Hyqmet Zane: Rezoluta për Çamërinë si lojë e politikës dhe turp për ata që heshtin

142
Sigal

Lojrat e politikës në Shqipëri me të vërtetat historike kanë pasur përfundime fatale në dëm të interesave kombëtare. Nëse shtete dhe kombe të qytetëruar ruajnë me fanatizëm dhe kërkojnë  me fanatizëm zgjidhje të problemeve, në Shqipëri problemet me interes kombëtar ose harrohen, ose fetishohen, ose tjetërsohen, ose gjymtohen, ose shantazhohen ata që i kërkojnë ato. Kjo ka ndodhur me problemin çam, me trajtimin e tyre dhe konkretisht me Rezolutën për Çamërinë që u trajtua si një copë letër edhe pse ka marrë çertifikim parlamentar.

Koha është flori, thotë një fjalë e urtë popullore, ndoshta kjo mund të jetë një thënie që i përket çdo populli në këtë rruzull. Thellësia e këtyre tre fjalëve është një filozofi e tërë për të përcaktuar qëndrimet dhe veprimet në kohën e duhur për problemin e duhur në vendin e duhur. Kanë shkuar një e nga një rreth 60 vjet që në sfondin personal kam dëgjuar shumë e shumë biseda për çështjen çame dhe nga vëmendja e ngulitur në kujtesën time, u shkruajtën mendimet se popullata çame në Shqipëri është më e diskriminuara dhe më e parë ndryshe nga sistemi diktatorial, por në një farë forme edhe në këto vitet e tranzicionit demokratik.

Opinionet negative i kemi vuajtur në masën më të madhe të mundshme dhe i kemi përjetuar keqas sa shpesh vemë veten në dyshim se çfarë kishim diçka të veçantë, që nuk e kishin të tjerët. Megjithëse nuk shikoja asgjë ndryshe, kuptoja se ndryshe ishte orientimi i partisë në pushtet në diktaturë që si një atavizëm i padobishëm u trashëgua edhe në këtë periudhë që po zbatohet “revolucioni i vonuar demokratik” i një akademiku me këndvështrim aspak demokratik, megjithëse vit pas viti ka pasur një ndërgjegjësim të dukshëm pozitiv. Por, ajo që nuk po përparon dhe që është ngërç për t’u habitur është fakti se problemi i shqiptarëve të Çamërisë për zgjidhjen e çështjes çame, ka mbetur si të pajtohemi me qëndrimet e Athinës zyrtare ndaj problemit çam.

Gjithë problemi është tek gjetja e modaliteteve për respektimin e pikave të Rezolutës për çështjen çame ku janë të sanksionuara avantazhet dhe mundësitë që duhen përparuar në këtë drejtim. Por heshtja dhe mosvëmendja, indiferenca shtetërore dhe e Shoqatës Çamëria ndaj kësaj çështjeje bën që të mendosh se në këtë mënyrë më shumë i intereson Greqisë dhe filave të saj se sa mund të ketë ndonjëherë favor pala jonë. U duk si interesim i mirë i deputetëve me origjinë çame në parlamentin shqiptar nën siglën PDIU, por koha tregoi se ishte një mashtrim i papranueshëm nga anëtarësia e Shoqatës Çamëria që mendonin me sinqeritet në angazhimet e tyre dhe sot nuk dihet se si mund të justifikohen.

Pyetja që shtrohet shpesh nga çamët, e kam fjalën për ata që janë në origjinë çam, çfarë e pengon të mos flitet më dhe për mosndërkombëtarizimin e Rezolutës për Çamërinë? Cilat janë arsyet që nuk respektohen afatet e trajtesave të atyre që janë pika të saj që në fund të fundit janë detyrim për Parlamentin Shqiptar, nëse vërtet ajo Rezolutë ka marrë fuqi ligjore dhe është dokumenti bazë mbi të cilën do të operohet në të ardhmen.

Afatet e përcaktuara në këtë Rezolutë duket se kanë qenë një lloj symbyllje sa për të shkuar rradhën e sa për të thënë se në realitet asgjë nuk po funksionon. Haptaz mund të thuhet se kjo Rezolutë ishte sa për të thënë se ja kemi një dokument që do të kishte fuqi për t’i hedhur hi syve çamëve.

Kjo Rezolutë u kërkua me një ngjarje dhe përgjakje të çamëve që protestuan para Parlamentit që të miratohej me ndikimin e Shoqatës Çamëria të kohës më 2004 me asistencë juridike të zotërinjve Agim Tartari, Rustem Gjata dhe Ledio Bianki. Objeksioni ishte që ajo të shërbente si orientim bilateral mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe më tej akoma të ishte një mundësi për ndërkombëtarizimin e saj në organizmat euroamerikane. Me plot gojën duhet thënë se ajo as njërën as tjetrën objeksion nuk e ka realizuar. Ajo Rezolutë nuk ishte një interes i një partie që padrejtësisht abuzon në emër të çamëve, por një interes mbarëkombëtar për shqiptarët e Çamërisë dhe më gjerë për t’i shërbyer edhe paqëtimit dhe kërkesave diplomatike për t’u marrë vesh me Greqinë, si shkaktare e pasojave që pësuan shqiptarët e Çamërisë nga bandat proqeveritare greke para rreth 79 vjetësh.

Sheshit po duket qartë se diplomacia shqiptare është jo vetëm anemike dhe pa gjak, por edhe neglizhente, duke u kthyer në një diplomaci sportive që shfaqet kur ka një ndeshje futbolli dhe nuk ka një mision kombëtar të sanksionuar në një strategji e taktikë në shërbim të një çështjeje që po duron shumë, po sabotohet shumë, po mashtrohet shumë. Kjo më ngjason me atë ndjesinë që mbolli goja e ligë e diktaturës për çamët që i denigoi deri në absurditet. Tashmë kjo lloj logjike e mbrapshtë po përdoret jo si në diktaturë, por me një veshje tjetër, në emër të marrëdhënieve bilaterale, të fqinjësisë së mirë etj. Si këto që duken kaq të papranueshme sa është e prapranueshme që në politikën dhe diplomacinë tonë të diktojnë segmentet greke që në një formë a në një tjetër kanë ushtruar një trysni të madhe në politikën dhe diplomacinë shqiptare.

Fshehja reale dhe me siguri edhe asgjësimi i Rezolutës për Çamërinë është një fatkeqësi që këmbanën do ia dëgjojmë jo vonë, por shumë shpejt, sepse, nëse grekët dhe grekomanët së bashku me grekofilët punojnë pa pushim se kanë një Magaloidhe të shkruar që duhet zbatuar,s hteti shqiptar, sidomos Akademia e Shkencave, e më tej akoma edhe qeverisja e vendit duket sikur u bëjnë fresk palës antishqiptare. Asnjëherë nga askush nuk kemi dëgjuar nga pala shqiptare, nga qeveritarë dhe shtetarë në raportet bilaterale me Greqinë, a thua se nuk kemi eksperiencë të sjelljes diplomatike apo ka një lloj tolerance në dëm të interesave kombëtare. Sidoqë të jetë Rezoluta çame duhet të jetë një busull orientuese jo vetëm për deputetët që mbajnë siglën “çamë”, por për të gjithë komisionin e jashtëm dhe të ligjeve, ashtu si edhe për çdo deputet që është i angazhuar jo thjesht për politikë, por për t’i shërbyer interesave kombëtare.

Dhe në fund dua të pyes se ku është Rezoluta? Ku ka përfunduar fati i saj? Se që është e shkruar, këtë e kam lexuar, por cili është fati real i zbatimit të kësaj Rezolute, se më duket sikur edhe në këtë pikë jemi të vonuar. E vonuar Shqipëria në fitoren e Pavarësisë nga Perandoria Osmane, e vonuar Shqipëria për t’u konsoliduar pas Luftës II Botërore, e vonuar në përmbysjen e diktaturës dhe fitoren e demokracisë, por edhe ne çamët jemi të vonuar në implementimin e vlerave për të arritur interesat imediate në marrëdhëniet me qeverisjen dhe më tej akoma me shtetin grek për problemin tashmë të mbetur në errësisë për 79 vjet.

Gjithkush duhet ta dijë se brenda asaj Rezolute, gjenden interesat dhe aspiratat e një popullate që u shpërngul me zjarr dhe me hekur nga trojet e veta etnike. Ajo Rezolutë është shkruar me gjakun e rreth tre mijë të vrarëve, pleq dhe plaka, burra dhe gra, fëmijë dhe foshnje në barkun e nënës të cilët i vrau dora gjakatare e pabesisë greke. Nuk duhet të harrojmë se brenda asaj Rezolute gjenden ofshamat e rreth tre mijë viktimave të tjera që vdiqën në rrugëtimin drejt Shqipërisë dhe që po përkujtohen në memorialin e varrezave të Kllogjerit. Rezoluta Çame është frut i vuajtjeve, poshtërimeve, pushkatimeve dhe internimeve të dhjetra familjeve çame, që ju desh të përballeshin me një “Armik” brenda Shqipërisë. Rezoluta për Çamërinë është rezoluta e etërve dhe bijve çamë që në këto vitet e tranzicionit demokratik luftuan për ngritjen e Shoqatës Patriotike Çamëria, për mbajtjen ndezur të vatrës së ndërgjegjësimit të problemit të madh që solli më pas formacionin politik të përfaqësimit në parlamentin shqiptar. Kjo është një Rezolutë gjaku dhe dhimbjeje që kërkon shpagim për një të ardhme paqësore.

Kalimet nga e djathta në të majtë të orientimit të çamëve në politikën shqiptare dhe heshtja për probleme të tilla si rezoluta, janë haptas shërbimi më i mirë që i bëhet interesave të politikës greke që popullata çame të mos kërkojë të drejtat e veta. Prandaj vjen kryeministri i Greqisë për të helenizuar Himarën dhe nuk ka gojë as zemër, as mëndje kryeministri i Shqipërisë të kërkojë të vizitojë një herë Çamërinë dhe t’u kërkojë grekëve njohjen e rezolutës dhe kërkesave të saj.