Pacolli kërkon të blejë Viçencën

693
Sigal

Zëvendëskryeministri i Kosovës synon të investojë në klubin italian të Lega Pro

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, si duket ka vendosur të investojë përsëri në sport. Kësaj radhe jo në Kosovë, por në Itali. Kryetari i partisë AKR-së, sipas mediave italiane është shumë i interesuar të investojë në klubin e ligës së tretë në Itali, Vicenca. Këtë ai pritet ta bëjë në bashkëpunim me biznesmenin tjetër kosovar që jeton në Zvicër, Hamdi Mehmeti. Mehmeti i cili është aksionar edhe i skuadrës së Superligës së Kosovës në futboll, Hajvalia, prej disa ditësh po qëndron në Itali ku ka pasur takime të shumta me drejtuesit e skuadrës italiane. Madje në një moment ata ishin shumë afër nënshkrimit të kontratës mirëpo tani kanë dalë disa çështje të vogla teknike sa i përket kontratës të cilat pritet të zgjidhen brenda kësaj jave. Një takim i radhës në mes të dy palëve pritet të mbahet të enjten ku përfundimisht do të vendoset nëse skuadra italiane do të bie në duart ë kosovarëve. Pacolli dhe Mehmeti do të duhet të paguajnë 600 mijë euro garanci deri me datë 16 korrik në mënyrë që të fillojnë punën me klubin. E përditshmja “Trevisotribuna” shkruan se Mehmeti është një kandidatë shumë serioz për të marr frenat e klubit, duke e përshkruar si një biznesmen që jeton në Friburg të Zvicrës dhe mbështet aktivitet e veta në katër kompani që operojnë me pasuri të patundshme me partnerë të tjerë duke përfshirë edhe bashkëpunimin me nipin e ish presidentit francez, Valeri Zhiskar D’Esten, Çarlsin. Mirëpo shkaku i vetëm që negociatat kanë zgjatur deri më tani është se Mehmeti ka gjetur disa detaje në kontratë të cilat nuk i kanë pëlqyer, si për shembull faktit që janë vetëm gjashtë futbollist të cilët kanë kontratë deri në fund të vitit 2014. Lajmin se dyshja kosovare do të marr në pronësi skuadrës italiane e kishte konfirmuar edhe portali sportiv i mirënjohur ndërkombëtar “Goal.com. “Pas nëntë vitesh të Serxho Kasinxhenës në krye të klubit, Viçenca do të jetë prapë në duart e huaja. E veçanta e konsorciumit zviceran është pasi përbëhet nga dy biznesmenë me origjinë kosovare. Është Hamdi Mehmeti një sipërmarrës i ri dhe Behgjet Pacolli, ky i fundit për dy muaj nga shkurti deri në prill të vitit 2011 ka qenë edhe President i Kosovës”, – shkruan portali në fjalë. Pacolli investimin e tij të vetëm në sport pas luftës në Kosove e kishte në basketboll dhe volejboll me dy klubet e “Mabetexit” të cilat kishte arritur që t’i shpallë edhe kampion të Kosovës.

 Inter, marrëveshje me “Deutche bank”

 Në një kohë kur pritet që miliarderi indonezian Tohir të blejë të paktën 40% të aksioneve të Interit, klubi zikaltër zyrtarizoi marrëveshjen me sponsorin e ri “Deutche Bank”. I pranishëm në Itali që nga viti 1977, kolosi bankar gjerman ka 4 000 të punësuar dhe 600 pika shitjesh, të cilët klubi zikaltër kërkon t’i shfrytëzojë për shitjen e biletave dhe për rritjen e abonimeve. Në nivel global “Deutche Bank” ka të punësuar 100 000 persona në 70 vende të ndryshme të botës. Me këtë marrëveshje me një sponsor me shumë reputacion, Interi kërkon të krijojë besueshmëri të tifozët, por mbi të gjithë siguron më shumë para për të ndërhyrë në merkato.

Rekord prej 1.6 miliardë dollarë shpenzime; 72 lojtarë të blerë dhe 10 trajnerë në bankinë

 Abramoviç, dhjetë vitet e miliarderit rus te Çelsi

  Miliarderi rus Roman Abramoviç mbushi dhjetë vjet, qysh kur mori pronësinë e klubit të Çelsit, më 1 korrik të vitit 2003. Oligarki rus, i cili aktualisht është rusi i 13-të më i pasur me një aset prej më shumë se 10 miliardë dollarë, ka investuar gati 1.61 miliardë dollarë, duke i siguruar klubit tre tituj kampionë të Premier Ligës, një Ligë të Kampioneve dhe një Ligë të Europës, përfshirë dhe disa kupa të Mbretëreshës apo Anglisë. Askush nuk e besonte se, ai do ta shndërronte ekipin problematik londinez, në një nga superfuqitë e futbollit botëror. Një skuadër që filloi të renditej menjëherë mes pretendenteve të Premier Ligës dhe të niste kështu “modën” e pronarëve të pasur, që investojnë shifra të çmendura në klube futbolli. Gjithsesi, epoka e artë e bluve startoi në sezonin pasardhës. Stolin e mori Zhoze Murinjo, i cili sapo kishte fituar Ligën e Kampioneve me Porton. Një tjetër merkato me shumë para të shpenzuara, por emrat nuk ishin aq prestigjiozë. “Speciali” vendosi të marrë të besuarit e tij si Paulo Ferreira apo Rikardo Karvajo, ndërkohë që “zbuloi” futbollistë si Peter Çeh, Didier Drogba apo Arjen Roben, të cilët kishin shkëlqyer në klube apo kampionate të një niveli më të ulët. Edicionet pasardhëse do shoqëroheshin me të tjera blerje të bujshme, me të tjerë trajnerë prestigjiozë, me shumë tituj në Angli. Triumfet europiane do vinin pikërisht atëherë kur nuk pritej, saktësisht me dy trajnerë provizorë. Roberto di Mateo dhe Rafa Benitez i dhuruan Çelsit respektivisht Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Plot 72 lojtarë të blerë për 10 vite si pronar dhe 713 milionë sterlina të harxhuara nga Roman Abramoviç. Futbollisti më i shtrenjtë i blerë nga Abramoviçi është Fernando Torres, plot 50 milionë sterlina, por që ka rezultuar edhe një prej zhgënjimeve. Dje, miliarderi Roman Abramoviç, i cili ka qenë edhe guvernatori i rajonit të Çukotkës, në lindjen e largme të Rusisë, hoqi dorë nga të qenit kryetar i “Dumës” të Çukotkës, Parlamentit rajonal.

SEZONI 2003-2004

14 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Damien Daf nga Bllekbërni: 17 milionë sterlina.

SEZONI 2004-2005

9 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Didier Drogba nga Marseja: 24 milionë sterlina.

SEZONI 2005-2006

5 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Mikael Esien nga Lioni: 24.4 milionë sterlina.

SEZONI 2006-2007

7 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Andrij Shevçenko nga Milani: 30 milionë sterlina.

SEZONI 2007-2008

8 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Nikolas Anelka nga Boltoni: 15 milionë sterlina.

SEZONI 2008-2009

3 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Hoze Bosingua nga Porto: 16.2 milionë sterlina.

SEZONI 2009-2010

4 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Juri Zhirkov nga CSKA Moskë: 18 milionë sterlina.

SEZONI 2010-2011

4 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Fernando Torres nga Liverpuli: 50 milionë sterlina.

SEZONI 2011-2012

8 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Huan Mata nga Valencia: 23 milionë sterlina.

SEZONI 2012-2013

8 lojtarë. Blerja më e shtrenjtë, Oskar nga Internacional: 25 milionë sterlina.

SEZONI 2013-2014

1 lojtar deri tani. Blerja aktuale është Andre Shyrle nga Leverkuzeni: 18 mln sterlina.

10 TRAJNERËT

Klaudio Ranieri

Zhoze Murinjo

Avram Grant

Luiz Felipe Skolari

Gus Hidink

Karlo Ançeloti

Andre Vilas-Boas

Roberto Di Mateo

Rafa Benitez

Zhoze Murinjo