Dr. Luljeta Kodra
Zv Dekane për Kërkimin Shkencor
Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
“Siguria njerëzore promovohet në shoqëri, duke filluar nga nevojat themelore të njerëzve, nga problemet e sigurisë personale, varfërisë, diskriminimit, drejtësisë sociale dhe demokracisë.”

Koncepti i sigurisë njerëzore është vijim i përpjekjeve për të zgjeruar konceptet tradicionale të sigurisë, që përfshijnë sigurinë globale, shtetërore, shoqërore. Koncepti i sigurisë njerëzore, jo vetëm në vendin tone, por edhe më gjerë, është një koncept i trajtuar jo plotësisht, si në strategjitë dhe dokumentat e sektorit të sigurisë, ashtu edhe në dialogun publik. Arsyeja për këtë mund të jetë jo vetëm koha relativisht e shkurtër e trajtimit të këtij koncepti, por edhe mënyrat jo të mjaftueshme të përfaqësimit të interesave të individit të thjeshtë përballë interesave të mëdha shtetërore. Trajtimi i këtij koncepti mundëson kuptimin e idesë se siguria njerëzore është pjesë përbërëse e sigurisë së përgjithshme dhe, në fund të fundit, siguria e përgjithshme ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e individit.
Zhvillimi i përgjithshëm shoqëror e njerëzor nuk mund të arrihet dhe të zerë rrënjë pa siguri. Por është gjithashtu e vërtetë se siguria nuk ekziston atje ku njerëzit nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, ujë të pastër, apo kushte mjekësore të nevojshme për të mbijetuar. Siguria nuk ekziston atje ku fëmijët nuk mund të aspirojnë për arsim të mirë, apo një punë që mbështet një familje. Mungesa e shpresës mund ta shkatërrojë nga brenda një shoqëri.
Konceptet tradicionale të sigurisë kombëtare, duke u fokusuar në ҫështjet e sigurisë territoriale shtetërore, përgjithësisht nuk analizojnë shumë faktorë të rrezikut, kërcënimit ose ndryshimeve të papritura në jetën e përditshme të njerëzve, të shkaktuara nga pasiguri të tjera si varfëria, rreziqet mjedisore, sëmundjet epidemike globale, fatkeqësitë natyrore, dhuna me bazë gjinore etj. Të gjithë këto elemente të kërcënimit që prekin të drejtat dhedinjitetin e njerëzve, zakonisht nuk janë konsideruar si rreziqe të cilat mund të lidhen me sigurinë dhe të cilat shteti ka detyrimin për t’i parandaluar ose përmirësuar. Kërcënime të tilla shpesh bëhen të padukshme në debatin publik që përgjithësisht përqendrohet në shqetësime “madhore”për sigurinë kombëtare të shtetit, ose për sigurinë publike, në lidhje me luftimin e krimit apo konfliktet e dhunshme, të cilat janë qartësisht të dukshme.
“Sot, në vendet e zhvilluara perëndimore siguria njerëzore kërcënohet nga terrorizmi, droga, sëmundja SIDA, nga emigracioni klandestin etj. Sa më i dobët të jetë shteti, aq më e koklavitur, e përafërt dhe e ndërvarur është siguria njerëzore nga siguria shtetërore dhe aq më tepër zhvlerësohet jeta e njeriut.”

Siguria njerëzore po vlerësohet gjithnjë e më tepër, veçanërisht nga shtetet perëndimore. Edukimi në fushën e të drejtave të njeriut siguron në njëfarë mënyre realizimin e sigurisë njerëzore, sepse i orienton njerëzit që sigurinë e tyre ta kërkojnë para së gjithash në sistemin e vlerave të përgjithshme globale, duke lidhur kështu sigurinë e tyre me sigurinë e madhe botërore. Siguria njerëzore promovohet në shoqëri, duke filluar nga nevojat themelore të njerëzve, nga problemet e sigurisë personale, varfërisë, diskriminimit, drejtësisë sociale dhe demokracisë.
Siguria njerëzore në thelb është përpjekje për ndërtimin e shoqërisë globale, ku siguria e individit është në qendër të prioriteteve ndërkombëtare, ku standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë ndërtuar në funksion të mbrojtjes së individit.
Bota asnjëherë nuk do të jetë në paqe, nëse njerëzit nuk gëzojnë sigurinë njerëzore në jetën e tyre të përditshme.
Siguria njerëzore është një koncept i ri, i dalë si rezultat i nevojës për të përmirësuar dobësitë e sigurisë së përgjithshme. Përkrahësit e sigurisë njerëzore kërkojnë të sfidojnë nocionin tradicional të sigurisë kombëtare, duke argumentuar se referenti i duhur për siguri duhet të jetë individi dhe jo shteti. Fokusi i sigurisë njerëzore është vendosja e individit në qendër të sigurisë, si nevojë për stabilitetin kombëtar, rajonal dhe global.
Kushtet historike kur doli ky koncept kanë qenë ato të pas Luftës së Ftohtë. Koncepti i sigurisë njerëzore fillimisht është trajtuar nga OKB-ja, në vitin 1994, në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, Raporti i Zhvillimit Njerëzor.
Arsye e rëndësishme, e cila favorizon zhvillimin dhe zgjerimin e konceptit të sigurisë njerëzore, është preokupimi për sigurinë e brezave që do të vijnë dhe burimet që do të kenë ata në dispozicion. Historikisht njerëzimi ka menduar dhe është shqetësuar për pasardhësit e tij, po aq sa edhe për veten. Ky shqetësim ka prirjen të përqëndrohet sa më afër, te siguria dhe mirëqenia e familjes dhe e ardhmja e sigurt e fëmijëve. Sa më shumë janë zhvilluar shoqëritë njerëzore dhe kultura e njerëzimit në përgjithësi, aq më tepër i është kushtuar rëndësi të ardhmes së sigurt të pasardhësve.
“Ndryshimi i fokusit të sigurisë nga shteti tek individi, mundëson edhe trajtimin e problematikave midis sigurisë shtetërore dhe asaj njerëzore, e cila ka qenë historikisht e rrezikuar nga vetë shteti. Koncepti i sigurisë njerëzore synon të provojë se siguria shtetërore nuk i përgjigjet në mënyrën e duhur sigurisë së individit nga dhuna brenda shteteve”
OKB-ja, në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, synonte të ndryshonte konceptin e sigurisë, duke mos e interpretuar atë thjesht si siguri territoriale, kombëtare, apo globale, por duke e zgjeruar me fokus sigurinë njerëzore, duke përfshirë shtatë komponentë të saj:
- siguria ekonomike,
- ushqimore,
- shëndetësore,
- të mjedisit,
- personale,
- komunitare,
Ndryshimi i fokusit të sigurisë nga shteti tek individi, mundëson edhe trajtimin e problematikave midis sigurisë shtetërore dhe asaj njerëzore, e cila ka qenë historikisht e rrezikuar nga vetë shteti. Koncepti i sigurisë njerëzore synon të provojë se siguria shtetërore nuk i përgjigjet në mënyrën e duhur sigurisë së individit nga dhuna brenda shteteve. Prirja është që siguria të anojë gjithnjë e më tepër nga individi se sa nga shteti.
Me vlera në këtë drejtim, në vijim të punës së nisur në vitin 1994 dhe më tej në vitin 2005, është Rezoluta 66/290, e datës 25 tetor 2012, e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Rezoluta vlerëson se zhvillimi, të drejtat e njeriut dhe paqja e siguria janë tre shtylla në të cilat mbështeten Kombet e Bashkuara.
Sipas kësaj Rezolute, nocioni i sigurisë njerëzore ndër të tjera vlerëson se:
Njerëzit kanë të drejtën për të jetuar të lirë dhe me dinjitet, të lirë nga varfëria dhe dëshpërimi. Të gjithë individët, kanë të drejtën e lirisë nga frika dhe lirisë nga varfëria, të mundësive të barabarta për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre dhe për të zhvilluar plotësisht potencialin e tyre njerëzor.
Qeveritë kanë rolin dhe përgjegjësinë kryesore për të siguruar mbijetesën, mirëqenien dhe dinjitetin e shtetasve të tyre. Roli i komunitetit ndërkombëtar është që të sigurojë mbështetjen e nevojshme për qeveritë, me kërkesën e tyre, për të forcuar kapacitetin e tyre për t’iu përgjigjur kërcënimeve. Siguria njerëzore kërkon bashkëpunim dhe partneritet më të madh ndërmjet qeverive, organizatave rajonale e ndërkombëtare, si dhe shoqërisë civile.

Taylor Oëen, një nga studiuesit e konceptit të sigurisë njerëzore, propozon si përkufizim të sigurisë njerëzore: “Mbrojtjen e thelbit jetik të gjithë jetës njerëzore nga kërcënimet kritike dhe të gjera mjedisore, ekonomike, ushqimore, shëndetësore, personale dhe politike”.
Oëen pranon se nuk ka një listë të përcaktuar se cilat janë kërcënime tradicionale të sigurisë, sepse ato mund të jenë të ndryshme për kombe dhe rajone të ndryshme. Ai thekson se përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë njerëzore duhet të bjerë mbi qeveritë kombëtare. Nëse kërcënimet shkaktohen nga qeveritë ose nëse qeveritë nuk janë në gjendje për të mbrojtur qytetarët e tyre, atëhere bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë.
Studiues të ndryshëm, trajtojnë dy aspekte kryesore të sigurisë njerëzore:
Aspekti i parë, i cili përkufizohet si “liri nga varfëria”, “freedom from want” – fokusohet te siguria individuale për nevojat bazë njerëzore, të fushës ekonomike, shëndetësore, ushqimore, shoqërore dhe mjedisore.
Aspekti i dytë, i cili përkufizohet si “liri nga frika”, “freedom from fear” – fokusohet tek siguria individuale ndaj përdorimit, ose kërcënimit për përdorimin e dhunës dhe forcës.
Në thelb,”liria nga frika” si pjesë përbërëse e sigurisë njerëzore ka të bëjë me të drejtën e individit për t’u mbrojtur prej dhunës së ushtruar ndaj tij nga faktorë të ndryshëm, qoftë edhe nga qeveria e tij. Liria nga frika në përgjithësi është e lidhur me traditën e të drejtave të njeriut, “e cila e sheh shtetin si problemin dhe burimin e kërcënimeve ndaj sigurisë individuale.”
Liria nga frika, si njëri nga aspektet e sigurisë njerëzore plotëson sigurinë shtetërore dhe i qëndron shumë pranë asaj. Në fund të fundit, siguria shtetërore dhe garantimi i mbrojtjes së shtetit, në mënyrë indirekte garanton edhe mbrojtjen e individëve, që jetojnë në atë shtet. Por siguria shtetërore nuk ka prioritet rreziqet e brendshme që iu kanosen individëve. Në këtë aspekt siguria njerëzore që përfshin sigurinë e njerëzve brenda shtetit zgjeron konceptin e sigurisë dhe kështu të dy konceptet plotësojnë njëri-tjetrin.
Kërcënimet ndaj sigurisë njerëzore vijnë në forma dhe madhësi të ndryshme. Për shembull, siguria njerëzore është e kërcënuar jo vetëm nga konfliktet e dhunshme, por edhe nga uria, mungesa ekstreme e kushteve të jetesës, plakja e popullsisë botërore, degradimi i burimeve natyrore, krizat mjedisore etj. Varfëria, ashtu si edhe shtypja politike përbëjnë kërcënime reale për sigurinë. Për të shmangur kërcënime të tilla për sigurinë njerëzore nuk është e mjaftueshme vetëm mbrojtja e individit nga agresioni ushtarak ose veprime të kryera ndaj tij nga qeveria e vet. Për të lehtësuar këto kërcënime të sigurisë, të quajtura si “liri nga varfëria”, nevojiten masa të tjera në një nivel sa më të gjerë global dhe gjithnjë me fokus individin.
Kombet e Bashkuara, gjithnjë e më tepër po analizojnë dhe konsiderojnë si kërcënime serioze për sigurinë ndërkombëtare: varfërinë, sëmundjet infektive, degradimin e mjedisit, konfliktet brenda shteteve, prodhimin dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, terrorizmin dhe krimin e organizuar.
Sipas Anan, ish sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara “Kombet e Bashkuara si organizata kryesore politike me karakter universal e botës me një mandat për të adresuar çështjet e sigurisë, të zhvillimit dhe të drejtave të njeriut, mbajnë një peshë të veçantë në realizimin e sigurisë njerëzore, thënë ndryshe: lirisë nga frika, lirisë nga skamja, dhe lirisë për të jetuar me dinjitet”.
Sot, në vendet e zhvilluara perëndimore siguria njerëzore kërcënohet nga terrorizmi, droga, sëmundja SIDA, nga emigracioni klandestin etj. Sa më i dobët të jetë shteti, aq më e koklavitur, e përafërt dhe e ndërvarur është siguria njerëzore nga siguria shtetërore dhe aq më tepër zhvlerësohet jeta e njeriut. Në vendin tonë nuk janë ato rreziqe dhe kërcënime individuale dhe shtetërore, që mund të jenë në SHBA apo në ndonjë shtet të përparuar europian. Në këtë kuadër e rëndësishme është jo vetëm përcaktimi dhe vlerësimi i rreziqeve dhe kërcënimeve tona njerëzore, por edhe vlerësimi se sa ndikojnë këto rreziqe dhe kërcënime në sigurinë tonë kombëtare.




















