Prof.Dr. Mehmet Spahiu: Superiorja ka kualitet të dobët, vlen për të dëshiruar!

12

INTERVISTA/ Prof.Dr. Mehmet Spahiu tregon për “Telegraf” ecurinë e skuadrave në 30 javë kampionat

Sigal

Agron Kaja

“Më duket një Superiore me kualitet të dobët dhe ecuria vlen për të dëshiruar. Por ka qënë edhe interesant, me emocione e rezultate të papritura, ndërsa niveli i nuk është i kënaqshëm, e stadiumet mbeten bosh pa spektaklin që tërheq spektatorin”

Në Abissnet Superiore janë luajtur 30 javë, në këndvështrimin tuaj teknik, si ka qënë ecuria e tyre?

Më duket një Superiore me kualitet të dobët, vlen për të dëshiruar. Por ecuria ka qënë interesante, me emocione dhe rezultate të papritura. Ndërkohë që niveli i ndeshjeve nuk është i kënaqshëm, e stadiumet mbeten bosh, pa spektaklin që tërheq spektatorin.

Në këto 30 javë, si ka ndryshuar renditja për zonën “Final 4” dhe për mbijetesë?

Renditja ka patur dritëhijet e saj. Në përgjithësi, në fazat e para kanë ruajtur qetësi për të marrë kohën e rikuperimit, ndërsa në dy fazat e tjera ka më shumë emocion, ndaj edhe renditja në këto faza ka më shumë ndryshime, pasi luhet me më shumë tension.

Nisur nga kalendari i javës së 31-të, mund të quhen të gjitha sfidat si kryendeshje?

Në këtë fazë ku ndodhemi, nuk veçon dot asnjë ndeshje. Nuk ka skuadra për të bërë diferencat dhe në lojë janë të tre rezultatet. Gjithsesi, Partizani-Vllaznia mbetet sfidë për t’u veçuar, sepse tradicionalisht janë skuadrat më të mira në futbollin tonë.

Ju, cilën nga këto sfida do ta veçoni si kryendeshje, cilën si më interesante apo si më të vështirë?

E përmënda më sipër, ndërkohë që do shtoja se si kryendeshje veçon sfidën Partizani-Vllaznia. Këtu hyjnë tradita, realiteti që kanë të dyja, por edhe renditja që ato kanë, duke qënë thuajse të sigurta në zonën “Final 4”.

Deri në mbyllje të kampionatit mbeten edhe gjashtë javë, si i parashikoni 30 ndeshjet që do luhen?

Në këto gjashtë javë që do të luhen deri në mbylljen e kampionatit, janë edhe 18 pikë në lojë dhe nuk janë pak për të patur ndryshime në renditje. Ndeshjet do të jenë më të forta, të vështira, pse jo edhe të tensionuara në kuptimin sportiv.

Nëse e mendojmë këtë renditje si të ndryshueshme, deri në fund ku mund të ketë lëvizje?

Emocionale dhe më interesante do të jetë renditja e skuadrave për zonën “Final 4”, sepse në fundin e renditjes Kukësi dhe Erzeni nuk do kenë shumë kohë për t’u korrigjuar. Në “Final 4” janë Dinamo, Skënderbeu e Tirana që do ta ndezin garën mes tyre.

Një përcaktim i juaji për katër skuadrat e zonës “Final 4” dhe ato që zbresin nga kategoria, cili do ishte?

Pra, do jenë deri në fund gjashtë skuadra për t’u kualifikuar në “Final 4”. Më të avantazhuara janë Egnatia, Vllaznia e Partizani, nga diferenca e pikëve. Dinamo është me ambicie e rritje graduale, Tirana ka rrezikuar shumë për të qënë në katërshe.

Duke qënë se në Kombëtare nuk luan asnjë futbollist nga Superiorja, e ul ky fakt motivimin në ecurinë e garës?

Asnjë lojtar i kampionatit shqiptar nuk është pjesë e Kombëtares, ndaj edhe kjo tregon kualitetin e cilësinë e dobët të këtij kampionati në të gjitha drejtimet. Duke luftuar për kampionatizëm dhe duke lënë mënjanë cilësinë e talentet, kështu do jetë.

 

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 31
E shtunë, 13 prill 2024

Tirana-Kukësi                15:00

Vllaznia-Laçi                  18:00

Skënderbeu-Teuta          18:00

E dielë, 14 prill 2024

Egnatia-Partizani            15:00

Dinamo City-Erzeni       18:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              30      54

2.Vllaznia             30      51

3.Partizani            30      48

4.Dinamo City      30      43

5.Skënderbeu        30      41

6.Tirana                30      40

7.Laçi                   30      35

8.Teuta                 30      34

9.Erzeni                30      31

10.Kukësi             30      26

 

 

FSHF përcaktoi datat e “Final 4”, gjysmëfinalet dhe finalet

Pas përfundimit të fazës së katërt të Abissnet Superiore, FSHF-ja do hedhë short për ndeshjet e “Final 4”, të cilat do të zhvillohen në “Air Albania” më 17-26 maj 2024. Në këtë fazë do të marrin pjesë katër ekipet që renditen në vendet e 1.2.3.4 të Superiores në përfundim të kampionatit. Shorti i ndan ekipet dy vazo, ku vazo 1 (vendi 1 dhe 2), vazo 2 (vendi 3 dhe 4). Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 17 maj ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër më 19 maj ora 20:00. Finalja për vendin e tretë/katërt do të luhet më 24 maj ora 19:00, ndërsa finalja për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, ndërsa në finale, ekipet e kualifikuar nga gjysmëfinalet luajnë për titullin, ekipet humbëse për vendin e tretë.

 

Pjesëmarrja në Europë

Vëndi i parë: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues në Ligën e Kampioneve.

Vëndi i dytë: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Konferencë Ligë.

Vendi i tretë: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Konferencë Ligë.

Vendi i katërt: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Konferencë Ligë, nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në “Final 4”.