KATEGORIA E PARË/ Ndeshja jubilare e kavajasve në 100 vjetorin e krijimit, flet ish-mbrojtësi verdhezi Përparim Daiu
Agron KAJA

Ndeshjet e javës së 7-të të Kategorisë së Parë ku u shënuan 13 gola, veç rezultateve që shënuan dhe lëvizjes në renditje, kishin edhe një të veçantë mes tyre. Sepse Besa e Kavajës e luajti sfidën me Pogradecin në pragun e mbylljes së 1 shekulli (25 tetor 1925-25 tetor 2025). Në këtë 100 vjetor, Besa do e mbyllë historinë shekullore me ndeshjen e javës së 8-të ndaj Skënderbeut në Korçë, dhe për këtë situatë, ish-mbrojtësi e kapiteni verdhezi Përparim Daiu, për gazetën “Telegraf”, komentin e tij e nisi nga barazimi me Pogradecin në fundjavën e kaluar. “Mendoj se Besa është në krizë rezultati, sepse po mungon qetësia në skuadër. Duke qënë një ekip që hyri me pretendimin për kreun e renditjes dhe nuk ka marrë rezultate, është rritur presioni brënda skuadrës. Ndërsa unë e shoh Kategorinë e Parë një kampionat interesant, sepse veç Skënderbeut që është i shkëputur, do ketë garë të fortë. Nuk do jetë një kampionat i lehtë me Skënderbeun, Laçin, Pogradecin, Ilirinë, dhe këtu do vendos edhe skuadrat e traditës si Besa e Apolonia”, kështu e nisi dje Përparim Daiu komentin e tij për Kategorinë e Parë në shtatë javët e luajtura, dhe në mesin e gjithë skuadrave ai ka edhe një vlerësim për disa prej tyre. “Në këto 7 javë, mendoj se Skënderbeu me Laçin po tregojnë se e synojnë realisht kreun e renditjes, ndërkohë që edhe disa skuadra të tjera që kanë organizim të mirë në këtë kampionat dhe do jenë në ndjekje të këtyre dy skuadrave të para në renditje. Janë disa skuadra që renditen në vëndet e fundit, por që në vazhdimësi mendoj se do kenë ndryshime në lojë dhe në rezultate”. Por specialisti Daiu u ndal edhe në përvjetorin e 100-të të skuadrës së besës që është më 25 tetor, dhe në këtë kuadër, ai pret një rezultat pozitiv në transfertën me Skënderbeun. “Mendoj se do jetë një javë që për Besën do ndajë shumë gjëra, pretendimet shkojnë për mbijetesë jo për pretendim në kreun e renditjes. Me ndjenjë qytetarie dhe, si një ish i kësaj skuadre dhe si kavajas, unë pres një “qershi mbi tortë” për një rezultat pozitiv në Korçë. Realisht duket se Besa krenarinë e ka tek e shkuara me emrat e mëdhenj, dhe këto ndoshta do bëhen një nxitje pozitive për një ringritje të shpejtë të Besës. Gjithsesi, urimi im është që Besa ta mbajë historinë të gjallë, sepse ky rrugëtim shekullor ka sjellë këtë emër të Besës në futbollin shqiptar”, kështu e mbylli dje bisedën ish-futbollisti e trajneri kavajas Përparim Daiu.
LEGJIONARËT NË FUNDJAVË
Më të vlerësuarit e javës, kryeson Lindon Selahi

Kjo fundjavë kishte disa paraqitje të mira nga legjionarët shqiptarë. Portali “Sofascore” ka publikuar një listë me pesë futbollistët më të vlerësuar sipas statistikave. Kështu, në krye ndodhet Lindon Selahi me notën 8.2. Me pak minuta në fushë, shënoi golin e fitores 3-2 ndaj Radomiak Radom. Portieri Strakosha me vlerësimin 7.8 renditet në vëndin e dytë, edhe pse AEK humbi me PAOK 0-2, ku mund të pësonim më tepër gola po të mos ishte Strakosha në portë. Me vlerësimin 7.4 ndodhen Berat Gjimshiti dhe Adrion Pajaziti. Ky i fundit në fitoren 0-3 ndaj Istrës luajti shumë mirë, ndërsa Atalanta e Gjimshitit barazoi pa gola ndaj Lacios. Lista e vlerësimeve “Top 5” mbyllet me Kristjan Asllanin, i cili u tregua si lider në mesfushën e Torinos. Ai ishte pjesë aktive e skuadrës së tij, e cila e befasoi Napolin duke e mposhtur 1-0, dhe duke e zbritur atë nga kryesimi i renditjes të Serie A. Edhe mbrojtësi Adrian Ismajli luajti disa minuta në këtë sfidë.
Shpërthejnë kuqezinjtë, Arbër Hoxha “Lojtari i muajit”

Futbollistët e Kombëtares sonë, këtë fundjavë ishin nën urdhrat e skuadrave të tyre në kampionatet e ndryshme ku luajnë. Protagonistë me gola dhe asiste gjatë fundjavës, ku veçohen Arbër Hoxha që u shpall “Lojtari i muajit” në kampionatin kroat, dhe Ylber Ramadani që u shpall “Lojtari më i mirë” i ndeshjes në takimin Leçe- Sassuolo 0-0. Ndërsa sulmuesi Rey Manaj, gjeti sërish rrugën e rrjetës me skuadrën e tij Al Sharjah, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra. Nazmi Gripshi, me golin e shënuar ndaj Aktobe, arriti në kuotën e 16 golave në kampionatin kazak, ndërsa rrugën e rrjetës e gjeti edhe Jasir Asani, i cili i dha fitoren skuadrës së Esteghlal FC ndaj Mes Rafsanjan me një gol vendimtar në minutën e 11-të të takimit. Në Turqi, Arlind Ajeti ishte protagonist me një asist në barazimin 1-1 të Bodrumspor ndaj Erokspor. Ardian Ismajli ka lënë pas dëmtimin dhe mori disa minuta në fitoren e Torinos ndaj Napolit.
Emiliano Çela, e veçanta e bankinave në javën e 7-të
Nga Besa te Besa, kështu flet java e 7-të e Kategorisë së Parë për trajnerin e Pogradecit Emiliano Çela. Ai e nisi bankinën e tij në këtë sezon me drejtimin e skuadrës së Besës, por duke qënë se në dy javë grumbulloi 2 pikë, u largua. Në javën e 6-të ai u caktua në drejtimin e Pogradecit dhe në përballjen e javës 7-të ndaj Besës, për të, barazimi 1-1 ishte si një “hakmarrje”. Sepse Besa në pesë javë me Shpëtim Duron ka marrë vetëm 2 pikë, sikundër Çela në dy ndeshjet e para.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e tetë
E premte, 24 tetor 2025
Iliria-Korabi 14:00
Lushnja-Apolonia 14:00
Skënderbeu-Besa 17:00
E shtunë, 25 tetor 2025
Kukësi-AF Luftëtari 14:00
Laçi-Burreli 14:00
Pogradeci-Kastrioti 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 7 19
2.Laçi 7 13
3.Iliria 7 11
4.Burreli 7 11
5.Korabi 7 10
6.Apolonia 7 9
7.Pogradeci 7 9
8.Lushnja 7 8
9.AF Luftëtari 7 7
10.Besa 7 4
11.Kastrioti 7 4
12.Kukësi 7 4




















