Fenomeni “Kukësi” magjeps UEFA-n

639
Sigal

Faqja zyrtare e UEFA-s i kushton një speciale ekipit kuksian, në prag të ndeshjeve të Ligës së Europës

 Pjesëmarrja e Kukësit për herë të parë në Kupat e Europës vetëm pas një viti në Kategorinë superiore, është një fenomen që ka tërhequr vëmendjen e qeverisë së futbollit europian, UEFA.

Në një shkrim në faqen zyrtare të këtij institucioni, me titull “Ngjitja meteorike e Kukësit në skenën europiane”, përshkruhet ecuria e jashtëzakonshme e skuadrës verilindore nga kategoritë më të ulëta të futbollit shqiptar deri në superiore, ku në vitin debutues e mbylli kampionatin në vendin e dytë pas Skënderbeut. “Vetëm 12 muaj më parë skuadra verilindore e Shqipërisë festonte ngjitjen në kategorinë Superiore dhe tani pasi e përfundoi sezonin në vendin e dytë pas kampionëve të Skënderbeu do të luajë në kompeticionet europiane. Të enjten skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungo do të debutojë në Ligën e Europës përballë kundërshtarëve nga Estoni të Flora Talin.

TRAJNERI CUNGU

Edhe pse është disi i preokupuar për debutimin e skuadrës së tij, trajneri Armando Cungu beson se skuadra e tij është gati për këtë përballje”, – thuhet në shkrimin e faqes së UEFA-s, “Uefa.com”. “Jemi gati. Nuk do të jetë e lehtë por do të kemi shanset tona. Ne kemi luajtur disa miqësore, por unë do të doja që të kisha zhvilluar më shumë ndeshje miqësore dhe testuese për të kuptuar më mirë gjendjen e futbollistëve dhe kjo është ajo që më preokupon më shumë është niveli i kompetitivetit të tyre pikërisht tani. Ne kemi luajtur disa miqësore, por unë jam i shqetësuar në lidhje me ritmin e ekipit tonë”, – deklaron trajneri Cungu pas fazës përgatitore që skuadra e tij ka zhvilluar në Ohër të Maqedonisë.

KAPITENI HALLAÇI

Kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi është një futbollist që edhe më parë ka luajtur në kompeticionet europiane kur aktivizohej në skuadrat e Partizanit dhe Vllaznisë. Ai shpreson që skuadra e Kukësit të vazhdojë rritjen e saj dhe të arrijë të bëjë surprizën dhe në kompeticioni e Europa League. “Sezoni i kaluar ishte shumë i suksesshëm për ne. Shpresoj që të njëjtën gjë ta bëjmë dhe në Europa League”, ka deklaruar Hallaçi.

DREJTORI STAROVA

Drejtori sportiv, Sulejman Starova, është një nga ata që ka marrë pjesë në shumë fushata europiane në katër dekadat e fundit, si lojtar, trajner dhe menaxher. Ai bën jehonë fjalëve të kapitenit Hallaçi. “Ne kemi ekip të madh, liderë të mëdhenj dhe shumë lojtarë që kanë luajtur më parë në Kupat e Europës. Ne jemi gati”, – tha ai.

PRESIDENTI GJICI

Skuadra e Kukësit është e vetmja skuadër që në sezonin e kaluar nuk ka humbur asnjë takim në fushën e saj, dhe megjitë se ndeshja do të luhet në “Qemal Stafa” në Tiranë dhe jo në “Zeqir Ymeri”, presidenti Safet Gjici, mendon se mbështetja e tifozëve do të bëjë diferencën në ndeshjen e dytë. “Duke mos luajtur në shtëpi do të jetë e vështirë, po ne do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë”, – tha ai. “Është e rëndësishme për ne që të kemi një rezultat të mirë në ndeshjen e parë në Estoni. Nëse e arrijmë një rezultat pozitiv atëherë do të kemi shanse të mëdha në ndeshjen e kthimit”.

SKUADRA E 15-TË

Kukësi bëhet kështu skuadra e 15-të shqiptare që do të luajë në Europë, duke pasuar Partizanin (i pari ekip që ka luajtur në një ndeshje ndërkombëtare), Tiranën, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin, Teutën, Besën, Elbasanin, Skënderbeun, Albpetrolin, Apoloninë, Tomorin, Bylisin dhe Laçin. Në fakt, vetëm 7 ekipe nga 14 pjesëmarrëse në kompeticionet europiane kanë mundur ta kalojnë të paktën 1 herë turin e parë: Tirana (11 herë), Vllaznia (7), Dinamo (3), Partizani (3), Besa (3), Flamurtari (2), Teuta (1). Kulmin e ka arritur Flamurtari në edicionin 1987-1988, kur arriti të kalonte në turin e tretë të Kupës UEFA.

  100 tifozë në Estoni

 Kukësi, siguron një çarter për të dërguar në Talin të Estonisë jo vetëm ekipin, por edhe rreth 110 tifozë. Nisja do të behët me çarter, më 3 korrik, një natë qëndrim në Talin dhe pas ndeshjes bëhet direkt kthimi në Shqipëri.

 Fitojnë Teli dhe Agolli

 Karabag, skuadra azerbajxhanase ku militojnë dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Admir Teli dhe Ansi Agolli, fitoi 1-0 ndeshjen e parë të Ligës së Europës, kundër Metalurgut të Shkupit. Golin e shënoi Rejnaldo (64’).

 Ilir Berisha, nga zero në një hero

 Sa ishte duke luajtur në Kosovë u dallua për talent të madh, mirëpo pakkush besonte se ai do të ketë sukses në ndonjë kampionat evropian. Mbrojtësi, Ilir Berisha, jo që arriti të nënshkruaj kontratë profesionale me Orebron në Suedi, mirëpo falë paraqitjeve të mrekullueshme mori ftesën për t’u paraqitur me Kombëtaren e Shqipërisë. “Nuk ka qenë e lehtë që nga kampionati kosovar të arrijë një kontratë në elitën e futbollit suedez, mirëpo fati më ka përcjellë bashkë me punën e madhe që kam bërë. Kam praktikuar që të bëjë jetë të një profesionisti duke u stërvitur pa ndërprerë dhe kjo ka ndikuar që të kem sukses”, shprehet fillimisht Berisha.

 Empoli refuzon 1.8 milionë euro për Hysajn. Lacio kërkon të blejë gjysmën e kartonit të mbrojtësit

 Tare: “Transferimi i Hysajt për momentin është i bllokuar”

  Lacio vazhdon të punojë me intensitet në merkato. Tashmë në listën e atë ardhurve janë Perea, Novareti, Felipe Andersoni dhe Bilja. Klubi bardhekaltër vazhdon punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri dhe objektiv numër një i radhës është Elseid Hysaj, mbrojtësi shqiptar i Empolit. Është një 19-vjeçar, tashmë në radhët e Kombëtares së madhe në Shqipëri. Lacio po punon për të siguruar gjysmën e kartonit të rij. Hysaj tashmë ka lëshuar sinjale dashurie drejt Lacios dhe në javët e kaluara kanë nisur edhe kontaktet e parë me menaxherin e shqiptarit si dhe janë kryer telefonata midis dy klubeve. Lacio ofron 1.8 milionë euro për gjysmën e kartonit, por për momentin palët janë akoma të distancuar. Kur Elseid Hysaj e nisi sezonin e kaluar me Empolin, mbrojtësi i majtë shkodran nuk vlente më shumë se 300 mijë euro në merkato. Por, paraqitjet e tij të jashtëzakonshme në Serinë B, si dhe thirrja në Kombëtaren A të Shipërisë ia rritën më shumë se 10-fish vlerën e kartonit. Aktualisht, 19-vjeçari kushton 4 milionë euro, duke qenë ai lojtari më i shtrenjtë shqiptar në këtë moshë, teksa 29-vjeçari Lorik Cana vlen diku të 6 milionë euro. Drejtori sportiv Igli Tare dha komentin e tij për “Calcio Neës 24”, në lidhje me blerjen e bashkatdhetarit të tij të ri.  “Nuk i kam lexuar gazetat këtë mëngjes, por ka nga ata që thonë se i dinë të gjitha, pa e njohur realitetin. E njoh mirë Hysajn, nuk mund ta mohoj këtë, por kjo nuk do të thotë se Lacio do ta marrë. Nuk mund të konfirmoj një tratativë zyrtare për të, pasi për momentin nuk kemi diskutuar nga afër me Empolit, pasi është gjithçka e bllokuar”, – tha Tare. Në ditët e ardhshme është parashikuar edhe një takim midis palëve, Lacio ka për qëllim që të mbyllë operacionin dhe të marrë mbrojtësin premtues. Tare lëshoi edhe një batutë në lidhje me të ardhmen e Hernanesit, i cili është vendosur në qendër të merkatos, por ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij të Lacios në kërkim të trofeve të rinj: “Këtu më duket se ka pak për të thënë, deklarimet e lojtarit janë të qarta”. Sipas raportimeve që vijnë nga mediat italiane, bëhet e ditur se drejtuesit e klubit të Empolit, kanë refuzuar ofertën e parë të bardhëkaltërve prej 1.8 milion euro, duke pretenduar se vlera e 19 vjeçarit është minimalisht 3 milion euro. Oferta e drejtorit sportiv të bardhekaltërve, Igli Tare, nuk ka mjaftuar, pasi presidenti i Empolit, Karli, kërkon pak a shumë dyfishin e ofertës së bërë nga lacialët. Gjithashtu sipas asaj që raportohet nga mediat fqinje, në qendër të disa klubeve të Serisë A dhe Serisë B kanë përfunduar dhe dy futbollistë të tjerë të kombëtares, Jurgen Gjasula, aktualisht pjesë e skuadrës së Duisburg dhe Armando Vajushi, që sezonin e fundit u aktivizua në Bullgari me skuadrën e Liteks Lovec.

  Haxhia: “Sadiku do të largohet nga Lugano”

 Sulmuesi i Komëbtares shqiptare, Armando Sadiku, do të lëvizë shumë shpejt nga Lugano, pa pritur fundin e merkatos së verës. Lajmin e bëri të ditur menaxheri i tij, Sokol Haxhia, gjatë një interviste për portalin zviceran “Ticinoline”. “Në një mënyrë apo tjetër, Armando do të largohet. Është në treg, kjo tashmë nuk përbën më sekret, dhe shpejt do të luajë me një skuadër tjetër”, thotë Haxhia, po pa thënë se cila do të jetë skuadra e re e sulmuesit. “Është shpejt të thuhet. Kemi dëgjuar disa oferta, por nuk jemi ulur me askënd në tryezë për të folur”. Përfaqësuesi i lojtarit ka thënë edhe se Sadiku nuk ka preferenca për vendin ku do të luajë, pavarësisht simpatisë së përfolur shpesh për Serinë A. “Nëse ka ofertë nga Bazeli dhe nga Livorno, nuk është e thënë se ai do të largohet nga Zvicra”, thotë Haxhia. Presidenti i Luganos është shprehur më herët se Sadiku nuk do ta veshë fanellën e skuadrës në këtë sezon dhe Haxhiaj shpjegon: “Është e vërtetë. Vitin e kaluar luajti çerek ore me Lokarnon e për këtë shkak nuk mund të lëvizte në janar. Për të evituar probleme të këtij lloji, nuk do të dalë në fushë me bardhezinjtë”. Pikërisht për këtë arsye, menaxheri thotë se Sadiku nuk do të presë deri në fundin e merkatos, më 31 gusht, por do të transferohet në një skuadër tjetër brenda pak javëve.