Me emigrantët sirianë solidarizohen edhe ekipet e futbollit

458
Strehimi i emigrantëve, misioni që jo të gjitha shtetet europiane po e marrin përsipër, ka prekur mbarë botën e futbollit në Europë. Klube të ndryshme kanë vendosur t’u vijnë në ndihmë mijëra emigrantëve nga Siria.
Roma është klubi i radhës pas Bajernit dhe Realit të Madridit që është treguar e gatshme të strehojë mijëra emigrantë.
Bajerni dhe Reali do të dhurojnë 1 milion euro, ndërsa klubi i Romës do të përfshihet në një fushatë më të gjerë që parashikon mbledhjen e fondeve në institucionet e kryeqytetit italian me shpresën se do të tërheqë në këtë nismë edhe klube të tjera italiane.
Ndërkohë, në Angli, shumë klube do të ndjekin shembullin e gjermanëve, duke mirëpritur e strehuar shumë emigrantë. Në krye qëndron klubi i Aston Vilës dhe Swindon Town, ndërsa West Bromvich Albion ka aktivizuar llogarinë e Albion Fondation, me qëllim për të mbledhur sa më shumë para që do të shkojnë për emigrantët.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Arsenali, i cili sipas mediave britanike deri tani ka mbledhur 500 mijë euro me kontributin e futbollistëve dhe tifozëve.
Borusia e Dortmundit në Gjermani ftoi 220 emigrantë për të ndjekur ndeshjen e parë të kampionatit me qëllim dhënien e një mesazhi sensibilizues për të gjithë botën.
Në Skoci, kampionët e Selltikut kanë hapur një llogari për mbledhjen e të hollave për ta.
Në Angli, Liverpuli ka aktivizuar në terren qindra tifozë me qëllim që të mbledhin sa më shumë para dhe veshmbathje.
Në shenjë solidariteti, klube të tjera po dhurojnë shuma të konsiderueshme parash në mënyrë që emigrantëve t’u sigurohet një trajtim sa më njerëzor.
Sipas Kombeve të Bashkuara, në të gjithë botën ka shkuar në 60 milionë numri i personave që janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë dhe sigurt.
Sigal