KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Ritvan Kulli analizon garën dhe vazhdimësinë e saj
Agron KAJA

Faza e tretë e Kategorisë së Parë pritet të jetë interesante dhe e fortë, pasi në 11 ndeshjet e fundit të saj do të vendosen fatet e skuadrave për arritjen e synimeve të tyre sezonale. Në kalendarin e javës së 23-të, ka përballje interesante, por specialisti i futbollit Ritvan Kulli e mendon ndryshe. Për gazetën “Telegraf”, dje ai u shpreh se treshja e parë do ta udhëheqë kampionatin deri në fund, ndërkohë që për zonën e mbijetesës, bashkë me Kukësin dhe AF Luftëtarin rrezikon edhe skuadra e Lushnjës. “Në 22 javët e para, të gjitha skuadrat treguan oshilacionet e tyre, por Skënderbeu, Laçi e Pogradeci u treguan më të qëndrueshëm. Tashmë është krijuar kjo treshe e kreut që po e udhëheq kampionatin në këto 22 javë të luajtura, dhe besoj se do ta mbajë të ndezur luftën deri në fund për ngjitjen direkte në Superiore. Gjithsesi, nisur nga 132 ndeshjet e luajtura, niveli që kanë treguar skuadrat e tjera të bën të mendosh se ato janë nën nivelin e Superiores”, kështu e nisi dje bisedën Ritvan Kulli, i cili në këndvështrimin e një specialisti futbolli u shpreh se, në përballjet mes tyre të gjitha skuadrat nuk do të ndjehen të barabarta në 11 ndeshjet e fazës së tretë. “Do jenë 11 javë shumë të forta, do kemi ndeshje ku edhe surprizat nuk mund të mungojnë. Por mund të kemi edhe vendosje të verdikteve për skuadra të veçanta që në mesin e kësaj faze të tretë që e mbyll sezonin. Por do kërkoja më shumë që edhe tifozeria e çdo skuadre të jetë më shumë aktive në këto ndeshje, sepse ato e kanë të nevojshme mbështetjen e tyre”. Por specialisti Kulli ka edhe një mendim të veçantë, të cilin pak kolegë të tjerë të tij e kanë menduar të tillë. “Cila do skuadër që do renditet në vëndin e tretë, unë mendoj se do ta ketë të vështirë për të hyrë në Superiore. Sepse diferencat që kanë skuadrat e Kategorisë së Parë me ato që janë në zonën e mbijetesës në Abissnet Superiore, janë dukshëm në favorin e Superiores”. Në mbyllje të kësaj bisede, Ritvan Kulli bën edhe një parashikim për ndeshjet e javës së 23-të. “Të shtunën (sot) nis faza e tretë dhe kemi një sfidë interesante mes dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar: Skënderbeu dhe Kukësi. Dy skuadra që në të kaluarën kanë luftuar për trofe në elitë. Në ndeshjet e javës së 23-të, unë mendoj se logjikisht flasin në favorin e skuadrave vëndase, edhe pse në futboll duhet të presësh gjithçka. Në fazën e tretë nis lufta e vërtetë në çdo front të renditjes”, kështu e mbylli bisedën specialisti i futbollit Ritvan Kulli.
LEGJIONARËT
Broja shqetëson dyfish, Bërnlin dhe Kombëtaren

Edhe këtë javë të 27-të, Armando Broja nuk do jetë i gatshëm për skuadrën e Bërnlit, e cila do të ndeshet me Çelsin në Premierligë. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Skot Parker, duke deklaruar se Broja nuk është i gatshëm fizikisht. “Broja nuk do të jetë i gatshëm për Bërnlin ndaj Çelsit, pasi nuk është i gatshëm fizikisht që të kthehet në fushë. Nuk do ia dalë për fundjavën. Për të qenë të drejtë, po kalon një problem prej disa javësh dhe duhet të ndërhynim. Nuk do të jetë për shumë gjatë, shpresojmë për pak javë nga tani, por e sigurt që nuk do të jetë i gatshëm për këtë fundjavë që të luajë në ndeshjen ndaj Çelsit”, dhe ky lajm i trajnerit Skot Parker shqetëson edhe Kombëtaren shqiptare, ku Broja është llogaritur si titullar në sfidën me Poloninë.
Aksidentohet Rei Manaj, gjëndja shëndetësore e mirë
Dje, sulmuesi i Kombëtares sonë dhe i Sivaspor, Rei Manaj, ka pësuar një aksident automobilistik pas rikthimit nga transferta e radhës në kampionat ku barazoi 1-1 me Adana Demirspor. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Sivas, dhe sipas informacioneve, Manaj është përfshirë në aksident teksa po udhëtonte me automjetin e tij drejt banesës. Fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë, por futbollisti do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për arsye sigurie.

“Haber TS”: Trabzonsport do blejë kartonin e Ernest Muçit
Situata për të ardhmen e Ernest Muccit duket se po përshpejton. Sepse më shpejt se pritej, skuadra e Trabzonsporit ka vendosur përfundimisht që ai ti përkasë kësaj skuadre duke filluar nga edicioni i ardhshëm 2026-2027. “Haber TS” raporton së fundmi se klubi ka vendosur përfundimisht që të blejë kartonin e mesfushorit me tipare sulmuese. Trabzonspori do e paguajë me disa këste detyrimin ndaj Beshiktashit, por kësti i parë që do të sjellë edhe zyrtarizimin e lëvizjes ku Trabzonspori mendon ta zyrtarizojë blerjen e Muçit së shpejti do të transferohet para përfundimit të sezonit. Për huazimin e Muçit kujtojmë se u derdhën 1 milion euro në arkën e Beshiktashit. Nga fundi i nëntorit, Muçi është kthyer në lojtarin më produktiv për Trabzonspor.
Kastrioti pa stadium, e pret Apoloninë në “Stadiumi Vora”
Ditën e dielë në ora 13:30, skuadra e Kastriotit do ta luajë ndeshjen si pritës ndaj Apolonisë, por në stadiumin e Vorës. Shkak për këtë zhvendosje është bërë fakti, se Iliria dhe Kastrioti që përdorin stadiumin “Redi Maloku” në Fushë Krujë, e nisin fazën e tretë me ndeshje në shtëpi. Ndaj janë zhvendosur përkohësisht në Vorë, si një zgjedhje e arsyeshme, por kalendari në vijim ndoshta do të imponojë të tjera zgjedhje për Kastriotin.

Faza e tretë mban pezull verdiktet e sezonit
Gjatë kësaj faze të tretë kampionatit, do të luhen 66 ndeshje në 11 javë kampionat. Në këto ndeshje, të gjitha skuadrat do të synojnë arritjen e objektivave të tyre sezonale. Deri tani, Skënderbeu e Laçi duken të sigurtë drejt ngjitjes në Superiore, ndërsa të gjitha skuadrat e tjera janë në ethet e garës. Ndaj edhe verdiktet për to mbeten pezull deri në fund.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Faza e tretë-Java 23
Sot, e shtunë 21 shkurt 2026
Pogradeci-Lushnja 13:30
Laçi-AF Luftëtari 13:30
Skënderbeu- Kukësi 16:30
Nesër, e dielë 22 shkurt 2026
Kastrioti-Apolonia 13:30
(Ndeshja luhet në Vorë)
Burreli-Korabi 13:30
Iliria-Besa 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 22 51
2.Laçi 22 48
3.Pogradeci 22 43
4.Kastrioti 22 30
5.Burreli 22 30
6.Iliria 22 29
7.Besa 22 25
8.Korabi 22 24
9.Apolonia 22 24
10.Lushnja 22 20
11.AF Luftëtari 22 19
12.Kukësi 22 15





















