dëshmitarë të ngjarjes, thanë më pas me cinizëm makbethian se ishte vetëvrasje. Sot SHBA e ka pranuar zyrtarisht përgjegjësinë për atë që ndodhi në Kili 1973, ku një President reformator liberal u shpall “komunist” nga burokracia e Departamentit të Shtetit që e kishte bërë etiketimin “komunist”, zgjidhjen më të thjeshtë për çështjet e ndërlikuara në politikën e jashtme.

Nathaniel Davies më pas ngriti një padi për ndalimin e filmit amerikan “Missing”, ku tregohet roli i tij në grushtin e shtetit në Kili, por e humbi gjyqin dhe filmi u lejua që të shfaqet në SHBA. Kjo është drejtësia amerikane.

“Kur Edi Rama thotë se Shqipëria është një shtet Sovran, ai nënkupton se drejton qeverinë dhe kontrollon të gjithë institucionet e shtetit, përveç Presidentit, të cilin e ka rrethuar dhe po e mbyt si institucion duke ia kufizuar kompetencat”

Kërcënimi me burgim që iu bëri ambasadorja amerikane në 21 prill 2021, kishte të bënte me thënien tuaj të dy viteve më parë. Me thënien e 19 marsit ju e goditët “Akilin” e paprekshëm drejt e në thembër, në të vetmen pikë ku ai ishte i lëndueshëm. Ambasadorja është e shqetësuar jo se mos juve vetësakrifikoheni siç thuhet se bëri Allende, të cilin në fakt e vranë, por se mos ju bëni atë që duhet të kishte bërë Allende para puçit. Allende duhet ta kishte transferuar krizën politike kiliane në Washington, duke e shndrruar në përplasje mes qeverisë amerikane dhe burokracisë së Departamentit të Shtetit që ishte armikja e tij. Kjo gjë do të kishte ndodhur nëse Allende do t’ i hiqte letrat kredenciale ambasadorit amerikan Davies. Pinoçeti nuk do të kishte lejen amerikane për të bërë grusht shteti, nëse do të kishte ndodhur kjo gjë.

Në 11 shkurt 2021, Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se ka biseduar me Ramën për përbërjen e qeverisë së paszgjedhjeve të 25 prillit. Jo edhe me kryetarin e opozitës, por vetëm me kryeministrin! Domethënë i shpalli një formalitet të rremë zgjedhjet e 25 prillit.

Në 11 shkurt 2021, Yuri Kim dhe Edi Rama vranë institucionalisht Presidentin e Republikës së Shqipërisë, ashtu si Nathaniel Davies dhe Pinoçeti vranë Allenden në 11 shtator 1973. Pas pohimit të Yuri Kim të 11 shkurtit nuk ka kuptim që Presidenti Meta të dekretojë Kuvendin dhe qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Ambasadorët e huaj janë përfaqësues të kryetarit të shtetit përkatës pranë kryetarit të shtetit ku shkojnë, i cili iu pranon letrat kredenciale, domethënë letrat e besueshmërisë. Ambasadorja Kim është përfaqësuese e Presidentit të SHBA së cilës ia ka pranuar letrat kredenciale Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Dhe kur ambasadori bën shkelje të rëndë të statusit të tij diplomatik kryetari i shtetit pritës është përgjegjësi i parë nëse nuk reagon dhe nuk merr masat përkatëse. Ju Z. President keni të drejtë duhet që të pezulloni kredencialet e Ambasadores Kim si dhe të kërkoni zyrtarisht pranë Presidentit të SHBA shpjegime për deklaratën e saj të pambrojtshme. Deklarata e 11 shkurtit është e tillë që sado të vrasin mendjen ekspertët e Shtëpisë së Bardhe dhe Departamentit të Shtetit nuk do të gjejnë dot asnjë arsyetim për ta bërë atë thënie të pajtueshme me detyrën diplomatike të ambasadores.

SHBA nuk është një vend autokratik por një vend ku ka ndarje dhe drejtpeshim të pushteteve. Prandaj një lëvizje e tillë e juaja Z. President do të mirëpritet nga qendra pushteti në SHBA që janë kritike ndaj burokracisë së Departamentit të Shtetit. Kështu nuk do të cënohen marrëdhëniet shqiptaro-amerikane por veç sa do të spastrohen nga disa ndikime të këqija.

Dikur në të ardhmen SHBA do të pranojnë zyrtarisht gabimin për atë që ka ndodhur në Shqipëri, ashtu siç pranuan gabimin për atë që ndodhi në Kili në 1973. Por do të jetë vonë. Nëse juve Z. Presidenti do t’ i hiqni letrat kredenciale ambasadores amerikane, ky do të bëhet një lajm botëror dhe do të shkaktojë një stuhi politike në Washington, në dëm të sorosianëve të atjeshëm.

Z. President, shpjereni krizën politike shqiptare në skenën amerikane dhe atë globale. Nëse bëni atë që iu thashë më lart do të bëheni vërtet lider i kalibrit global, diçka që Edi Rama e ka ëndërruar. Nëse ju e bëni këtë gjë, Edi Rama do të largohet nga Shqipëria thjesht me një telefonatë nga Washingtoni, bashkë me Yuri Kim. Nëse ju e bëni këtë, do të kryeni një operacion kirurgjikal të nevojshëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, duke i çliruar ato nga tumori sorosian.

Z. President i Republikës!

Në  30 korrik 2020, Edi Rama doli në foltoren e Kuvendit me një kravatë ku shkruhej fjala “Revolution” dhe foli shumë ashpër ndaj ambasadores  amerikane Yuri Kim, për shkak se ajo e kishte qortuar atë, për shkeljen e marrëveshjes së qershorit, për ligjin zgjedhor. Fidel Castro dhe Hugo Chavez mbanin fjalime antiamerikane duke pasur në sfond fjalën “revolucion”. Edi Rama doli në parlament me fjalën “revolucion” të shkruar në gjoks. Cili kryeministër i një vendi të NATO-s e ka bërë këtë gjë? Edi Rama atë ditë i dha një ultimatum sorosian ambasadores amerikane dhe tërthorazi Departamentit të Shtetit që në atë kohë drejtohej politikisht nga Administrata “Trump” dhe sorosianët nuk bënin krejt ashtu siç donin në State Departament, megjithëse burokracinë e tij e kishin në anën e tyre. Fjalët e Edi Ramës ishin:

“Ambasadorja është e shqetësuar, jo se mos juve vetësakrifikoheni, siç thuhet se bëri Allende, të cilin në fakt e vranë, por se mos ju bëni atë që duhet të kishte bërë Allende para puçit”

“Dua të falenderoj miqtë dhe partnerët që janë përfshirë në këtë proces, por do të më lejoni që  t’ju përcjell një mesazh nga kjo foltore të gjithë miqve dhe partnerëve dhe uroj që ta dëgjojnë këtë mesazh ashtu siç është mesazhi nga foltorja e një parlamenti sovran, e një qeverie sovrane dhe e një kryeministri që përfaqëson një shtet sovran… Prandaj miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë mirë se ky është vendim i parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe i takon shtetit shqiptar  të vendosë përmes parlamentit të vet se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as me ambasadorin e Bashkimit Europian dhe as me askënd tjetër, duke i respektuar maksimalisht dhe duke i konsideruar këtu, zot në vendin e tyre. E them këtë sepse u bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen dhe 30 vjet të tjera, nëse ne vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë.”

Kur Edi Rama thotë se Shqipëria është një shtet Sovran, me parlament sovran dhe qeveri sovrane, ai nënkupton se zotëruesi i sovranitetit të Shqipërisë, është ai vetë, Edi Rama, si njeriu që kontrollon Kuvendin, drejton qeverinë dhe kontrollon të gjithë institucionet e shtetit, përveç Presidentit të cilin e ka rrethuar dhe po e mbyt si institucion duke ia kufizuar kompetencat.

Ambasadorja amerikane nuk reagoi drejtpërdrejt ndaj fjalëve të Ramës në 30 korrik. Thënia e saj e gjashtë muajve më vonë, në 11 shkurt, ishte pohim i kapitullimit të saj ndaj ultimatumit sorosian të Edi Ramës.

Z. President, veproni duke iu referuar fjalëve të Edi Ramës që i kam cituar më lart: “u bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen dhe 30 vjet të tjera, nëse ne vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë.”

Edi Rama kërkon të thuhen gjërat siç janë edhe ndaj ambasadës amerikane?! Atëherë bëjeni edhe juve këtë gjë, Z. President, me fjalë dhe veprime.

Gjëja tjetër që duhet të bëni ju Z. President, është që të përmbushni detyrimin që keni ndaj atyre me të cilët nisët bashkërisht projektin e rinisë eurosocialiste në PS në 1992. Në zgjedhjet e 25 prillit u shkrua dhe një kapitull tjetër i veprës “Kurban” të Udhëheqësit Edi Rama, me prerjen politikisht të kokës së Majkos, një tragjikomedi politike, kur mendon se një mafioz pa asnjë lidhje me PS, vuri maskën e djalit të tij për të marrë mandatin e deputetit të kësaj partie.

Mos e dekretoni Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit Z. President, as qeverinë që do të dalë nga ky Kuvend. Lerjani t’i dekretojë Gramoz Ruçi, ish-ministri i fundit i Punëve të Brendshme të një shteti komunist që mban ende detyra të larta shtetërore në vendet ish-komuniste, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Presidentit të dorëhequr. As në Rusi dhe në Belarus (Bjellorusi) nuk gjen të tillë. Jepeni dorëheqjen në momentin e fundit kur duhet të përmbushni detyrimin kushtetues për dekretimin e thirrjes së Kuvendit që, Edi Rama të mos ketë kohë të zgjedhë Presidentin e ri. Edhe ky do të bëhet lajm botëror.

Z. President, keni rastin të hyni në histori, jo thjesht në historinë e Shqipërisë, por edhe në atë të politikës botërore, duke u bërë i pari burrë shteti në historinë e shtetit shqiptar që ka mundur ta bëjë këtë gjë.

Z. President, periudha që sot dhe deri në fillim të shtatorit mund të bëhet për ju si kryetar shteti, “The finest hours”- këtu kam parasysh thënien e famshme të Winston Churchill.

Ju Z. President e keni në dorë që ta përmbysni situatën duke ua zhvlerësuar fitoren e blerë të 25 prillit. Ju Z. President e keni në dorë që me dy akte të nënshkruar prej jush ta bëni kurban Edi Ramën, duke i dhënë vetëm kënaqësinë që të shkruajë vëllimin e dytë të librit me këtë titull kundër jush.

Nëse juve Z. President i bëni këto që ju thashë më lart, Edi Ramës nga tërbimi në muajt e ardhshëm deri në shtator, do të thithë më shumë kokainë se gjatë gjithë jetës së tij.

“Ambasadorja është e shqetësuar, jo se mos juve vetësakrifikoheni, siç thuhet se bëri Allende, të cilin në fakt e vranë, por se mos ju bëni atë që duhet të kishte bërë Allende para puçit”

Z. President, nuk ka kohë për të humbur në këtë moment historik në të cilin jeni. Edi Rama dhe Yuri Kim kanë një frikë të tmerrshme, jo se ju do të bëni ndonjë lëvizje të dhunshme (këtë gjë ata e mirëpresin), por kanë frikë se mos bëni ndonjë lëvizje institucionale të paparashikuar.

Z. President, sa për shembullin e vetësakrifikimit, nuk kishit pse shkoni deri te Allende se keni në Shqipëri atë të Riza Cerovës dhe të Bajram Currit. (Meqënëse ra fjala këtu po të kishit ditur emrat e atyre që spiunuan dhe rrethuan Riza Cerovën, nuk do të kishit bërë disa pasardhës të tyre nga Skrapari, ministra dhe deputetë.)

Z. President, iu lutem mos mendoni se unë po iu jap mend. Ajo që po bëj është se po shpie deri në përfundimin logjik krahasimin që i bëtë vetvetes me Allenden.

Fakti që keni pesë ditë që po i bini kokës me grushte që në 2013 pas zgjedhjeve i qëndruat besnik marrëveshjes me Ramën dhe nuk pranuat ofertën e Sali Berishës që të bëheshit kryeministër me Bashën si zëvendësin tuaj, duke bërë përsëri koalicion LSI-PD, gjë që do ta kishte larguar Ramën nga politika, është një problem i juaji personal. Që do të pendoheni pas largimit nga Presidenca se nuk bëtë këto gjëra që unë po iu them këtu, kjo është një gjë, për të cilën do të jem dëshmitar më vonë.