Moisi Dalipi: Petrit Stefa, “profesori” pankinës të basketbollit

166
Sigal

Speciale nga Moisi Dalipi

Mjeshtër i Madh

Sa herë që duam të flasim për basketbollin në qytetin e Vlorës, por pse jo dhe atij kombëtar, shumë natyrshëm mendimi do të shkojë tek Petrit Stefa. Një jetë e lidhur ngushtë me sportin e basketbollin, si sportist dhe trajner, që si pak kush tjetër i ka mbushur këto vite sportive me suksese dhe trofe. Dhe këto “stoli; plot vlera duket se shijojnë më shumë tani kur ky “professor” i pankinës të basketbollit ka lënë pas 75 vitet e jetës tij. Dhe nuk do ishte e tepërt të thuhet për këtë specialist dhe trajner që këto vite përbëjnë një veçanti të karierës tij edhe në mes më të mirëve të vendit. Gjithsesi tek Petrit Stefa, po të kërkosh gjithmonë do të prekësh jo vetëm vitet e ngarkura me shumë punë, përpjekje, rezultate pozitive dhe deri tek libri shkencor dhe praktik të titulluar” Filozofia e Trajnerit”, që ky njohës dhe specialist i nivelit të lartë të basketbollit bashkëkohor, i ka bërë si dhuratë sportit shqiptar. Njerëz të tillë si “professor” Petrit Stefa me pasionin e tyre gjithmonë kanë ditur dhe do të dinë se nga vijnë dhe ku duan të shkojnë me punën e tyre. Edhe e thënë më qartë, Petrit Stefa ka ecur fort drejt suksesit dhe respekti dhe lavdia morale e kanë ndjekur nga pas kudo dhe kurdoherë. Jeta e Petrit Stefës është një “leksion” që duhet lexuar dhe mësuar ashtu siç është, sepse aty gjen shumë motivime, që i duhen çdo njeriu, që kërkon të prek suksesin në jetë.

Fillimet në sport dhe vitet e vështirësive

Si shumë fëmijë të lagjes “Varosh” të qytetit bregdetar të Vlorës edhe Petrit Stefa, që në vitet e para të rinisë tij do merrej me sport. I lindur dhe i rritur në një familje me tradita të hershme sportive, si ishte ajo e rrobaqepësit të njohur vlonjatë Panajot Stefa, djaloshi me trup mesatar do të ushtronte edhe sportet e notit dhe pipongut. Por papritur, kur dhe vet mendonte se do të ishte bërë një sportist i mirë në këto disiplina, trajneri i njohur i baskebollit të meshkujve Ilo Taska do t’i bënte vend në ekipin e baskebollit të rinjve të Flamurtarit. Për katër vjet, djaloshi Petrit Stefa do të spikaste me talentin e tij në sportin e basketbollit përkrah shokëve të tij të fëminisë si Vladimir Xhindi, Edmond Luzi, Luan Alemi, Vendigjar Luzi dhe Dionis Qirinxidhi. Megjithatë sporti nuk do ta pengonte për ta përfunduar shkollën e mesme me “Medalje të Artë”. Në vitin 1963, djaloshi Petrit Stefa fiton të drejtën për të vazhduar studimet e larta në U.T. për degën matematikë-fizikë. Kështu ndryshe nga vëllezërit dhe motrat e tij, që janë shquar në shkencat shoqërore, Petriti do të orientohej tek shkencat egzakte. Vazhdimi i studimeve të larta në kryeqytet kushtëzuan tek ky sportist i baskebollit të aktivizohej për një sezon me ekipin e “Studentit”. Në vitin 1968 edhe pse i përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera, duke zotëruar shumë mirë dhe gjuhët e huaja si rusisht, frëngjisht anglisht, greqisht dhe italisht e emëruan për tre vjet rresht mësues në shkollën “Hasan Tahsimi” të Sarandës. Një pjesë e bukur e jetës tij, ose “copëza brilante të jetës time “ si i quan ai vet këto momente në këtë qytet, dhe jo vetëm se njohu dhe lidhi jetën me bashkëshorten e tij Violetën, por dhe për atë se këtu hodhi hapat e para si trajner. Pas orëve të gjata të mësimit dhe stërvitjes me skuadrën e vajzave, që synon ta kontronte si ekip , por që nuk ia doli me sukses, me shumë durim dhe pasion Petrit Stefa ju përkushtua përvetësimit të literaturës bashkohore sportive. Po kështu veproi dhe në vitet 1971-1972, kur u emërua mësues në fshatin Kuç të Vlorës. Si hije e zezë i qëndruan gjithnjë paragjykimet në ato vite se studimi literaturës të huaj përbënte një koncep borgjez . Dhe ndoshta për këtë , dikush kërkoi ta largonte nga pasioni i tij, duke e detyruar të punonte në prodhim jashtë Vlorës. Megjithë atë Petrit Stefa ia doli me sukses. Diku në vjeshtën e vitit 1972 ish trajneri i tij Ilo Taska do të propozonte për t’i bërë një vend në pankinën e baskebollit të femrave të Flamurtarit, trajnerin e ri 27 vjeçar Petrit Stefa. Deri në këtë vit kjo skuadër bënte pjesë në Kategorinë e dytë dhe nuk kishte prespektivë. Gjithsesi trajneri i ri Stefa sfidoi shumë gjëra, për ta filluar punën me ëndrrën e madhe se një ditë do arrinte tek suksesi me këtë ekip. Fillimi ishte i vështirë. Megjithatë me punë dhe pasion ai arriti t’i kalonte këto vështirësi, duke sjell koncepte të reja në lojën e basketbollit. Ekipi “Flamurtarit“ po përgatitej kështu për “fluturimet ‘ drejt fitimit të trofeve. Skuadrat me shumë përvojë në ato vite si “17 Nëntori”, “Partizani”,”Skënderbeu”, “ Vllaznia” dhe “Apollonia” po ndienin nga afër trokitjen e vajzave vlojnjate. Trajneri Stefa kishte një ekip lojtare të tilla si Valentina Hysi, Muhina Kuqi, Arjana Birce, Eleni Beli, Violeta Cala,  Piereta Cika, Afërdita Vjero dhe vajza të tjera, që ishin dhe dallandyshet e para të baskebollit vlonjat.

Koha e fitoreve dhe trofeve nga “Ferrari’ Vlorës

Dhe nuk do të vononte shumë dhe në skenën e basketbollit shqiptar do të prezatohej shumë bukur dhe më tërë vlerat sportive ekipi i femrave të “Flamurtarit” të drejtuar nga trajneri pasionat Petrit Stefa. Rivalitet i fortë i “Flamurtarit” ishte me “17 Nëndorin “ e drejtuar nga trajneri Vaso Shakaj, me “Apollonin” e drejtuar nga Kozma Mone dhe “Skënderbeun” e drejtuar nga Pandi Balli dhe më vonë nga Edmond Dushku. Basketbolliste të nivelit të lartë në ato vite si Myrto, Dibra dhe Alibegaj të“17 Nëntorit”, Semajaku, Marini dhe Mustafaraj të “Apollonisë”, Lida Shehu dhe Zamira Koleci të ‘Skënderbeut” do përballeshin me Kuqin, Belin, Cikën, Minën, Shabanin, Calën, Bircen, Lacajn, Labovitin e të tjera që përbënin atë trup sportiv kuqezi që tifozeria vlonjate e ka pagëzuar me emërtimin “Ferrari Vlorës”. Në Vlorë në maj të vitit 1977 ky ekip do të sjellë titullin e parë kampion. Atë ditë i gjithë qyteti Vlorës është përkundur fortë nga entusiazmi dhe gëzimi mbarë qytetar. Personazhet janë ato vajzat kuqezi dhe trajneri tyre Petrit Stefa që mes gëzimit dhe lotëve kanë prekur suksesin e një pune shumë vjecare. Është thyer kështu hegjemonia shumë vjeçare skuadrës kryeqytetase të “17 Nëndorit”. Të gjithë në Vlorë i mbajnë mend mirë ato ndeshje të forta dhe dramatike, që zhvillonte kjo skuadër ndaj çdo kundërshtari. Pallati sportit të Vlorës mbushej plot, duke mbajtur për shumë orë në “supet” e tij gjithë atë etusiazëm. “Ferrari” i trajnerit Petrit Stefa do të shkruajë historinë dhe lavdinë e munguar sportive të “Flamurtarit”. Titull kampion i fituar plot shtatë herë në vitet 1976-1977, 1978-1979, 1979-1980,1980-1981, 1983-1984-1984-1985, 1989-1990. Bukur pranë tyre qëndrojnë dhe stolisin gjoksin kuqezi edhe pesë Kupa Republike të fitura në harkun e këtyre viteve duke ruajtur serinë e sukseseve dhe trofeve si janë ato në vitet 1978,1983,1985,1987, dhe 1990. Por po t’i shtosh këtyre sukseseve dhe nëntë kupat e fituara gjatë aktiviteteve të ndryshme zyrtare të organizura nga F.SH.B. në ato vite, arshiva e këtij trajneri pasurohet edhe më shumë në ato vite që drejtoi “Flamurtarin”.Ndërkohë që skuadra rinovonte rradhët e saj me emër të rinj si Merkaj, Aliko, Dauti, Jaupaj dhe Brinja, që duke qëndruar pranë “veteranëve “u kthyen shumë shpejt në titullare të skuadrës edhe për shumë vite të tjera tek skuadra vlonjate. Aq e vërtetë është ky fakt saqë dhe sot shumë specialistë të basketit shqiptar shprehen se: “Flamurtari e ka krijuar traditën dhe shkollën e tij të baskebollit të femrave që në vitet 1978-1990”.

“Shtegëtime” të suksesshme dhe rikthimi në Vlorë

Pas viteve 1990  rajneri vlonjat Petrit Stefa “shtegëton “ në basketbollin grek, duke lënë pas një ‘Flamurtar” të ngarkuar me trofe dhe tituj të shumtë, si dhe me traditën e mirë të vazhdimësisë. Në vitin 1992-1994 trajneri vlonjat u “akomodua” tek skuadra greke “Skeria “ e Korfuzit, ku spikat talenti dhe aftësitë e tij si trajner i përgatitur me njohuri të basketbollit bashkëkohor. Të njëjtat situata do të përjetonte Stefa dhe në vitet 1999-2000 me ekipin “Erithros Stavros “ të meshkujve në Athinë. Shumë herë shtypi sportiv grek në ato vite do të vlerësonte punën , pasionin dhe njohuritë bashkëkohore të këtij trajneri shqiptar në basketbollin e zhvilluar të shtetit grek. Dhe e veçanta më shumë qëndronte në faktin se ai ashtu si më parë edhe në këtë vend me sport të zhvilluar ka kryer revolucion në lojën e basketbollit duke futur koncepte të reja të kohës, veçanërisht atij amerikan mbi sulmin e shpejt dhe mbrotjen. Ndërkohë në vitin 2003 trajneri Perit Stefa do të ndërmarrë një aventurë të bukur me ekipin e “Luftëtarit “ të Gjirokastrës, ku suksesi përsëri nuk mungoi si për titullin kampion kombëtar, Kupën e Republikës dhe Superkupën që për herë të parë shkonin në qytetin e gurtë. Trajneri Stefa me këto suksese si dhe pjesëmarrjen e kësaj skuadra atë vit në Kupat e Evropës bëri që për sa kohë qëndroi në krye të “Luftëtarit” të kthente vëmëndjen e të gjithëve tek sporti i koshit. Dhe pas këtyre “shtegtimeve” të suksesshme, Petrit Stefa si “amerikani “ basketbollit shqiptar dhe i pajisur dhe me përvojën e fituar në vitet 1999-2000 tek ekipi grek i “Erithros Stavros” të Athinës, e ka nxitur atë që të guxojë të vendoset në krye edhe të ekipit të meshkujve të “Flamurtarit.” Kështu që nga muaji shkurt i vitit 2004 puna e tij u përqëndrua tek rritja e kësaj skuadre të qytetit të tij. Plot pasion, dëshirë në çdo seancë stërvitje trajneri i palodhur Petrit Stefa, me atë angazhim në maksimumin e energjive, krijoi një grup të mrekullueshëm me djem shtatlartë që e donin fort basketbollin dhe premtonin për të ardhmen si Metushi, Kaso, Toska, Merdani, Meminaj, Dede, Birce e të tjerë, që të kujtonin pak a shumë ekipin e femrave të “Flamurtarit” të viteve 1976-1990. Por i vetmi ndryshim ishte, sepse xhelozitë e njerëzve anti- sport nuk e lanë këtë skuadër dhe trajnerin Petrit Stefa të fliste me gjuhën e suksesit në skenën e baskebollit shqiptar. Gjithsesi, pas kësaj  “përvoje”, që nuk ishte dështim, por përpjekje për të rilindur një skuadër që më pas thuajse është shuar edhe pse ishte në moshën 60 vjeçare “profesori” pankinës të baskebollit shqiptar Petrit Stefa do të vendos “katedrën” e tij për 15 vjet rresht, në vitet 2004-2019 tek “Perla –Akademi”, ku nga duart dhe ideologjia e tij sportive kanë dalë më shumë se 80 fëmijë me koncepte të reja të kohës për sportin e baskebollit. Kësaj përvoje shumëvjeçare, ku eksperimetohen për herë të parë në Shqipëri fillimet e basketbollit për fëmijët e moshës 5-6 vjeç ai ju përkushtua dhe librit të tij më të ri që është në proces botimi “Trajneri dhe Fëmijët”.

Kupa e kampioneve dhe ekipi kombëtar  

Një arshivë më vete në “inventarin’ e karrierës së tij gjysëm shekullore janë pjesëmarrjet si trajner në ndeshjet për Kupën e Kampioneve dhe ato në drejtimin e ekipeve kombëtare. Shqipëria që nuk mori pjesë me baskebollin e femrave në vitet 1959-1980 e provoi këtë gjë për herë të parë me ekipin kampion në fuqi “Flamurtarin” e Vlorës në sezonin 1980-1981. Kështu “Flamurtari bëhet ekipi parë shqiptar që merr pjesë në kompeticionin më prestigjos Evropian për klubet. Kundërshtare ishte emri i madh në basketbollin Evropan të kohës , skuadra hungareze BSS –Budapest, që në sezonin e kësaj Kupe të viteve 1978 -1979 ishte shpallur nënkampione Evropës. Dy humbje me këtë skuadër të nivelit lartë evropian, në Vlorë më 8 tetor 1980 me rezultatin 64-96 dhe ndeshja e kthimit më 17 tetor 1980 në Budapest me rezulattin 96-67 ishin më shumë një përvojë, e cila pandrejtësisht u ndëshkua nga regjimi kohës me mos pjesëmarrjen e skuadrave shqiptare në këto evente për periudhën 1981-1990. Në sezonin e Kupës Kampioneve 1990-1990 “Flamurtari” është kundër skuadrës kampione të Greqisë “Sporting “ të Athinës. Për t’u veçuar është se ndeshja e parë e zhvilluar në Vlorë më 27 shtator 1990, ku “Flamurtari” me Cikën, Rucin, Lacaj, Bircen, Brinjën, Calën, Jaupin, Dautin dhe Merkaj do të përballeshin si të barabarta me këtë skuadër kampione të vendit fqinj, ku veçoheshin dy baskebolliste ruse shtatlarta me atë lojën si Binajerva , që ishte një shënuese shumë e aftë nga çdo distançë. Ishte një mungesë fati më shumë në këtë ndeshje që përfundon me rezultatin 83-85 për skuadrën greke. Por trajneri Petrit Stefa do t’i rikthehet edhe një herë “parketit ndërkombëtar” të Kupës Evropës në vitin 2003 me ekipin e “Luftëtarit” të Gjirokastrës, ku në grup është përballur me skuadrën bullgare “Akademia –Test” dhe kampionen greke “Tolemaidha “. Puna, pasioni, përkushtimi dhe trofe të fituara shumë natyrshëm do i jepnin Petrit Stefës, këtij mjeshtëri të trajningut të drejtën që të ishte dhe në drejtim të ekipeve kombëtare. Në fakt për rreth dhjetë vjet ka stërvitur dhe përgatitur skuadrat, por për të shkuar me ekipin jashtë vendit nuk e kanë lejuar, ose më saktë e kanë ndaluar padrejtësisht me asryen ‘biografi”, Kështu i ka ndodhur në 1978 kur ekipi kombëtar i femrave do të shkonte në turne miqësor në Kinë. Në vitin 1983 me ekpin kombëtar të rejave në Kampionat Ballkanik në Rumani dhe në vitin 1987 , me ekipin kombëtar të femrave për Lojrat Mesdhetare “Lataka -1987 “. Por “rrethimi” biografik është hequr vetëm në vitin 1989, kur në krye të ekipit kombëtar të rejave ai do të jetë në Kampionatin Ballkanik që zhvillohet në Kastoria të Greqisë. Dhe më tej vazhdon në vitin 1990 me ekipin kombëtar të rritura në Kampionatin Ballkanik, që zhvillohen në Dhrama të Greqisë, në vitin 1991 në Lojrat Mesdhetare “Selanik 1991”, në vitin 2002 në Andorë ku ekipi ynë kombëtar i drejtur nga trajneri vlonjat fiton kupën e parë dhe vetëm deri tani për evendet ndërkombëtare, si ishte Kupa e Promocionit (për vendet e vogla). Në vitin 2012 është përsëri trajner i ekipit kombëtar dhe drejton skuadrën në fazën e dytë në Kampionatin Evropian.

Medalja e munguar për Petrit Stefën  

Një muaj më parë, më saktë në 20 nëntor 2020 Petrit Stefa mbushi 75 vjeç.Duke kërkuar për të mësuar dikça më shumë për vlerësimet që ka marrë kuptuam qartë se kësaj figure me kaq shkëlqim i mungon një vlerësim i nivelit të duhur nga qyteti tij i Vlorës. Gjithsesi në podin e vlerësimeve ndër vite ai është lauruar me titujt “Mjeshtër Sporti “, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtëri Madh” në shkurt 2012 dhe “Medalje Meritës “ në dhjetor 2014. Këtë vlerësim të bërë për 25 figurat më të shquara të sportit shqiptar, vetë Petrit Stefa e vlerëson si të veçantë në dimension dhe në vlerat e saj. Dhe të gjitha këto janë vlerësime shumë të merituara për një jetë të lidhur fort me sportin e baskebollit si sportist dhe trajner. Nuk janë pak 50 vjet të përkushtuar për sportin e një qyteti, si është rasti i legjendës të gjallë Petrit Stefa. Punë, pasion, vështirësi, zhgënjime dhe suksese, që së bashku formojnë kornizën e një karrierë gjysëm shekullore, e cila ka bërë sfidë në çdo kohë. E megjithë atë për “floririn” e basketbollit vlonjat askush nuk është kujtuar në Vlorë për ta konvertuar vlerën e tij për aq sa i takon.”Profesori ‘ pankinës të basketbollit, që është gëzuar sa herë sukseset e “Ferrarit të Vlorës”, me modestinë që e karakterizon ka pritur ashtu në heshtje, që dikush atje në pushtetin vendor të Vlorës, të kujtohet për të vlerësuar me atë që i takon punën dhe vlerat e tij shumë vjeçare në shërbim të sportit. Edhe pse titujt dhe trofet janë të shumta, nuk do të teprohej që së bashku me to të “prehej’ edhe një medalje që ai e ka merituar plotësisht me kohë. Trofet, titujt kampion dhe kupat e fituara janë dëshmi të qarta për të vlerësur dhe nderuar, ashtu si e meriton Petrit Stefën.

Skeda Petrit Stefa

Lindur: në Vlorë më 20 nëntor 1945

Karriera si sportist: në vitet 1959- 1963 ekipit baskebollit të rinjve të ‘Flamurtarit’ dhe ‘Studentin’ në vitet 1963-1964.

Karrera si trajner: Në vitin 1972 -1992 ekipi basketbollit femra të “Flamurtarit” në vitet 1992-1994 ekipi femrave ‘Skeria” Korfuz, në vitet 1999-2000 ekipi meshkujve ‘Erithros –Stavros” –Athinë, në vitet 2003-2004 ekipi ‘Luftëtari’-Gjirokastër, dhe 2004 -2005 ekipi meshkujve të “Flamurtarit”. Në vitet 1978, 1983, 1987, 1989, 1990, 1991, 2002 dhe 2012 trajner ekipeve kombëtare të reja dhe të rrituara.

Trofe të fituara: 25 trofe gjithësejt 7 tituj kampion, dhe 5 Kupa Republike, dhe 9 Kupa të Federatës dhe festave zyrtare me “Flamurtarin”, 1 titull kampion, 1 Kupë Republik edhe 1 Superkupë me “Luftëtarin’ dhe 1 Kupë Evropiane Promocionit në 2002 me ekipin kombëtar.

Vlerësimet: “Mjeshtër Sporti”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtëri Madh” në shkurt 2012 dhe “Medalje Meritës” në dhjetor 2014.