Kush ndezi 6 vatra zjarri në një vilë në Lurë

Një foto e zjarreve në Lurë po ngre një pyetje që meriton më shumë se përgjigjen e zakonshme “vapë, thatësirë dhe erë”. Në të njëjtin shpat dallohen të paktën 6 vatra aktive, të ndara nga njëra-tjetra dhe të vendosura përafërsisht përgjatë të njëjtit brez të malit.
Kjo pamje ngre dyshime të arsyeshme se zjarri mund të ketë pasur më shumë se një pikë origjine. Nëse vatrat kanë nisur në një interval të shkurtër kohor dhe mes tyre fillimisht ka pasur bimësi të padjegur, atëherë kemi një konfigurim që kërkon shpjegim. Sepse një zjarr i nisur nga një pikë zakonisht përhapet duke krijuar një front të lidhur, të ndikuar nga era, pjerrësia dhe vegjetacioni, jo domosdoshmërisht duke “kërcyer” me rregull nga një pikë në tjetrën.
Një tjetër element që duhet kontrolluar është nëse përgjatë brezit ku shfaqen vatrat kalon rrugë, shteg apo kalim blegtoral. Nëse po, atëherë kjo nuk është një hollësi për t’u kaluar me një të ngritur supesh.
Po aq rëndësi ka edhe era. Nëse konfirmohet se në momentin e zjarrit ajo frynte nga poshtë drejt lartësive, siç sugjeron edhe drejtimi i tymit në pamje, bashkë me pjerrësinë do të favorizonte përhapjen e flakëve përpjetë. Në këtë rast duhet shpjeguar se si janë krijuar disa vatra të ndara përgjatë të njëjtës kuotë.
Sigurisht, fotografia nuk provon vetë zjarrvënie të qëllimshme. Ekziston edhe mundësia e vatrave dytësore, kur materiale të ndezura transportohen nga era dhe krijojnë zjarre përpara ose larg frontit kryesor. Por kjo është pikërisht ajo që duhet të përcaktojë hetimi, jo Facebook-u dhe as hamendësimet.
Sot ekzistojnë të dhënat meteorologjike për zonën, mund të përcaktohen pikat e origjinës dhe kronologjia e ndezjeve, si dhe të kontrollohet terreni. Kur është e ligjshme dhe pjesë e një hetimi, të dhënat e telekomunikacionit mund të ndihmojnë gjithashtu për të verifikuar praninë e personave në zonë.
Pra, 6 vatra pothuajse në një vijë nuk janë provë se dikush i ka vënë zjarrin Lurës, por janë një arsye shumë e mirë që institucionet të zbulojnë kush ose çfarë i ndezi. Se “i ndezi vapa” është shpjegim i mirë vetëm derisa dikush të fillojë të hetojë.
Sigal