Erion Xhafa: Skuadra e këtij sezoni po projektohet për ngjitjen në Superiore

Erion Xhafa

KATEGORIA E PARË/ Te Lushnja po merren me merkaton, trajneri Erion Xhafa tregon synimin final.

Agron KAJA

Agron Kaja

Në sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, skuadra e Lushnjës nuk e arriti synimin e saj për një vënd në kreun e renditjes, madje edhe për të diskutuar ngjitjen në Abissnet Superiore. Ulja në bankinë e Erion Xhafajt në mesin e kampionatit, sikur i dha shumë impuls skuadrës, e cila u rendit në mesin e artë të renditjes. Për gazetën “Telegraf”, dje tekniku lushnjar tregoi për përgatitjet që po bëhen, edhe pse sipas tij, merkato është e vështirë në këtë periudhë. “Aktualisht ne po merremi me merkaton në këtë periudhë, ku njëherësh kemi rinovuar kontratat me pjesën më të madhe të grupit të lojtarëve që mbyllëm sezonin e kaluar. Në këtë muaj, merkato është e vështirë, sepse lojtarët e lirë presin deri në fund për të gjetur skuadrën, e cila u plotëson më mirë kushtet e tyre, të cilat janë kryesisht financiare. Dëshira jonë është që këtë punë me skuadrën ta mbyllim para muajit korrik, pasi jemi në pritje të firmës me disa futbollistë cilësorë nga tregu vëndas, ndoshta edhe nga ai i huaj”, kështu e nisi dje bisedën tekniku i Lushnjës, i cili tregoi edhe axhendën që do ketë gjatë muajit korrik, kur edhe e kanë të planifikuar të nisin fazën përgatitore me ekipin e sezonit të ri. “Ne si Klub futbolli jemi shoqëri aksionere me 100% kapitale të Bashkisë, i cili duhet thënë se është i lartë për një bashki si kjo e jona. Dhe me këtë buxhet do të nisim përgatitjet tona nga data 10 korrik, ku do e fillojmë në Lushnje për ta stabilizuar skuadrën, dhe më pas faza përgatitore do të shtrihet diku tjetër në Shqipëri. Lushnja e këtij sezoni është projektuar për të rritur cilësinë, dhe në këtë kampionat të bëjmë akoma më mirë për synimin e ngjitjes në Superiore. Për aq sa unë e drejtova skuadrën e Lushnjes në sezonin e kaluar, e kam tashmë të qartë se përqëndrim kryesor do jenë të gjitha drejtimet. Në sezonin e kaluar u renditëm në mesin e tabelës, vënd që nuk ishte në synimet tona sezonale, edhe pse me buxhetin që kemi është e vështirë që të konkurrosh me skuadra, të cilat e kanë një president dhe kanë financa të larta. Por deri më 23 gusht që starton kampionati i Kategorisë së Parë, për ne këto dy muaj do të jenë si një kantier me përgatitje, me merkato, me organizimin, vendosjen në gatishmëri të terreneve stërvitore dhe stadiumit ku do t’i luajmë të gjitha ndeshjet”, kështu e paraqiti situatën trajneri i skuadrës së Lushnjës, Erion Xhafa, i cili e ka marrë besimin e Bashkisë për drejtimin e skuadrës edhe për sezonin e ri 2025-2026.

LEGJIONARËT

Alban Bushi jep lajmin: Për Grudën, presim nga Gjermania

NOA

Futbollisti me origjonë shqiptare Brajan Gruda, është duke treguar një formë të mirë në Kampionatin Europian U 21, në përbërje të Gjermanisë. Në rolin e një mesfushori-sulmues, në të treja ndeshjet që Gjermania i luajti dhe i fitoi në Grupin B, Gruda ka qënë protagonist i mesfushës në të treja sfidat, të cilat i fituan dhe Gjermani u rendit në vëndin e parë me 9 pikë. Nga ana e FSHF-së ka patur interesim për djaloshin me origjinë prindërore nga Shkodra, por vetëm dje trajneri i U21 të Shqipërisë ka zbardhur gjithçka për vazhdimësinë e tij. “Nëse nuk grumbullohet nga Gjermania A, Brajan Gruda do të luajë për Shqipërinë. Kështu na ka thënë familja e tij”. Një talent që i mungon Kombëtares sonë, dhe që do të donim ta shihnim me fanellën kuqezi. Gjithsesi, Gjermania e thotë fjalën e fundit.

Broja mbetet në ankand, projekti i londinezëve është i qartë

Që e ardhmja e Armando Brojës do të jetë larg Çelsit, kjo është kuptuar që me huazimet që ai ka patur në disa skuadra, në Angli dhe në Europë. Për sulmuesin e Kombëtares sonë, tashmë nuk ka vend në skuadrën londineze të drejtuar nga Enzo Mareska, ndërsa klubi ka menduar politika të tjera për të ardhmen e tij, sepse po kërkon të përfitojë të ardhura. Te skuadra e Çelsit janë aktualisht gjashtë lojtarë, të cilët pritet të transferohen apo të largohen diku tjetër: Sterling, Çiluell, Dizasi, Veiga, Çukuemeka dhe Broja. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë pafat për shkak të dëmtimeve, por interesimet për të nuk kanë munguar, madje nga disa klube me zë në Europë. Dhe pse gjithçka duket drejt fundit, sërish nuk përjashtohet mundësia e një tjetër huazimi, ku i fundit ishte si pjesë e Evertonit.

Periudhë rinovimesh, vetëm një përforcim te Lushnja

Drejtuesit e klubit të Lushnjës kanë vendosur që, Saugli Alimuçaj dhe Oltjan Haremi të jetë dyshja e portierëve të skuadrës së tyre edhe për sezonin 2025-2026. Akordin me dy portierët e ka bërë publike vetë klubi përmes njoftimeve në faqen zyrtare. Më pas, radhën për të rinovuar e patën dy futbollistët e huaj, Ibrahim Olola dhe Nando Uillfried, ndërsa më parë u konfirmuan mbrojtësit Fadil Meta dhe Fjoralb Deliaj. Ndërsa Odriah Ntepe mbetet përforcimi i vetëm që vazhdon pushimet.

Deliallisi rinovon me Korabin për bankinën

Në sezonin e kaluar, Alfred Deliallisi kishte meritën e tij si trajner, pasi Korabi i shpëtoi rënies nga Kategoria e Parë. Ishte kjo arsyeja që drejtuesit e klubit dibran të futbollit i kanë besuar drejtimin e skuadrës edhe për sezonin e ri 2025-2026. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi i Korabit përmes një postimi në rrjetet sociale. “Pas një viti të vështirë ku arritëm objektivin kryesor dhe shpëtuam sezonin me shumë dinjitet, Klubi i Futbollit Korabi është i lumtur të njoftojë rinovimin e kontratës me trajnerin tonë, Alfred Deliallisi. U zhvillua edhe prezantimi zyrtar i trajnerit dhe objektivat ambicioze për sezonin e ri. Me punën e përbashkët dhe përkushtimin, jemi të bindur se do të arrijmë suksese edhe më të mëdha. Bashkë me ju, ne vazhdojmë të ndërtojmë historinë e Korabit”.