Agron KAJA/ Pretenca për Beogradin, test “driblingu” i UEFA-s 

458
Sigal

KOMISIONI I DISIPLINËS/ Ja çfarë do të presim sot nga drejtësia e Platinisë në ndëshkim të dhunës me markë serbe

Ka plot 9 ditë që ambienti mediatik europian dhe ai botëror (sportiv e më gjerë), është ndotur nga ngjarja e Beogradit në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri. Kjo sfidë që u ndërpre në minutën e 42-të pas një lodre relaksuese që i tronditi serbët nga themelet, solli më pas atë dhunë, të cilën në një vend aspirant për në Europë nuk mund ta imagjinosh, dhe jo mandej ta përjetosh. Para kësaj minute, në shkallët e stadiumit të Beogradit klithën në korr thirrje shtazarake kundër shqiptarëve për vdekjen e tyre. Aty këtu, në ambientet e brendshme kishte edhe guximtarë që nëpër dhëmbë apo edhe në ajër lëshonin fyerje nga më të ndryshmet, ndoshta për të paralajmëruar se kjo është më shumë një ndeshje politike e prodhuar nga nacionalistët serbë, të cilët në shekullin e 21-të sillen sikundër të ishin njerëz të fiseve në xhunglat e shekujve të shkuar. Gjithçka që ndodhi atë natë në Beograd është interpretuar ndryshe nga palët e konfrontuara dhe ka dalë përtej fushës së futbollit, aq sa Serbia pasi e quajti këtë një incident të shkaktuar nga shqiptarët (që ajo nuk i lejoi të ishin prezent në stadium), dhe menjëherë ka bllokuar të gjitha eksportet nga Shqipëria. Ndërsa njëanshmëria në gjykimin paraprak të ngjarjes nga ana e Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, e ka bërë edhe më të koklavitur përfundimin e ndëshkimit, ku në deklaratat e tij ai është shprehur sa hipokrit, aq edhe i njëanshëm. Dhe nëse sot më 23 tetor 2014, drejtësia sportive e UEFA-s nuk do të tregojë drejtësi në vendimmarrjen e saj, atëherë do të lihet e hapur mundësia e një vullkani nacionalist në stadiumet evropiane ku do të ketë serbë, maqedonas e grekë, këta sllavë që kërkojnë të jenë pashallarët e Ballkanit. Kësisoj, pas 14 tetorit të sivjetëm duket se do të presim një dimër të ashpër edhe për topkëmbën shqiptare, e cila sot nga rezidenca e UEFA-s do të presë, ose jo, erën e ftohtë dhe acarin nacionalist që u paralajmërua nga driblingu i Platinisë ditë më parë. Duke e shfrytëzuar këtë hipokrizi të institucionit më të lartë futbollistik të Europës me një qëndrim të njëanshëm në interesin e tyre, njëherësh duke marrë zemër edhe nga deklarata fatkeqe e Bashkimit Evropian për këtë incident, serbët janë “nxehur” që ditën e ngjarjes, duke bërë përgjegjës shqiptarët për fluturaken me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Duket sikur sot ata, nga fajtorë do të kthehen  në engjëj, por me lëkurën e djallit. Mediatikisht është mësuar se sot, vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA për ndeshjen, nuk do të japë masa ndëshkimore, çka mund të mendohet se edhe kjo mund të jetë një taktikë që favorizon serbët, të cilët më 14 nëntor duhet të përballen kundër Danimarkës, ndeshje e planifikuar që këtë herë të luhet në stadiumin e Crvena Zvezdës. Në vendimmarrjen e saj për atë dhunë ndaj shqiptarëve që prodhoi nacionalizmi serb në tribuna, në shkallët e stadiumit dhe në fushën e lojës, UEFA sot duhet të japë një gjykim me objektivitet. Ajo duhet të mendojë më shumë se sa ka deklaruar Platini apo ndonjë maskara tjetër si ai, të cilët nuk demonstrojnë as dinjitetin më formal për çka kanë thënë publikisht dhe ç’ ka përfaqësojnë zyrtarisht. Gjykimi për këtë rast të paprecedent nuk duhet të nisë nga minuta e 42-të, dhe Shqipëria këtë kërkon, pasi nga ky vendim vihet në dyshim edhe e ardhmja e gjeneratave të reja në të dy vendet, që në këto momente delikate aspirojnë të integrohen si pjesë e jetës së qytetëruar në Europë e më gjerë. Një gjykim tjetër, do të ishte një mosrespektim i identitetit dhe integritetit tonë kombëtar.

Somario

UEFA duhet të mendojë më shumë se sa ka deklaruar Platini apo ndonjë maskara tjetër si ai, të cilët nuk demonstrojnë as dinjitetin më formal për çka kanë deklaruar publikisht dhe çka përfaqësojnë zyrtarisht

Duka nga selia e UEFA-s: Ndeshja nuk mund të riluhet

Dje në mesditë, i pyetur drejtpërdrejt nga një kanal televiziv shqiptar, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tregoi detajet shqiptare në prag të vendimit që do të marrë sot Komisioni i Disiplinës së UEFA-s për dhunën në stadiumin e Beogradit. “Ne i kemi servirur UEFA-s fakte që t’i shikojë në kompleksitet ato, sepse ndryshe nuk i shërbehet futbollit. Për aq sa e njohim ne situatën e Komisionit të Disiplinës në UEFA, sot pritet që kjo trupë gjyqësore të gjykojë me sportivitet në zbatim të rregullave. E përsëris, ne kemi përgatitur gjithçka me fakte dhe argumente për ata që e shkaktuan dhunën në stadiumin e Beogradit. Unë jam i sigurt se, nëse Komisioni i Disiplinës do të gjykojë mbi bazën e fakteve dhe të largohet nga politika, do të jetë një vendim normal. Nga ana e tyre, serbët nuk kanë korrigjuar asgjë për të përmirësuar gabimet që prodhuan atë skandal në stadium. Ende nuk ka asnjë të dënuar nga huliganët e dhunës, apo të jenë marrë masa të tjera që të tregojnë reflektim ndaj ngjarjes. Në dijeninë time, me atë çka ndodhi, ndeshja nuk mund të riluhet”. Kësisoj, Shqipëria e futbollit sot duhet të jetë optimiste. Por, të presim deri në mesditë.

Ngjarja e 14 tetorit

Në harkun e kohës 41 minuta e 48 sekonda, ndeshja Serbi-Shqipëri degjeneroi në dhunë, pasi mbi fushën e lojës kishte fluturuar një avion i telekomanduar me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Por, ndeshja ishte ndërprerë një minutë më parë nga arbitri anglez Antikson, pasi në fushë ishin hedhur disa fishekë zjarre e sende të tjerë që e bënin të pamundur zhvillimin e mëtejshëm të saj. Këtu dhuna doli në plan të parë duke sjellë pasojat që tashmë janë njohur publikisht.

Si do mbrohet Shqipëria

Një dosje voluminoze me rreth 110 faqe është adresuar nga FSHF-ja për në UEFA, në të cilën si bazë në kërkesat shqiptare për Komisionin e Disiplinës dhe të Etikës janë: Dështimi i palës serbe për organizimin e ndeshjes për rregullin e sigurinë; Futja e tifozëve vendas në fushën e lojës me pasojë dhunimin e lojtarëve shqiptarë; Koret raciste nga tifozët serbë gjatë gjithë ndeshjes dhe fyerja që ata i bënë ekzekutimit të himnit tonë kombëtar. Nga pala shqiptare nuk ka pasur asnjë refuzim për të riluajtur pas ndërprerjes.

Si do mbrohet Serbia

Nga ana e palës serbe, dhuna e 14 tetorit në stadiumin e Beogradit, ka ardhur si pasojë e dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe, të cilët më shumë janë duke luajtur lojën e toreadorit me demat. Në deklarimet e tyre, përfaqësuesit e futbollit serb kanë qenë të paqartë e të pasigurt për marrjen e tri pikëve. Duke qëndruar vetëm në faktin se Shqipëria nuk pranoi të riluante ndeshjen dhe duke neglizhuar qëllimisht dhunën e koret raciste të tifozëve të tyre, serbët i tremben edhe një humbjeje në tavolinë.

SITUATA NË GRUPIN I

Janë luajtur

7 shtator 2014

Danimarkë-Armeni        2-1

Portugali-Shqipëri                   0-1

Serbi-Francë                  1-1

11 tetor 2014

Armeni-Serbi                 1-1

Shqipëri-Danimarkë      1-1

Francë-Portugali            2-0

14 tetor 2014

Serbi-Shqipëri (E ndërprerë)

Danimarkë-Portugali     0-1

Armeni-Francë               0-3

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Shqipëria           2        4

2.Danimarka        3        4

3.Portugalia                   2        3

4.Serbia                1        1

5.Armenia            2        1

Shënim: Ndeshjet e Francës janë miqësore, nuk pikëzohen në grup