Kupa e Shqipërisë, nuk ka probleme për skuadrat e Superiores

540
Sigal

Në Kupë, Skënderbeu nuk tregon mëshirë për Himarën, Vllaznia kualifikohet me vështirësi.

Dje u luajtën edhe ndeshjet e dyta të turit të parë eliminator për Kupën e Shqipërisë dhe ashtu siç pritej, skuadrat e Superiores kaluan më tej, në turin e dytë pa vështirësi. Të gjitha skuadrat e superiores futen në fushë një formacion rezervë, duke dashur të parandalonin lodhjen e futbollistëve dhe ndonjë dëmtim të mundshëm, para ndeshjeve të javës së nëntë në kampionat. Ashtu si edhe në ndeshjen e parë, edhe dje shkëlqeu Skënderbeu duke shënuar përsëri plot 10 gola ndaj Himarës, po aq sa edhe në ndeshjen e parë, rezultat që në total shkon 20-1, diçka aspak normale për një ndeshje futbolli. Partizani nga ana tjetër u duk sikur u kursye ndaj Ilirisë duke shënuar vetëm 2 gola, rezultat që sigurisht nuk linte vend për dyshime sa i përket kualifikimit. Tirana, shumë e qetë nga ndeshja e parë me Sopotin, luajti dje një stërvitore të lehtë dhe në fund arriti të merrte vetëm një barazim 1-1 por që nuk e vunë asnjëherë në diskutim qëllimin e asaj ndeshje. Çudinë e bën Vllaznia që humbi në fushën e vet ndaj 1-2 ndaj Mamurrasit, humbje që për pak i rrezikoi qëndrimin në Kupë. Duket se situata tek Vllaznia do edhe pak kohë të përmirësohet, pasi me humbjen e djeshme u bënë rresht tre të tilla që përjeton. Laçi nga ana tjetër po gëzon një formë të admirueshme dhe e tregoi edhe në ndeshjen e Kupës, ku me skuadrën e dytë arriti përsëri pa probleme që të mundte Naftëtarin 3-1. Flamurtari siç duket ka mësuar nga barazimi pa gola i radhës së kaluar ndaj Kamzës dhe dje i ka shënuar plot 5 të tillë, rezultat që tregon se sulmi i vlonjatëve po shkon drejtë përmirësimit. Edhe Kukësi nuk i ndahet të mëdhave duke arritur një fitore 6-1 ndaj Vorës. Interesante është kualifikimi i Veleçikut që arriti të kalonte Besën e Kavajës, dy herë fituese të këtij turneu. Ndërkohë që u vendosen edhe çiftet e turit të dytë dhe bie në sy që kemi vetëm dy përballje të skuadrave të Superligës me Elbasani-Laçi dhe Apolonia-Teuta. Skuadrat e tjera të Superiores patën më fat në skuadrat e tyre pasi Skënderbeu do të ndeshet me Tërbunin, Vllaznia me Kastriotin, Partizani me Lushnjën, Flamurtari me Veleçikun, Tirana me Bylisin dhe Kukësi me Pogradecin. Turi i dytë, ashtu si i pari do i luajë ndeshjet në fushat e skuadrave që kanë pasur një renditje më të keqe në klasifikimin e kampionateve të vjetshme.

KUPA E SHQIPËRISË
Turi i parë
Ndeshjet e dyta
Grupi A
Skënderbeu- Himara   10-0   (10-1)
Laçi- Naftëtari  3-1    (2-0)
Partizani- Iliria   2-1  (3-0)
Flamurtari- Kamza   5-0   (0-0)
Besa- Veleçiku   2-2  (0-0)
Lushnja- Burreli   1-0  (1-0)
Elbasani- Shkumbini   1-1  (2-2)

Tërbuni- Tomor   1-1   (2-1)

Grupi B
Kukësi- Vora   6-1   (4-1)
Teuta- Besëlidhja   3-2   (2-0)

Tirana- Sopoti   1-1   (3-0)
Vllaznia- Mamurrasi   1-2   (2-0)
Kastrioti- Ada  2-1   (1-1)
Bylisi- Luftëtari  3-1  (1-2)
Apolonia- Dinamo   4-0  (4-0)
Butrinti- Pogradeci   0-0   (0-2)

Shënim: Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para

Duelet e dyta në Kupën e Shqipërisë

Grupi A

Tërbuni-Skënderbeu

Elbasani-Laçi
Lushnja-Partizani
Veleçiku-Flamurtari

 Grupi B

Pogradeci-Kukësi
Apolonia-Teuta
Bylis-Tirana
Kastrioti-Vllaznia

Gjykata e Arbitrazhit, mundësi për Shqipërinë

FSHF ka bërë dje me dije se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv mund të jetë një mundësi për Shqipërinë në rast se UEFA nuk merr vendim në favorin tonë. Sipas FSHF, Shqipëria meriton me të drejtë fitoren në tavolinë dhe një vendim përtej kësaj, ose një vendim që na penalizon do të ishte thjeshtë një abuzim nga ana e Komisionit dhe prandaj pranohet dhe mendohet si mundësi që në bazë të vendimit të merren edhe veprimet nga ana e Federatës. Kërkesat që ka ngritur FSHF kanë të bëjnë pikë së pari me fitoren në tavolinë, rrëzimin e akuzave të palës serbe për lëshimin e fluturakes dhe gjithashtu do të rrëzojnë akuzat për ndërprerjen e ndeshjes dhe refuzimin për tu futur në fushë pas kërkesës së arbitrit të ndeshjes.

 Bayern Munchen “bekohet” nga Papa Françesku

Pasi “dogjën” Romen në Ligen e Kampioneve, skuadra bavareze u prit të nesërmen nga Papa në Selinë e Shenjtë dhe ky i përgëzoi për ndeshjen dhe fitoren e arritur. Gjatë bisedës, shefi i Bajernit, Karl Heinz Rumenigge i premtoi Atit të Shenjtë një shumë prej 1 milionë eurosh që do të mblidhen nga një ndeshje bamirësie dhe Papa mund ti shpërndajë sipas dëshirës po për bamirësi. Takimi me Papën dhe ky akt bamirës ndoshta do të ndihmojnë skuadrën në një përsëritje të fitores së këtij turneu, pasi për më tepër finalja luhet në Berlin.

 Flamuri i Shqipërisë përsëri në Beograd

Në ndeshjen e sotme mes Partizanit të Beogradit dhe Beshiktashit që luajnë për Europa Ligë, pritet ndër të tjera edhe prania e flamujve shqiptar. Një nismë e tillë ishte paralajmëruar nga tifozët turq që me ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe duket se do e vënë në zbatim pasi shumë tifozë që kanë ikur që më përpara kanë shpalosur flamuj të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky fakt ka bërë që përsëri mediat serbe të reagojnë me idenë se çdo gjë do të bëhet që të krijohen trazira të tjera në dëm të Partizanit të Beogradit dhe në tërësi futbollit serb. Partizani dhe Beshiktashi janë shortuar bashkë në grupin C të këtij turneu, me serbët që kanë vetëm një pikë dhe turqit që janë në kuotën e dy pikëve.

 Liga e Kampioneve ndryshon përsëri formatin.

Dje u mor vendimi zyrtar nga UEFA për ndryshimet e radhës në formatin e Ligës së Kampioneve. Është vendosur që skuadra fituese e Europa League të futet direkt në Ligen e Kampioneve, pavarësisht se si është kualifikuar në kampionat. Akoma nuk bëhet e ditur nëse fituesja do të futet vetëm në fazën play-off apo direkt në fazën e grupeve. Ky ndryshim vjen bashkë me atë të pak kohëve më përpara që saktësuan vazon e parë të tetë skuadrave, që do të përbëhet nga skuadrat fituese të kampionateve më të forta Europiane dhe fituesen në fuqi të Ligës së Kampioneve.

 FSHF zbulon studiot avokatore që e përfaqësojnë në UEFA

Dje janë bërë të ditura edhe studiot që do të përfaqësojnë interesat e FSHF dhe Shqipërisë në UEFA ditën e sotme. Përpilimi i argumenteve ligjore i është lënë studiove “Littleton Chambers” me bazë në Londër dhe “Levy Kaufmann-Kohler” me bazë në Gjenevë. FSHF në deklaratën e djeshme ka falënderuar çdo person që dha ndihmesë në mbledhjen e materialeve shumë të rëndësishme që do të provojnë në një mënyrë a në një tjetër vërtetësinë e deklaratave të bëra, gjithashtu do të justifikojnë çdo pretendim të lëshuar,ndër to edhe fitorja në tavolinë.