Intervista për “Telegraf”/ Shpëtim Duro: Me këtë shkëputje të skuadrave “Final 4”, i druhem tolerimeve

111
Sigal

SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit, Shpëtim Duro: Katërshja e parë nuk diskutohet

 

Agron KAJA

Si e përshkruani javën e 21-të për rezultatet që u arritën, me katër fitore në transferta?

Edhe ndeshja e Dinamos mund të quhet në transfertë, por kanë fituar ekipet më të mira, dhe këtu bëhen defierencat mes çifteve që kalendari sjell javë pas jave. Unë do thoja se grupi “Final 4” duket se do jetë i qetë deri në mbylljen e fazës së katërt.

Në lojë, në rezultat dhe për 17 golat, cilën skuadër veçoni për javën e 21-të?

Duket qartë se skuadrat më në formë janë Egnatia me Dinamon, kryesisht për personalitetin që tregojnë në fushë. Pozitivisht janë më të mira se Partizani e Vllaznia në “Final 4”, ndërsa skuadrat e tjera treguan probleme dhe mangësi javës që kaloi.

Mendoni se katërshja e “Final 4” po konsolidohet që në këtë fazë të dytë?

Besoj 100%. Janë përforcuar shumë të gjitha skuadrat e zonës “Final 4”, sidomos Egnatia që ka marrë lojtarë të dalluar në Superiore. Edhe Dinamo ka kualitete, dhe të katërta është vështirë t’i kapin të tjerat. Por, me këtë situatë i druhem tolerimeve.

Javën e kaluar u larguan dy trajnerë, çfarë tregon kjo rrjedhje e bankinave në Superiore?

Këto janë gjëra që ndodhin gjithmonë dhe kudo me trajnerët, ndërkohë që te katër të parat nuk janë ndryshuar, përjashtu Dinamon me marrjen e Ilir Dajës. Skuadrat e fundit janë me objektiva mbijetese dhe këto lëvizje do t’i kenë edhe në vazhdim.

Është duke u zhvilluar edhe merkato e janarit në Superiore, janë veçuar të afruarit, apo ka ndikime nga të larguarit në skuadra?

Merkato më cilësore ka bërë Egnatia, duke patur parasysh që në muajin janar nuk gjen lojtarë cilësorë, sepse ka kthyer mjeshtra në kampionatin shqiptar. Dinamo nuk ka nevojë për merkato, Partizani e Vllaznia po bëjnë merkato të kujdesshme.

Java e 22-të ofron një “derbi” Partizani-Dinamo, dhe një ndeshje të zonës “Final 4” për kreun, Vllaznia-Egnatia, si i parashikoni?

E kam luajtur “derbi”-në shumë herë si lojtar, por edhe si trajner disa herë. Derbet janë derbe, por unë favorit mendoj Dinamon, edhe pse luan jashtë fushe. Partizani do ta ketë të vështirë, ndërsa në Shkodër mendoj një ndeshje mes të barabartëve.

Duke qënë se jemi në mesin e fazës së tretë, si e parashikoni renditjen e skuadrave në fundin e saj?

Katërshja e parë nuk diskutohet, pjesa tjetër mendoj se do jenë të gjitha skuadrat  për mbijetesë. Të rëndësishme këtë javë do jenë edhe ndeshjet Skënderbeu-Teuta dhe Bylis-Tirana. Duhet të bëjnë shumë të mbijetojnë, e kanë të vështirë para Bylisit e Laçit.

Në Shqipëri ka vite që zyrtarisht nuk funksionojnë bastet sportive, si ndikon në buxhetin sportiv fakti që ato luhen në të zezë?

Nuk është pozitive që zyrtarisht ende nuk funksionojnë bastet sportive, por luhen në të zezë. Mirë do ishte që zyrtarisht të funksiononin, sepse u bëhej mirë buxheteve të presidentëve të klubeve dhe cilësia do rritej. Madje edhe Ligji i Sponsorizimeve duhet të funksinojë.

 

Dukuria me trajnerët e larguar, i “penalizuan synimet”!

Ky kampionat në Superiore nuk ka bërë ndonjë ndryshim të veçantë nga të kaluarit, sa i përket largimit të trajnerëve brënda garës. Madje këtë herë shifra është shqetësuese, sepse ndryshimet kanë ndodhur në bankinat e shtatë skuadrave, duke përjashtuar Partizanin që ndryshoi në startin e sezonit. Tirana, Dinamo, Elbasani, Bylis, Laçi, Skënderbeu dhe Teuta janë skuadrat me bankinat e ndryshuara, madje Tirana dy herë. Synimet duket se kanë hyrë thellë në lojën e bankinave.

Egnatia e ka vënë “përpara” merkaton e janarit. Pasi ka marrë portierin Dajsinani, mbrojtësin Sota dhe mesfushorin Fernando, sulmuesi Guindo duket si qershia mbi tortë në këto ditë të ngarkuara me ndeshje dhe lëvizje në merkato

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 22

Të shtunën, 25 janar 2025

Bylis-Tirana                 13:30

Partizani-DinamoC       16:30

Skënderbeu-Teuta       16:30

Të dielën, 26 janar 2025

AF Elbasani-Laçi        17:00

Vllaznia-Egnatia         17:00

RENDITJA                   

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Partizani                   21        37

2.Dinamo C                21        37

3.Vllaznia                    21        37

4.Egnatia                     21        36

5.Elbasani                    21        28

6.Bylis                         21        24

7.Teuta                        21        23

8.Laçi                          21        20

9.Tirana                       21        18

10.Skënderbeu             21        16

 

“Derbi” 176 në shifra, në 175 sfida dominon Partizani

 

PARTIZANI- DINAMO

HISTORI                              

Ndeshja e parë                      

Viti 1950

Partizani-Dinamo        2-2

Ndeshja e fundit                   

9 nëntor 2024

Dinamo C-Partizani     1-2

BILANC

Janë luajtur               175

Fitore Partizani            73

Barazime                     54

Fitore Dinamo 48

Golat                 238: 189

Ndeshja e rradhës       176

 

Ndeshja “Derbi” i kryeqytetit ndërmjet Partizanit e Dinamos, ka nisur të luhet për herë të parë në vitin 1950, që është edhe viti i krijimit të klubit dinamovit. Rivaliteti mes tyre ka qënë i madh, ku kanë dhuruar ndeshje të bukura, me emocion e nivel të lartë. Deri në vitin 1990 kur futbolli shqiptar luhej në një sistem politik që i jepte prioritet këtyre sfidave, ishte Partizani që e dominonte, dhe këtë epërsi në balancë skuadra e kuqe e ka mbajtur deri më sot. Në 175 ndeshje, Partizani ka fituar 73, janë barazuar 54 dhe 48 janë fituar nga Dinamo, me golavarazhin në favor të Partizanit 238:189. Aktualisht, pas 21 javëve të luajtura, në këtë përballje të 176-të të dyja këto skuadra vijnë si të barabarta me nga 37 pikë, ku Partizani renditet në vëndin e 1-rë dhe Dinamo në vëndin e 2-të. Skuadra e kuqe ka shënuar 9 fitore, 10 barazime dhe 2 humbje, me golavarazhin 28:16, ndërsa Dinamo ka 10 fitore, 7 barazime e 4 humbje, me golavarazhin 34:23. Ndeshje e 176-të Partizani-Dinamo City do luhet ditën e shtunë, datë 25 janar 2025, ora 16:30 në stadiumin “Arena e Demave”.