Roland Iljadh: Presim një fazë të tretë si për “jetë a vdekje”

Roland Iljadhi

KATEGORIA E PARË/ Ish-mbrojtësi i Flamurtarit, Roland Iljadhi, parashikon 11 ndeshjet e mbetura.

Agron KAJA

Agron Kaja

U mbyllën dy fazat e para të Kategorisë së Parë, dhe në këndvështrim për këtë rrugëtim, ish-mbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Roland Iljadhi, janë zhvilluar ndeshje të mira. Për gazetën “Telegraf” ai u shpreh se Flamurtari gaboi dhe u vetkënaq në fazën e parë, ndërsa ka bërë korrigjime në fazën e dytë. “Mendoj se, megjithëse janë luajtur 22 javë, shohim një dominim të disa ekipeve. Vora, Flamurtari, Besa, Burreli, Lushnja e ndonjë skuadër tjetër, në tërësi kanë treguar futboll, ndërsa ekipet e tjera kanë patur mangësi, por kanë luftuar më shumë në fushën e tyre. Po ndaloj te Flamurtari, e nisi mirë, por u vetëkënaq shpejt dhe gaboi në dy ndeshje. Kur e panë se nuk ishte e lehtë, njëherësh nisur edhe nga investimet e bëra nga Presidenti Sinan Idrizi, e mblodhën veten dhe sot janë në vëndin e dytë, duhet të ishte në vëndin e parë”, kështu e nis bisedën specialisti i futbollit Roland Iljadhi, i cili më pas u  ndal tek renditje e dy fazave të para, që sipas tij, ka vendosur cilësia e lojtarit dhe e ekipit. “Vetkënaqësia e lojtarëve ndaj kundërshtarëve bëri që fusha të tregonte të kundërtën, sepse shikohet cilësia e lojtarit dhe e ekipit. Unë them se Vora me Flamurtarin do vazhdojnë me këtë ritëm, sepse kanë kualitete më të mira nga skuadrat e tjera. Po gabuan me këmbët e tyre, do rrezikojnë. Ndërsa Besa duhet të luftojë fort për ngjitje direkte, se në Play-off e ka të garantuar. Në fazën e tretë do ketë konkurencë dhe luftë të fortë brenda e jashtë fushe. Do thoja se mund të jetë një fazë e tretë si për “jetë a vdekje” për të gjitha skuadrat”. Ndërkohë që Iljadhi mendon se do ketë ndryshime vetëm në vëndet e mesit të renditjes, duke menduar Vorën e Flamurtarin në krye, si dhe Valbonën me Erzenin në fund. “Besoj se që nga java e 23-të, si Vora e Flamurtari do ta  nisin rrugën drejt Superiores. Ishte edhe Besa rivale për ngjitje direkt, por humbjet në fushën e saj e penalizuan duke i mbajtur shpresat tek Play-off-i. Këtu mendoj se do jenë edhe Lushnja, Burreli, Pogradeci apo edhe Kastrioti. Erzeni dhe Valbona duan shumë punë që t’i shpëtojnë mbijetesë, janë thuajse të rëna në Kategorinë e Dytë. Ndërsa java e 23-të i ka përballjet sa të lehta, aq edhe të vështira për zonën e katër skuadrave në Play-off. Të lehta për kryesueset, të vështira për skuadrat e tjera që renditen në pozicionet e tjera. Duhet kujdes, sepse është një fazë që edhe mund të të penalizojë”, ishte kjo analiza e Roland Iljadhit për ecurinë e garës në Kategorinë e Parë.

REAGIM/ Pas “derbit” pyesim: Ku dhe si dallojnë futbolli me boksin?!

NOA

Vite më parë, më tërhoqi vëmendjen gazetareske një pyetje nga një ish-boksier i madh shqiptar: Ku ndryshon futbolli nga boksi? Natyrisht që përgjigja mbeti në heshtje, të cilën ai e thyeu duke u shprehur:- Sepse futbolli fillon me lule e përqafime dhe përfundon me grushta, ndërsa boksi fillon me grushta dhe mbyllet me përqafime! Kjo shprehje m’u kujtua të dielën e 9 shkurtit, ku Abissnet Superiore përjetoi një ditë të veçantë në këtë sezon. Ishte “Derbi” i kryeqytetit Partizani-Tirana 1-1, që u luajt për herë të parë në stadiumin “Arena e Demave”, i cili prodhoi shumë detaje e dukuri, më shumë negative. Ndeshja nisi 30 minuta me vonesë nga orari zyrtar, tifozeria e nisi dhe e mbylli si në arenë boksi, për të vazhduar brenda ambienteve gjatë dhe pas ndeshjes, ku kishte dhunë në fushë e në shkallët e stadiumit. Dhuna u agravua më shumë në minutën e 90-të kur Sembene barazoi rezultatin 1-1. Në fushë shpërtheu një sherr masiv mes skuadrave, duke bërë që gjyqtari Hamiti jo vetëm të ndëshkonte me kartonë të kuq 4 lojtarë dhe 4 pjesëtarë të stafeve të tyre, por edhe të shtonte mbi 6 minuta. Pasojat kuptohen, ndëshkime do jepen, por në historinë e tyre ky “Derbi” i 177-të u bë një nga derbet më të skuqur me kartonët, i pari në “Arena e Demave”. Nisur nga të gjitha detajet e mësipërme, jo vetëm që duhet mbajtur mënd në kujtesën e errët, por duhet gjetur edhe diçka më e veçantë kur të ndëshkohen të gjithë protagonistët. Shkak-pasojë ndoshta duhet të nisin nga stadiumi me përmasa shumë të vogla për një ndeshje të tillë, duke kujtuar “fatkeqësinë” se, në rrethe stadiumet me përmasa të tilla janë shpesh “preh” të dhunës. Pse të ndodhë kështu?! A. KAJA

Humbja në Vlorë lë pasoja te Besa!

Në javën e 22-të, Besa humbi me Flamurtarin 1-3, duke u larguar më shumë nga zona e ngjitjes direkt në Abissnet Superiore. Kjo ka sjellë edhe reagime në klubin kavajas, pasi dje kanë përjashtuar nga skuadra futbollistët Mentor Mazrekaj dhe Donald Mëllugja. Të dy këta lojtarë janë gjobitur edhe me nga 10 mijë euro, për mos impenjim në atë ndeshje.

 

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 23

E shtunë, 15 shkurt 2025

Besa-Kukësi                13:30

Vora-Erzeni                 13:30

Lushnja-Kastrioti        13:30

Flamurtari-Valbona     13:30

E hënë, 17 shkurt 2025

Pogradeci-Apoloni      13:30

Burreli-Korabi             13:30

RENDITJA     

Skuadrat        Nd       Pikë    

1.Vora             22        54

2.Flamurtari     22        52

3.Besa             22        43

4.Burreli          22        37

5.Pogradeci     22        31

6.Lushnja        22        30

7.Kastrioti       22        30

8.Apolonia      22        28

9.Korabi          22        22

10.Kukësi        22        20

11.Valbona      22        13

12.Erzeni         22        8