Frank Shkreli: Nga Pusteci në Ulqin, kur sulmohen simbolet, gjuha dhe identiteti shqiptar

Frank Shkreli*
Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Pusteci është në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, komuniteti maqedonas i Pustecit ka të drejta të garantuara për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të veta. Kjo është pjesë e detyrimit të Shqipërisë si shtet demokratik dhe evropian.  Por respektimi i të drejtave të minoritetit maqedonas nuk mund të vihet përballë respektit për simbolet e shtetit shqiptar. Të dyja mund dhe duhet të bashkëjetojnë.
6 maj, 2025: Asnjë kurorë me lule në datëlindjen e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbe!

Fakte, reagime dhe një pyetje që nuk mund të shmanget: kush dhe si i mbron interesat kombëtare shqiptare në hapësirat ku shqiptarët kanë jetuar prej shekujsh?  Ka raste kur një ngjarje e vetme mund të konsiderohet incident. Por kur, në një periudhë të shkurtër, në vende të ndryshme e vit pas viti, shfaqen debate që prekin simbolet, gjuhën dhe arsimin e shqiptarëve, është e natyrshme që opinioni publik të shtrojë pyetje më të gjera.  Dy raste të fundit, njëri në Pustec të Shqipërisë dhe tjetri në Ulqin nën Mal të Zi, meritojnë të shihen me qetësi, me dokumente dhe pa ekzagjerime. Jo më larg se një javë më parë, një incident tjetër me flamurin shqiptar ndodhi në një festival muzikor në  Guci –Frank Shkreli: Flamuri shqiptar në gjyq, ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi? | Gazeta Telegraf

Sigal

Në Pustec të Shqipërisë një himn që mungoi, një mungesë serioze protokolli. Më 20 gusht 2026, gjatë një aktiviteti kulturor në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua Himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk u ekzekutua Himni Kombëtar Shqiptar.  Ngjarja u bë publike menjëherë dhe shkaktoi reagime.  Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) reagoi zyrtarisht më 21 gusht, duke shprehur keqardhje për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar dhe duke e cilësuar atë si një mungesë serioze në respektimin e rregullave të mirësjelljes dhe protokollit midis shteteve. MEPJ theksoi se respektimi i simboleve kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, raportoi media shqiptare. Kjo është pika e parë që duhet mbajtur shënim.  Pusteci është në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, komuniteti maqedonas i Pustecit ka të drejta të garantuara për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të veta. Kjo është pjesë e detyrimit të Shqipërisë si shtet demokratik dhe evropian.  Por respektimi i të drejtave të minoritetit maqedonas nuk mund të vihet përballë respektit për simbolet e shtetit shqiptar. Të dyja mund dhe duhet të bashkëjetojnë.  Prandaj, pa e cilësuar paraprakisht këtë incident si një akt të qëllimshëm politik, pyetja është legjitime: si mund të mos përfshihet simboli kombëtar i vendit pritës në një aktivitet zyrtar ku merr pjesë kryeministri i një shteti fqinj? Sa për shembull, çdo tubim me rëndësi i komunitetit shqiptaro-amerikan hapet me hymnin e Shteteve të Bashkuara dhe hymnin shqiptar.  Ma merr mendja se kjo ndodhë edhe me diasporën shqiptare në vendet e normale në botën demokratike të Evropës Perendomore. Prandaj kjo është një pyetje legjitime për protokollin, për organizatorët dhe për institucionet përgjegjëse. Dhe mirë është që MEPJ reagoi. Por a mjafton? Ulqini një rast tjetër i ditëve të fundit me një debat për arsimin dhe gjuhën. Në Ulqin çështja është tjetër, por prek një dimension po aq të ndjeshëm që ka të bëjë me arsimin dhe gjuhën shqipe.  Më 29 korrik 2026, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi vendosi për emërimin e Snežana Živanović si drejtoreshë të Shkollës së Mesme të Përzier “Bratstvo-jedinstvo”, në Ulqin. Vendimi shkaktoi reagim nga zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e kundërshtoi emërimin dhe deklaroi se ishte e papranueshme që një person që, sipas tij, nuk e flet shqipen, të drejtojë një shkollë ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Sipas medias vendore, Gjeloshaj e cilësoi këtë vendim si “provokim institucional” dhe “albanofobi”. Por këtu faktet kërkojnë një saktësim për lexuesin.  Ministria malazeze e Arsimit e ka kundërshtuar deklaratën se Živanović nuk flet shqip. Sipas Ministrisë, në dokumentacionin e konkursit ajo deklaron njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, përfshirë të kuptuarit, leximin, të folurin, ndërveprimin në të folur dhe shkrimin. Prandaj, nuk do të ishte korrekte të shkruanim se “drejtoresha nuk flet shqip” si një fakt të provuar, derisa të vërtetohet nëse ajo flete ose jo shqip. Por megjithëkëtë, kjo nuk e mbyll debatin.  Përkundrazi, e bën pyetjen më të rëndësishme: Çfarë peshe duhet të ketë njohja e gjuhës shqipe në drejtimin e një shkolle të mesme në një qytet si Ulqini, ku shqipja është gjuhë e një pjese dërmuese të komunitetit dhe e arsimit?  Kjo pyetje nuk është diskriminuese. As nuk duhet të lidhet automatikisht me kombësinë e një drejtuesi/je. Është një pyetje mbi kompetencën gjuhësore, komunikimin me nxënësit e prindërit dhe me respektimin praktik të karakterit shumëgjuhësh të institucionit. Ndërkaq, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në reagimin e saj të 20 gushtit, ka theksuar se drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të zgjidhen mbi bazën e ekspertizës, përvojës dhe rezultateve, ndërsa njëkohësisht të drejtat e komunitetit shqiptar për barazi, përdorimin e gjuhës dhe ruajtjen e identitetit duhet të respektohen e mbrohen në mënyrë të vazhdueshme, sipas medias vendase.  Ky është një parim me të cilin është vështirë të mos pajtohesh.  Kështuqë, shqiptarët në Ulqin dhe në Malësi nuk kanë heshtur në lidhje me këtë emërim por as në raste të tjera. Një tjetër fakt duhet theksuar për hir të së vërtetës. Se nuk është e drejtë të krijohet përshtypja se shqiptarët e Malit të Zi janë pasivë ose se institucionet e tyre nuk reagojnë, ndaj kësaj dhe dukurive të tjera, si kjo.  Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në Mal të Zi është një institucion i komunitetit shqiptar dhe ka struktura të posaçme për arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Në çështjet e arsimit, Këshilli me të drejtë ka argumentuar, publikisht, se arsimi në gjuhën shqipe është një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Ka ndërmarrë edhe nisma konkrete për pasurimin e materialeve mësimore në shqip dhe për forcimin e përmbajtjes së historisë kombëtare në arsim.  Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare

Interesat kombëtare të shqiptarëve kudo mbrohen duke njohur, ruajtur dhe transmetuar të drejtat, gjuhën, kulturën dhe kujtesën kombëtare tek brezat që vijnë. Dhe ky nuk është nacionalizëm.  Është përgjegjësi mbarë kombëtare e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta!

Madje, sipas raportimeve të fundit, KKSH ka ngritur edhe shqetësime lidhur me proceset e emërimit të drejtuesve të shkollave në gjuhën shqipe. (MALESIA.ORG – Tuz, Malësi). Pra, pyetja nuk është: “Pse shqiptarët heshtin?” Pyetja është: Sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa efektiv është reagimi institucional kur ata ngrenë shqetësime?  A janë këto raste të veçuara apo mund të jenë të koordinuara? Pa prova të mjaftueshme është vështirë të deklarohet se çdo rast është pjesë e një politike të koordinuar antishqiptare. As nuk është e drejtë të thuhet se “provokimet ndodhin vetëm kundër shqiptarëve”, pa një studim shumë më të gjerë dhe pa dokumentuar raste të krahasueshme ndaj komuniteteve të tjera.  Mirëpo, kjo nuk e bën pyetjen time të pavlefshme. Përkundrazi, pyetja është legjitime dhe e pa-evitueshme:  Pse, në vende të ndryshme ku shqiptarët jetojnë prej brezash, herë pas here, dhe historikisht, shfaqen konflikte ose debate pikërisht rreth gjuhës, arsimit, simboleve dhe identitetit të tyre kombëtar?  Kjo është një pyetje që meriton përgjigje. Jo përgjigje emocionale. Jo përgjigje nacionaliste. Por përgjigje institucionale. Dhe pyetja shkon përtej Pustecit dhe Ulqinit.  Nëse këto dy raste duam t’i shohim si pjesë të një diskutimi më të gjerë, atëherë duhet të shikojmë edhe më tej — te Plava e Gucia, Malësia, Tivari, Prespa, Lugina e Preshevës dhe hapësirat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Jo për të ndërtuar një hartë konfliktesh. Por për të parë nëse gjuha shqipe, arsimi shqip, përfaqësimi institucional dhe identiteti kulturor shqiptar gëzojnë, në praktikë, të njëjtin respekt që parashikojnë ligjet dhe marrëveshjet. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf – Për të siguruar këtë, përgjegjësia është e shumëfishtë. Është përgjegjësi e institucioneve lokale. Është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Është përgjegjësi e Këshillave Kombëtarë dhe organizatave të komunitetit. Por është edhe përgjegjësi e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të mos trajtohen vetëm kur ndodh një incident dhe ai bëhet lajm.  Duhet politikë e qëndrueshme. Duhet diplomaci. Duhet arsim. Duhet kulturë. Dhe mbi të gjitha, duhet vëmendje e vazhdueshme ndaj faktit se identiteti kombëtar ruhet, para së gjithash, përmes gjuhës dhe arsimit.  Në fund të fundit, ajo që kërkohet nuk është konflikt me fqinjët. As nuk kërkohet privilegj për shqiptarët. Kërkohet barazi. Barazia nuk është kërkesë radikale. Por është parim elementar i një shoqërie që pretendon të jetë demokratike. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Prandaj, nga Pusteci në Ulqin, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “kush ka faj?”  Pyetja më e rëndësishme është: A po mbrohen në mënyrë të mjaftueshme gjuha, arsimi, kultura dhe identiteti shqiptar aty ku ato janë pjesë e pandashme e jetës së komunitetit?  Dhe një pyetje tjetër, edhe më e drejtpërdrejtë: Kush i mbron interesat kombëtare shqiptare kur ato preken? Përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm një deklaratë pas incidentit. Duhet të jetë një politikë e përhershme dhe konsekuente. Interesat kombëtare të shqiptarëve kudo mbrohen duke njohur, ruajtur dhe transmetuar të drejtat, gjuhën, kulturën dhe kujtesën kombëtare tek brezat që vijnë. Dhe ky nuk është nacionalizëm.  Është përgjegjësi mbarë kombëtare e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta!