Kupa e Shqipërisë, Tirana fiton me përmbysje

677
Sigal

Partizani është duke kaluar një moment  shumë të dobët ku pas 2 humbjesh radhazi në kampionat është mundur me rezultatin 3-0 nga Besëlidhja e Lezhës, një takim ky në kuadër të Kupës së Shqipërisë.

Të kuqtë janë treguar inegzistent në 45 minuta duke pësuar 3 gola nga Bushi, Jovanovic dhe Fetaj, ndërsa rezultati nuk do të ndryshonte në pjesën e dytë. Në këtë mënyrë Partizani rrezikon ndjeshëm kualifikimin për në çerekfinale, ndërsa ndeshjen e kthimit kampionët në fuqi të Superligës, e luajnë në kryeqytet.

Skuadra e Tiranës nga ana tjetër ka përmbysur Kastriotin për të fituar 1-3 në transfertë. Ekipi nga Kruja, kaloi në avantazh në minutën e 10-të me anë të Ajazit. Pjesa e parë do të mbyllej 1-0. Më pas në pjesën e dytë do të vinte përmbysja për kryeqytetasit teksa shënuan me anë të Dungas dhe dy herë më Muçin respektivisht në minutat 47’ 60’ dhe 85’.

Në ndeshjet e tjera Skënderbeu mundi Besën e Kavajës 0-2 jashtë fushe, Teuta e pati të lehtë kundër Erzenit duke fituar 1-3. Kampionët në fuqi të kompeticionit Kukësi, fitoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Lushnjes, ndërsa sfida mes Vllaznisë dhe Flamurtarit u mbyll në barazim 2-2.

Vlen për tu kujtuar që këto ishin ndeshjet e para, ndërsa skuadrat që do të kalojnë më tej do të zyrtarizohen pas ndeshjeve të kthimit.