Eduard Prodani: Futbolli ynë në gjëndje të mjerueshme, në pikën më të ulët

SUPERIORE/ Ish-sekretari i FSHF, Eduard Prodani, analizon për “Telegraf” situatën në 24 javë

Agron KAJA

Agron Kaja

Cila është situata sot në futbollin shqiptar, pas aplikimit të skemës “Final 4”?

Sigal

Unë e kam thënë disa herë publikisht se futbolli ynë është në pikën më të ulët. Formula e re e ka përkëqësuar gjëndjen, sepse nën ndikimin e kësaj formule skuadrat nuk i kushtojnë rëndësi përforcimeve në gusht, por në janar.

Është kjo formulë shkak për gjëndjen që ju paraqisni, apo ka faktorë të tjerë?

Që futbolli ynë është në gjëndje të mjerueshme, këtë e tregon realiteti ku klubet vazhdojnë të rënohen ekonomikisht. Sepse ky futboll sot nuk po krijon fizionominë ekonomike, për të cilën unë shkak bëj formulën “Final 4”.

Nisur nga rezultatet, cila nga ndeshjet e javës së 24-t doli nga pritshmëritë?

Nga pritshmëritë, të gjithë rezultatet e kësaj jave ishin të mundshme dhe të pritshme. Nga pikpamja e rezultateve, Egnatia bëri mirë. Partizani u prish në janar me largimet, Dinamo hyn në klubet e investuara, por nuk ka gjetur balancat e duhura.

Po për “Derbi”-in e 177-të i kryeqytetit, Partizani-Tirana (1-1), cili është këndvështrimi?

Në pamje të parë u krijua përshtypja se Tirana mund ta fitonte, dhe do ishte normale. Është balancuar më mirë si skuadër, ndërsa Partizani bëri maksimumin e vet. Veproi mirë taktikisht dhe në sajë të kësaj arriti edhe barazimin.

Ka faktorë të tjerë që kjo sfidë nuk u ngjit më lart në treguesit e tjerë të lojës?

Do thoja se në atë terren nuk mund të luhet futboll superior. Sepse dihet që cilësia e ndeshjes vdes nga fusha dhe nga bari i saj. Vëndi ku është vendosur stadiumi 0 “Arena e Demave”, nuk e lejon organizimin e ndeshjeve të atyre përmasave.

Kjo mbetet arsyeja pse dhuna mbeti si kryefjalë e javës?

Ndoshta edhe diçka tjetër nuk ka funskionuar, sidomos në organizimin e ndeshjes. Po ky është futbolli, nuk e përjashton situatën si në këtë derbi, sepse mbi të gjitha,  është pjesë e emocionit që ngjall futbolli, dhe natyrisht që duhet eliminuar.

Nisur nga dhuna në “Derbi”, do hyjë kjo në historinë e stadiumit “Arena e Demave”?

Aty ku u luajt, ai ishte “Derbi” i parë, por që duhet të jetë i fundit. Ose mund të ndërrohet tapeti i fushës me cilësi shumë më të mirë. Ka ikur koha, duhet tapet natyral dhe aty ku FSHF-ja ka investuar 50 mln euro nuk duhet të luhet më.

Pas ndeshjeve të javës së 24-t, renditja ka disa ndryshime, ishin të pritshme?

Laçi është ekip ekspert në Superiore në menaxhimin e kampionatit. Nuk është çudi fitorja në Korçë. Ndërkohë fitorja e Egnatias në Elbasan ishte e mundshme, sepse Elbasani po vuan përvojën. Është Elbasan i ri i investuar, por do kohë.

Ju keni një konkluzion ndryshe sa i përket “Final 4” dhe investimeve më të mira në infrastrukturë?

Nëse do të investohej kështu për stadiumet në Shqipëri, ne do t’ja kalonim edhe Zvicrës. Por me këtë skemë “Final 4” që nuk e di se si u shpik, të tilla situata do të jenë të pritshme. Kjo skemë duhet shmangur sa më parë.

Java e 25-të ka dy sfida të zonës “Final 4, çfarë ndryshime mund të sjellin ato?

Nuk e besoj më te ky Partizan. Nëse arrin një barazim me Egnatian, është sukses. Dinamo-Vllaznia e shoh si të barabartë, janë dy skuadra në rritje, edhe pse Dinamo nuk është aty ku duhet. Ndoshta po përgatit vëndin e katërt në renditje.

Dy sfidat me aromë mbijetese, do jenë vendimtare për renditjen?

Po, duket nga vetë renditja që kanë. Kam përshtypjen se Teuta nuk ka gjëndje të mirë me lojtarët, ose i ka të rinj, dhe Laçi është më favorit. Tirana është favorite me Skënderbeun, sepse kanë treguar rritje të dukshme në javët e fundit.

Për ndeshjen e javës së 25-të të Abissnet Superiore, Tirana-Skënderbeu, të dyja klubet kanë rënë dakord për zhvillimin e ndeshjes në stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra bardheblu rikthehet në Elbasan, pas përballjes me Elbasanin në Durrës.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 25

Datë 15 shkurt 2025

Egnatia-Partizani                     13:30

Bylis-AF Elbasani                   13:30

Dinamo C-Vllaznia                 16:30

Datë 16 shkurt 2025

Laçi-Teuta                               13:30

Tirana-Skënderbeu                  16:30

(Luhet në “Elbasan Arena”)

RENDITJA                   

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     24        45

2.Vllaznia                    24        43

3.Partizani                   24        40

4.Dinamo City             24        40

5.AF Elbasani              24        29

6.Laçi                          24        27

7.Bylis                         24        24

8.Teuta                        24        24

9.Tirana                       24        23

10.Skënderbeu             24        20

 

“Trend” negativ me largimet, 80% e bankinave të ndryshuara!

Ndërsa Abissnet Superiore luan javën e 25-të, e gjashta e fazës së tretë, ndryshimi i bankinave ka qënë me një trend shumë negativ për sezonin në vazhdim 2024-2025. Madje ky ndryshim ka nisur që në fazën përgatitore, apo edhe në javët e para të kampionatit, ku Dinamo e Partizani u përfshinë të parat. Por ky “trend” nuk po ndalet në javët pasardhëse, ku Bylis, Elbasani dhe Tirana morën stafetën e largimit të bankinave të tyre. Më pas, rradha ishte për Laçin e Teutën, ndërkohë që Skënderbeu ishte bankina e shtatë e ndryshuar. Largimi i fundit mban emrin e Nevil Dedes nga Bylisi, që e çon në 80% ndryshimin e bankinave të Superiores brënda sezonit në vazhdim. Nëse do t’i referohem Eduard Prodanit: “Është një shifër e frikshme për Superioren, në 24 javë drejtojnë 18 trajnerë në 10 skuadra”! Në sezonin e kaluar (2023-2024), ky trend ishte edhe më negativ deri në mbyllje, ku drejtuan 24 trajnerë në 10 skuadra, dhe ku Laçi e Kukësi ulën në bankinat e tyre nga katër trajnerë, Tirana dhe Erzeni nga tre. Në javën e 25-të, zyrtarisht Bylisi nuk ka trajner të parë.

Trajnerë të larguar

Partizani          A. Abilaliaj

Dinamo C       D. Mehmeti

AF Elbasani     R. Bordin

Laçi                 A. Cungu

Bylis                E. Egbo-N. Dede

Teuta               E. Martini

Tirana  Shkëmbi-Magani

Skënderbeu     Gvozdenoviç