Labëria e merr me humor ndeshjen në stadiumin e përmbytur: I lutemi Zotit për pak diell

239
Sigal

Labëria fitoi 0-2 në një fushë që kishte pamjen e një liqeni në stadiumin e Përmetit të dielën e 28 nëntorit. Klubi që është themeluar vetëm tri vite më parë, ka një organizim model, pasi në faqen zyrtare në internet, transmetohet direkt çdo ndeshje që luan në kampionatin e Kategorisë së Dytë.

Pamjet e fushës së Përmetit bënë xhiron e rrjetit dhe madje, krahas fushës së përmbytur, Labëria në faqen e saj zyrtare reklamoi edhe një gol të anuluar me pa të drejtë, që do ta çonte rezultatin 0-3. Në një bisedë për “Panorama Sport”, është trajneri Arlind Rustemi që rrëfen peripecitë për shkak të fushës, ku u lejua të luhej në mënyrë të çuditshme nga zyrtarët e FSHF-së. Ai thekson se ndeshja nuk duhet të zhvillohej, ndërsa tregon se si arriti t’i karikonte lojtarët në dhomat e zhveshjes para një terreni skandaloz.

TRAJNERI – “Jemi të detyruar të luajmë edhe në situata të tilla si në Përmet. Nuk kemi çfarë të bëjmë! Në gjithë karrierën time mund të them se është hera e parë që lejohet të luhet futboll në një situatë të tillë. Në pjesën e parë fusha dukej mirë, por në pjesën e dytë u shndërrua ashtu. Në fakt, është e njëjta histori dhe e njëjta situatë sa herë që ka reshje shiu, por ishte shumë herë më keq kësaj radhe. Në ato kushte është e vështirë të interpretohet loja e futbollit. Ne, në fakt, vijmë nga një fushë më optimale. Besoj se nuk duhet që të luhej në atë gjendje, por kjo nuk na takonte ne për të vendosur një vendim që të luanim apo jo. Por, për mendimin tim, në pjesën e dytë nuk duhet që të luhej në ato kushte”, ka thënë fillimisht Rustemi.

Ai tregon edhe se çfarë u tha lojtarëve në momentin që arbitri vendosi që takimi të zhvillohej. “E vetmja gjë që kam bërë, kam shkuar në dhomat e zhveshjes dhe u kam thënë futbollistëve: ‘Çuna, nuk ka futboll dhe as taktikë në këto kushte që është fusha. E vetmja gjë që duhet, është ego dhe ambicie për ta fituar ndeshjen dhe jemi të detyruar që të luajmë’. Dhe në fund, fatin e ndeshjes e vendosi pikërisht përgatitja fizike, egoja dhe dëshira për të marrë maksimumin. Edhe vjet kemi pasur dy ndeshje të tilla, njëra prej tyre në Patos, por në fakt jo si kjo në Përmet. Kështu kanë qenë këtë javë edhe Gjirokastra, Këlcyra etj. Në çdo fundjavë jemi të detyruar që të përballemi me situata të tilla, por jemi të detyruar të luajmë, me shpresën që t’i lutemi Zotit të na nxjerrë pak diell”, përfundoi trajneri i skuadrës labe.