Jorgji Kote: Modeli finlandez i strehimit në kohë lufte!

Shembulli finlandez po studiohet me kujdes dhe vëmendje në të gjitha vendet e tjera të BE-së, duke vendosur më në fund rregull dhe në këtë fushë të ndjeshme, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e popullsisë civile, të fëmijve, grave, të moshuarve, të sëmurëve, etj. Krahas masave të tjera në teatrin e luftimeve, sigurimi i strehimit të popullsisë civile në gjendje lufte përbën një përparësi të politikës dhe aspektit ushtarak në ato vende.

Në shumë shkrime dhe botime të kohëve të fundit, sidomos pas agresionit rus kundër Ukrainës dhe kërcënimeve të Moskës për sulme në vitet e ardhëshme ndaj vendeve fqinje balltike dhe ndonjë vendi tjetër anëtar të NATO-s, Finlanda përmendet si shembull për t’u ndjekur lidhur me masat për mbrojtjen e popullsisë civile në kohë lufte. Me këtë rast theksohet se ndryshe nga të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së që pas shembjes së Murit të Berlinit dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë menduan se erdhi paqja e përhershme me dividentët e saj fitimprurës, Finlanda nuk u gënjye nga euforia e atyre viteve por vazhdoi me masat mbrojtëse.

NOA

Po ashtu, krejt ndryshe nga vendet e tjera demokratike europiane që pothuajse i përgjysmuan ushtritë aktive dhe shpenzimet ushtarake, Finlanda vazhdoi forcimin e ushtrisë, modernizimin e saj dhe marrjen e masave për strehimin e të gjithë popullsisë në rast lufte apo agresioni, sidomos nga Rusia. Ndodhi kështu, sepse siç pohojnë zyrtarë të lartë finlandezë, ata e njohin mirë fqinjin e tyre rus, që ndryshe nga sa thotë, i ngjan atij “ujkut që qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron“

Ky kujdes e ka burimin te trauma e rëndë që finlandezët pësuan në vitet 1939/1940 nga sulmi dhe pushtimi sovjetik dhe kërcënimet ruse dhe në ditët e sotme. Çka bënë që Helsinki të hiqte dorë nga asnjanësia që nuk garantonte më sigurinë e saj dhe bashkë me Suedinë të bënin kërkesën dhe të anëtarësoheshin në NATO sa nuk ishte vonë. Ashtu siç kishin bërë shumë kohë më parë Austria dhe Luksemburgu.

Krahas fuqizimit të ndjeshëm të mbrojtjes dhe ushtrisë, sepse Finlanda ka kufij tokësorë 1340 km të gjatë dhe detarë 1250 km të gjatë me Rusinë, ajo ka krijuar një model tejet të dobishëm referues për të gjitha vendet e tjera lidhur me strehimin e të gjithë popullsisë në bunkerë dhe tunele nëntokësorë, për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm ushtarak, madje dhe atij bërthamor. Kjo është arritur falë 50.500 bunkerëve dhe strehave nëntokësore në thellësi prej 20 metrash. Kjo duke filluar nga kryeqyteti i vendit, Helsinki, ku ndodhet bunkeri më i madh me kapacitet prej 6000 vendesh.  Për rrjedhoje, nga 4,8 milionë që është popullsia e Finlandës, kapacitetet strehuese nëntokësore mjaftojnë për 5,5 milionë vetë. Kësisoj, bëhet e mundur edhe strehimi i turistëve të huaj që mund të ndodhen atje në kohën e një sulmi. Por, duke patur parasysh se strehimet nëntokësore nuk janë hotele me luks, dushe dhe sauna, por vende mbijetese.

Të gjitha këto vend strehime dhe bunkerë  sigurojnë një jetesë normale dhe modeste në kushte lufte; mësuesit do të japin mësim, infirmieret do të kujdesen për pacientet e tyre sipas parimit 8 orë gjumë, 8 orë punë dhe 8 orë argëtim.

E rëndësishme të theksohet se në rast lufte dhe agresioni, njerëzit që do të vijnë të strehohen, duhet të marrin me vehte batanije, bateri, kutinë sanitare, letra higjenike, dyshekun, etj. Duhani dhe alkoholi janë të ndaluara.

Në këtë drejtim, Finlanda përbën një kontrast të madh me shumë vende të tjera, përfshi dhe Gjermaninë, ku deri në vitin 2007 ishin në funksion 550 nga 2000 bunkerë gjithsejt në territorin e vendit. Ato mund të strehonin vetëm gjysëm milionë vetë ose një bunker për 175 banorë, shumë larg normave dhe standardeve të nevojshme.

Mirëpo, ndërtimi i tyre tani kushton shumë, ca më tepër, sepse duhet t’i përshtaten kushteve të një lufte moderne bërthamore.

Natyrisht problemi i kostove dhe mirëmbajtja e këtyre strehimeve është e lartë dhe shqetësim i përhershëm. Por, dhe këtu finlandezët janë treguar krijues, duke i dalë të keqes përpara me kohë. Ata po i shfrytëzojnë dhe tani këto strehime, të cilat në fakt i kanë përshtatur si kënde lojrash, fusha hendbolli, golfi, patinazhi dhe salla koncertesh, me të gjitha kushtet e nevojshme dhe me hyrje tejet sekrete e të supermaskuara, siç mund të shihet dhe në fotot këtu më poshtë.

Kësisoj, ato ruhen, mirëmbahen dhe përdoren në mënyrë shumë optimale, duke mos pësuar asnjë amortizim. Dy vite më parë, në një strehim nëntokësor në Helsnki që tani përdoret si mjedis argëtues dhe sportiv ishte për vizitë edhe ish Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbock, aktualisht Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila u mahnit nga terrenet sportive dhe argëtuese nën tokën e Helsinkit, të cilat në raste lufte kthehen fare lehtë në vend strehime të përshtatshme, me ajrim dhe të gjitha kushtet e tjera të jetesës.

Shembulli finlandez po studiohet me kujdes dhe vëmendje në të gjitha vendet e tjera të BE-së, duke vendosur më në fund rregull dhe në këtë fushë të ndjeshme, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e popullsisë civile, të fëmijve, grave, të moshuarve, të sëmurëve, etj.

Krahas masave të tjera në teatrin e luftimeve, sigurimi i strehimit të popullsisë civile në gjendje lufte përbën një përparësi të politikës dhe aspektit ushtarak në ato vende.

Besojmë se është momenti i duhur edhe autoritetet përkatëse në vendin tonë të reagojnë sa më shpejt në këtë fushë me ndjeshmëri të lartë, ndonëse mesa duket duhet ta fillojmë gjithçka nga hiçi. Në mënyrë që të mos kalojmë nga ekstremi i të kaluarës në një ekstrem tjetër, por tanimë më të dëmshëm dhe të rrezikshëm. Mbi të gjitha, të hiqet dorë nga propaganda dhe retorika qortuese apo ca më keq mohuese e përvojës në të kaluarën në këtë fushë, duke përcaktuar masa konkrete dhe zbatimin e tyre sa më të shpejtë. Pyetja se ku « do të futim kokën në rastin e një sulmi armik » nga i pari te i fundit tanimë përbën një çështje madhore serioze, e cila kërkon përgjigje konkrete, adekuate dhe në kohë. Pik!