Kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj: Muaj fantastik, tani të mbajmë ritmin

27
Sigal

Kapiteni kuqeblu, Bekim Balaj, ka regjistruar golin e 10-të personal në këtë sezon. Ai momentalisht po udhëheq listën e golashënuesve, duke qenë njëherësh edhe kandidati i vetëm për këtë listë për “Këpucën e Artë”.

Në një intervistë, ai ka vlerësuar fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, duke e quajtur një rezultat fantastik atë të arritur në këtë përballje.

Balaj ka shprehur besimin se Vllaznia do të vijojë ecurinë e këtyre rezultateve edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke lënë që të shpresohet se kuqeblutë do të jenë një nga ekipet që do të jenë pjesë e katërshes në fund të këtij sezoni.

Bekim, një fitore e merituar, por edhe një rezultat fantastik në këtë fundviti?

Ishte një ndeshje fantastike. Një rezultat festiv që u shkon për shtat këtyre festave të fundvitit. Një rezultat që rrit së tepërmi edhe moralin e ekipit. Kemi pak ditë pushim dhe të bëhemi gati për vitin 2024. Një vit i vështirë për objektivat që kemi.

Pozitive që po shpërndahen golat, shënoi dhe Gruda?

Është shumë e rëndësishme që të shënojnë edhe lojtarët e tjerë dhe Gruda ishte i papërmbajtshëm e tregoi një paraqitje fantastike dhe i shërben shumë atij si për moralin dhe për ekipin. Ishte diçka shumë e bukur.

E kishit menduar një rezultat të tillë para kësaj sfide?

Unë them se përqendrimi ishte maksimal. E kishim vlerësuar shumë dhe kërkonim që të mos i linim hapësira kundërshtarit, pastaj shfrytëzuam në maksimum momentet që na u krijuan.

Vllaznia me oshilacione, por tri fitore radhazi duket se ndryshuan atmosferën?

Duke shikuar periudhën e vështirë që kaluam mund të them se muaji i fundit ishte ai që ne të gjithë kërkojmë dhe shpresoj që ta mbajmë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Ta mbajmë sa më gjatë këtë ritëm dhe të bëhemi gati për takimin e parë të vitit të ardhshëm.

E mbyllët gjysmën e sezonit dhe vitin 2023 si i pari në listën e golashënuesve. Do të jetë Bala “Këpuca e Artë” e këtij sezoni?

Realisht ndihem mirë me golat e shënuar gjë që më ka munguar në gjashtëmujorin e parë. Shpresoj që të ecë mirë edhe me performancën e skuadrës, pastaj edhe golat do të vijnë.

Urimi i kapitenit për festat e fundvitit?

Në radhë të parë do të uroj tifozët dhe sidomos “Vllaznit Ultras”, për 18-vjetorin e krijimit të tyre. Ishin ndër të paktët që besuan se do të ktheheshim, duke na mbështetur pavarësisht rezultateve që kishim. Të gjithë qytetarëve të Shkodër dhe Shqipërisë do t’u uroj që 2024 të jetë i mbarë për të gjithë.