Moisi Dalipi: Kapiteni me zemrën “bardhëeblu” Krenar Alimehmeti

726
Sigal

 

Krenar Alimehmeti, kapiteni me zemrën “bardheblu”

Nga  Moisi DALIPI

Sa herë që skuadra e zemrës zhvillon ndeshje në fushën e saj, diku në  shkallët e stadiumit ulet dhe ndjek atë në shoqërinë dy fëmijëve të tij, djalit Rajan dhe vajzës Keid, ish-futbollisti dhe kapiteni Tiranës i njohuri Krenar Alimehmeti.Të veshur të tre me fanellat bardheblu, sepse siç e thotë dhe vetë  Krenari,  kjo fanellë, është bërë  pjesë e familjes Alimehmeti  për më shumë se gjysëm  shekulli më parë, kur babai i vet ishte një tifoz i thekur i futbollit tiranas, kur qitësi Gëzim Alimehmeti, gjyqtari i basketbollit Flamur Alimehmeti apo çiklisi dhe më vonë gazetari sportiv i sukseshëm Bedri Alimehmeti, bënin pjesë në familjen e madhe sportive të Tiranës. Por e veçanta qëndron dhe në faktin tjetër shumë  domethënës, sepse të dy fëmijët  kanë një njohje të admirueshme të klubit të futbollit të Tiranës. Të dy janë aq të apasionuar ndaj futbollit, saqë tani  ndoshta e kanë mësuar, se babai tyre ka një karrierë  shumëvjeçare të sukseshme, madje dhe kapiten me Tiranën. Dhe për Krenar Alimehmetin  dashuria për futbollin nis që në moshën kur ishte fëmijë, duke luajtur futboll në sheshet dhe rrugicat  e lagjes së  vjetër të  tij, diku poshtë rrugës “Fortuzi”, dhe tek ajo fushë përballë   shkollës “Harry Fullz”. Nga  rrugicat e  kësaj lagjeje  kanë dalë  dhe futbollistë të tjerë cilësorë që kanë përfaqësuar denjësisht  futbollin “bardheblu” të  kryeqytetit si: Agustin Kola, Skënder Hodja, Florian Riza, Luan Metani dhe Indrit Fortuzi. Por si shumë të tjerë dhe Krenar Alimehmeti edhe pse e dashuron  fort futbollin, fillimet e tij në sport do t’i ketë me basktebollin në fushën e shkollës pranë gjimnazit “Partizani”. Por syrit të një specialisti si: Skënder Halilit nuk mund t’i shpëtonte ky djalosh me atë trup të formuar  që dallohej shumë nga shokët e tjerë. Rekomandimi për talentin 13 –vjeçar, Krenar Alimehmeti, do ishte për trajnerët e ekipeve të moshave  Resul Ahmeti  dhe Sami Shuapi. Dy vite më vonë në moshën 15 vjeccare pinjolli i familjes sportive  Alimehmeti, do jetë  pjesë e ekipit të rinjve të “17 Nëntorit”, që  në ato  vite drejtohej nga Ilir Muca  dhe Haxhi Arbana. I saktë në çdo veprim, tepër deciziv në ndërhyrjet e tij, mbrojtësi  Alimehmeti  prezantonte me shumë  talent të ardhmen e vet, në planet e trajnerëve të ekipit të  parë të  Enver Shehut dhe Ali Memës. Dhe rritja  sportive fillon dhe piketohet me kalimin e tij  tek ekipi “Shpresa”, si  pjesë e klubit  të  Tiranës. Ndeshja e tij e parë si titullar me fanellën  “bardheblu” do jetë në janar të 1984  kur ishte vetëm 18 vjeç, në atë ndeshje për Kupën  në Peshkopi, ajo midis “Korabit” dhe  “17 Nëntorit”. Një prezantim  shumë dinjitoz për mbrojtësin  Krenar Alimehmeti, që gjatë  gjithë kohës kishte  mbuluar nga afër sulmuesin e shpejtë  dibran Shpëtim Toskën. Kaq është dashur që trajneri  Enver Shehu, si një ‘usta’ i vërtetë i talenteve t’i japë  këtij mbrojtësi vendin që i takon, në  rradhët e asaj skuadre “bardheblu”, që rivalizonte  fort dhe fitonte tituj kampion dhe kupa  në përballjet me “Partizanin”, “Dinamon”,”Vllazninë ” dhe “Flamurtarin”. Dhe ajo skuadër klasike  me lojtarë  të tillë si Mersini, Sharra, Baci, Hodja, Omuri, Josa, Lekbello, Liti, Ramadani, Muca, Mema, Stoja, Bimo, Minga, Kola dhe të tjerë ishte modeli i futbollit shqiptar, ku diku, midis  këtyre emrave  qëndronte dhe  djaloshi ri,  Krenar Alimehmeti. Dhe nga modeli  këtyre futbollistëve ai mori motivim  që shumë shpejt të  kthehej në një lider të  vërtetë për skuadrën e tij “bardheblu”. Si mbrojtës anësor, ose i vendosur diku në qendër të saj, Krenari  për çdo ndeshje do merrte detyrën për të mbuluar nga afër sulmuesin më  të rrezikshëm të skuadrës kundërshtare. Nuk ishte një detyrë e lehtë kjo, kur gjatë gjithë ndeshjes do bëje mirë rolin “bodigardit” ndaj  sulmuesve të tipit të  tillë si: Shehu, Millo, Çobani, Fortuzi, Bejzade, Kushta, Bubeqi, Vukatana, Martini, Sinani,  dhe shumë e shumë të tjerë. Ndaj çdo njerit prej tyre duhej përqëndrim i madh, për t’i mos lejuar këta “gjahtarë” të golit të shënonin gol tek porta e tij. Dyluftimet ajore, mbulim  i rreptë  në çdo sektor të fushës ishin pjesë e veprimeve të tij. Gjithë sesi, pas çdo ndeshjeje, Krenar Alimehmeti,  do të ndahej  si një mik  i mirë me çdo sulmues,  edhe pse  në fushën e lojës ka qëndruar fort për gjithçka kundër tij.Shoqëria sportive e tillë është, ndaj dhe sot Krenari mban  shoqëri dhe miqësi me shumë prej atyre që në ato vite  kanë qenë të kundërt në veprime gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Në harkun e katër  viteve me ekipin “bardheblu”, nën drejtimin e trajnerit Enver Shehu, mbrojësi energjik Krenar Alimehmeti do t’i gëzohej bashkë me shokët e skuadrës fitimit të tre titujve kampion në sezonet 1984-1985, 1987-1988  dhe 1988-1989, si dhe fitimit të Kupës të Republikës në vitin 1986, nën drejtim të  trajnerit të njohur  Shyqyri  Rreli ish “17 Nëntori”, ose sot “Tirana”, bëhen një skuadër shumë e fortë dhe tëpër konkuruese. Titujt rresht si  nënkampion, por dhe shumë herë finalistë  të  Kupës. Në pjesmarrjet për Kupat e Europës, “bardheblutë ” e kryeqytetit, pasi kishin lënë pas ato ndeshje të bukura për Kupën U.E.F.A  në vitin 1987, kur kalonin “Dinamon” e Bukureshtit dhe  turin e dytë eleminoheshin  nga Malmoe–Suedi, në sezonet 1988-1989 dhe 1989-1990,  vazhdojnë  traditën e mirë në  eventin e Europa-Champions, ku eleminoheshin në turet e dyta nga ekipe të më dhenj si: Goteborg  dhe Bajer-Mynih. Në këto ndeshje mbrojtësi Krenar Alimehmeti  lë mbresa të admirushme, duke i detyruar drejtuesit e ekipit kombëtar ta bëjnë  pjesë të ekipit kombëtar. Por kjo ndodh vetëm për një ndeshje, atë të 19 Tetorit 1989,  kur Shqipëria  humbiste me rezultatin 1-0  në qytetin  Katovic kundër Polonisë. Përse  nuk u bë përsëri pjesë e ekipit  kuqezi, kjo është një pyetje e mbetur ende pa përgjigje. Me fillimin e lëvizjeve të futbollistëve  shqiptarë   jashtë  vendit në  klube të tjera futbolli, në vitin 1991 Krenar Alimehmeti,  sëbashku me shokun e vet  Florian Riza, do aktivizohen për një sezon në Superligën  turke me skuadrën “Adanademirsport” dhe  më  vonë ai do vazhdojë për dy sezone tek “Gelcibiriligi” e Ankarasë  dhe mbyll aventurën në futbollin turk në Maj 1995 me skuadrën “Altay” të Izmirit. Është 29 vjeç dhe rikthehet të luajë   përsëri futboll tek skuadra e zemrës së  tij,  ‘bardheblu”, tek Tirana. Aty gjen  miqtë  e vjetër  Minga, Kola, Nallbani, Fortuzi, Bulku, Dede, Gallo, Malko, Sina, Merkoci e Dabulla. Trajnerët që kanë drejtuar Tiranën në ato vite, Sul Mema  dhe Millan Baci,  do t’i besonin  mbrojtësit  Krenar Alimehmeti,  jo vetëm motivimin e skuadrës, por dhe shiritin e kapitenit. Dhe në korsinë  e viteve 1995-2002  Tirana  do jetë fituese dhe  4 titujve të tjerë kampion, 4 kupave të Republikës  si dhe 2 Superkupave. Në  nostalgjinë    që japin këto momente, si një kapiten që ka ngritur lart trofetë  e fituara, kapiteni Alimehmeti kujton  sezonin 1998-1999  me president Lutfi Nurin, kur për herë të parë në historinë e tyre “bardheblutë ” e kryeqytetit  fitonin  kupë dhe kampionat. Në fund  të sezonit 2002 në moshën 36 vjeçare, kur fiton dhe  kupë n e Republikës, kapiteni Krenar Alimehmeti  do t’i  jepte lamtumirën  futbollit me këtë bilanc tek Tirana  e tij e dashur:  me 508 ndeshje  të zhvilluara, me  7 tituj kampion , 5 kupa dhe 2 Superkupa të fituara  dhe 14 ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Europës dhe Ballkanike. Dhe pas kësaj, kapiten Krenar Alimehmeti  i  mbeti përsëri  besnik  skuadrës së  zemrës, Tiranës. Ai ka punuar për shumë vite si ndihmëstrajner me Emir Haxhibuliçin, Fatmir Frashërin, Sul Memën  dhe hungarezin Temeshvari. I thjeshtë, këmbëngulës dhe shumë punëtor, më vonë do të provojë  të drejtojë në sezonet  2007-2008  dhe  atë 2010  Elbasanin, diku në 2013, do të jetë dhe në detyrën e administratorit  në klubin “bardheblu”  dhe më vonë si trajner tek Tirana B. Në këto këto dy -tre vitet e fundit punon me moshat, duke iu mësuar  futbollin  fëmijëve. Aty, në atë pjesë të fushës së  gjelbër ai stërvit  çdo ditë dhe të birin Rajanin, që me sa duket do ketë të ardhme në futboll si babai vet, Krenar Alimehmeti, duke synuar dhe ai për t’u bërë  futbollist  me zemër “bardheblu”.