Rritja e vdekshmërisë foshnjore në 10.3 %, tregon se politikat e ministrisë së shëndetësisë janë të gabuara

288
Sigal

Rritet vdekshmëria foshnjore, tregues i politikave të gabuara publike

 Në cepin e një publikimi të Institutit të Statistikave bëhet e ditur se në vitin 2019 vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është rritur, një trend i pazakontë dhe tregues hapave të hedhura në drejtimin e gabuar në zhvillimin shoqëror. Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri arriti në 10,3 për mijë lindje të gjalla në vitin 2019 duke u rritur në mënyrë dramatike nga 8,9 për mijë që ishte në vitin 2018 apo 7.1 për mijë që ishte në vitin 2015. Në total në vitin 2019 rezultojnë të kenë vdekur 294 foshnja nën 1 vjeç nga 257 në vitin 2018. Të para së bashku, shifrat e vdekshmërisë foshnjore të dekadës së fundit, 2010-2020, tregojnë se rritja e vdekshmërisë foshnjore është në fakt një tendencë dhe jo një ngjarje rastësore. Dhe nëse merren parasysh faktorë të tjerë si niveli i përgjithshëm i lindshmërisë, rritja është akoma më dramatike. Vdekshmëria foshnjore llogaritet si një pjesëtim i thjeshtë i numrit të foshnjave që nuk kanë mbijetuar deri në përvjetorin e parë pas lindjes me numrin e lindjeve totale në një vit të caktuar. Duke qenë se shanset e mbijetesës së një foshnje varen nga një numër faktorësh shëndetësorë, socialë e ekonomikë, vdekshmëria foshnjore shihet si një matës i nivelit të përgjithshëm të zhvillimit të një vendi ndërsa tendenca e këtij treguesi është sugjerues nëse vendi po përmirësohet apo po përkeqësohet. Edhe nëse e sheh si tregues përgjatë 80 viteve të fundit, (shih grafikun), është e lehtë të dallosh se përtej një tendence të përgjithshme rënëse, vdekshmëria foshnjore ka pësuar rritje në periudha të caktuara ku gjendja e përgjithshme e vendit është përkeqësuar. Për shembull, në periudhën menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet në vitin 1945, vdekshmëria foshnjore u rrit nga niveli i frikshëm i 100 për mijë më 1940 në 121 për mijë më 1950. Ose në krizën që pasoi prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1962 apo në krizën e mesit të viteve ’90. Rregulli i përgjithshëm është që kur niveli i lindshmërisë në një vend bie, vdekshmëria foshnjore bie gjithashtu për shkak se familjet dhe kombet kanë më shumë burime ekonomike dhe shëndetësore për të investuar te kujdesi për foshnjat. Problemi është se lindshmëria në Shqipëri është sakaq në nivelet më të ulëta në njëqind vitet e fundit ndërkohë që vdekshmëria foshnjore po rritet. Rritja e vdekshmërisë duket se është një tregues në drejtim të kundërt edhe me rritjen ekonomike të vendit apo ecurinë e shpenzimeve për kujdes shëndetësor. Kështu, ndërsa gjatë shtatë viteve të fundit ekonomia shqiptare zyrtarisht ka vijuar të rritet dhe shpenzimet për kujdes shëndetësor kanë vijuar të rriten, por sërish, vdekshmëria foshnjore është rritur në vend që të ulet. Të dhënat më të fundit të Eurostat mbi vdekshmërinë foshnjore në kontinentin Europian i përkasin vitit 2018 dhe tregojnë se vdekshmëria është 3.5 për mijë mes 27 vendeve anëtare ku më të ulëtin e ka Estonia me 1.6 ndërsa më të lartin e ka Bullgaria në nivelin 5.8. Mes vendeve të rajonit tonë, Maqedonia e ka 5.7 ndërsa Serbia e ka 4.9. Turqia dhe Azerbajxhani kanë vdekshmëri foshnjore më të lartë se Shqipëria, respektivisht 9.3 dhe 11.1 për mijë.