PROFIL/ Në karrierën e notarit kampion e rekordmen, ka gjetur vënd edhe boksi. Mjeshtrat e Mëdhenj Sadik Mema, Petrit Guma dhe Emin Lishi e veçojnë për talentin dhe karakterin
Nga Agron KAJA

Ju keni qënë notar i elitës, e mbani mënd një shkrim, një emision apo një kronikë sportive që është folur për ju?
Mbaj mënd se Noti ishte sport që pasqyrohej vetëm në ditët e garave, ndërsa në periudha të tjera shumë pak pasqyrohej. Dhe këtu më kujtohet që në vitin 1988 më ka regjistruar Ahmet Shqarri në Radio Tirana, sepse thyeva rekordin kombëtar.
Në karrierën sportive ju keni qënë notar dhe më pak boksier, si i kujtoni?
Sporti i Notit ka qënë baza e formimit tim sportiv. E kam nisur në vitin 1974 dhe u largova në vitin 1991, plot 17 vite karrierë. Ndërsa në vitin 1987 përfaqësova Ministrinë së Brëndshme në Boks kur u hap ky sport, konkurova në peshën 68 kg.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë?
Natyrisht që po, sepse ekipi i notit të Dinamos me trajner Emin Gripshin, i kishte të gjitha kapacitetet me kampionë në përbërje. Madje, ne si ekip arritëm të futim në programin tonë forcën speciale, e cila na dha shtytje në arritjen e rezultateve.
Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?
Unë kam qënë i pasionuar pas ujit. Kur erdhëm familjarisht me shtëpi tek 21 dhjetori, shkoja me fëmijët e lagjes dhe hyra direkt në Not. Si fillim më kanë dhënë një palë mbathje dhe një peshqir ushtari, sikur më dhanë botën me ato materiale.
Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?
Pasi shkova tek të Rinjtë e Dinamos, na morri trajneri Emin Gripshi që trajnonte të Rinjtë dhe të Rriturit. Më ka mbajtur shumë afër si trajner, sepse unë e tregoja shumë dëshirën për të dalë në vëndin e parë në çdo garë. E kisha me pasion notin.
Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?
Gara ime e parë me të Rriturit e Dinamos në vitin 1979 në Elbasan, ku zura vëndin e 7-të në 200 m Delfin. Ndërsa rekordin e parë e kam thyer në vitin 1983 në garën 200 m Delfin. Konkurrentë ishin Artan Zhupa i Lokomotivës dhe Vladimir Xhelili i Butrintit.
Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?
Me shumë respekt e kujtoj trajnerin e parë Kujtim Ahmetliu me fëmijët. Natyrisht që ai mbeti shëmbull për mua, dhe më pas e deri në fundin e karrierës kam patur Emin Gripshin, një model i trajningut, dhe shumë pak me Shpëtim Bushatin.
Keni garuar kryesisht në garën 100 m dhe 200 m Delfin dhe stafeta, cilët ishin rivalët në gara apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?
Rivalët në garat 100 m dhe 200 m Delfin kanë qënë Sadik Mema, Shpëtim Kote, Bert Çakulli, Kujtim Cankja e Sadi Anadolli, të cilët ishin më sipër në moshë. Më pas, konkurrentë kisha Artan Zhupa i Lokomotivës dhe Vladimir Xhelili i Butrintit.
Keni garuar në pishinë, në det të hapur apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?
Zakonisht garat që unë kam zhvilluar kanë qënë në pishinën e Durrësit, në Zadrat e Sarandës, në Lushnje dhe në Elbasan. Ndërsa në det të hapur dhe në liqene, kam zhvilluar maratonat. Ka qënë një infrastrukturë normale që na e lehtësonte garimin.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?
Gjatë gjithë karrierës sime nuk i jam ndarë Dinamos dhe Kombëtares, sepse unë kam qënë besnik i këtij ekipi. Dinamo kishte një zinxhir notarësh që përgatiteshin me seriozitet nga trajnerët. Ishte një amalgam e elitës në Notin shqiptar të kohës.
Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?
Po, gara e fundit ishte në Ballkaniadë, në Serez të Greqisë. Aty zura vëndin e dytë në garën e 50 m Delfin, ku i pari doli një notar maqedonas. Më pas, në muajin mars 1991, së bashku me të Madhin Petrit Guma kam emigruar në Itali.
Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Në atë kohë unë kam garuar më shumë e kënaqshme, me aq sa kuptonim dhe dinim. Por në stërvitje, trajneri Emin Gripshi aplikonte disa metoda të marra nga libri i amerikanit Xhon Konsëllmen. Futi format e reja të teknikës e lëvizjes mekanike në ujë.
Si trajner ju patët sukses edhe jashtë Shqipërisë, si e kujtoni atë periudhë?
Unë kam qënë trajner Noti te ekipi Rrari Nantes Verçeli, por edhe instruktor me të gjitha moshat në këtë ekip. Kjo ka qënë në periudhën 1997-2012, në 15 vite. Kishte masivitet të madh dhe një infrastrukturë verore e dimërore shumë më të mirë nga ne.
Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?
Në faza të ndryshme, noti shqiptar u shpërbë, kryesisht rreth vitit 1990. Por u ringrit nga tre emra, Sadik Mema, Dash Bregu dhe Emin Gripshi, të cilët e shpëtuan notin nga shpërbërja dhe e sollën këtu ku ndodhet aktualisht.
E keni dëshirën, apo mundësinë, që ende ju të garoni apo trajnoni një ekip noti në Shqipëri?
Unë tani nuk merrem me asnjë sport, duke qënë se jam në moshë pensioni. Por e kam dëshirën të rikthehem në Shqipëri një ditë dhe të trajnoj mosha në sportin e notit. Do thoja me sinqeritet se jam tifoz i notit shqiptar, dhe kurrë nuk do them kurrë!
Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot ju Fuat në Itali?
Unë merrem me asistencë si operator me njerëzit në nevojë. Kjo punë do vazhdojë deri sa të dalë zyrtarisht në pension. Por unë garazhin e shtëpisë kam bërë një palestër dhe ndjehem mirë fizikisht. Notin jo, se nuk kam kohën e lirë ta ushtroj.
Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?
Shoqata na ka bashkuar dhe mendoj se kështu me takimet që zhvillon, i bashkon vlerat e notit shqiptar. Është mëse e goditur, sepse pa kujtime sportisti duket sikur nuk ka qënë asgjë. Këtë na e ka sjellë kjo shoqatë. E mendoj si shumë pozitive dhe do jem shpesh kur të na mbledhin.
Një apel, një porosi apo një urim për notin shqiptar, cili do ishte prej jush?
Gjithçka si përgjigje do ta përmbledh në këtë fjali: Çdo sport të formon fizikisht, të edukon moralisht, të forcon kulturën dhe edukatën. Këtë duhet ta kenë parasysh të rinjtë e të gjitha moshave, por edhe aktorët e faktorët që ata duhet t’i afrojnë.
Largimi i detyruar nga Shqipëria
Në vitin 1991 jam larguar me anijen Iliria për në Itali, së bashku me familjen e Mjeshtrit të Madh, Petrit Guma. Unë kam mbledhur shumë shokë e miq me një makinë AERO, sepse largimi im erdhi pasi unë kërkova të shkoja në Shkollën e Lartë të Policisë. Të drejtën e studimit nuk ma dhanë, dhe si zgjidhje e detyruar mbeti largimi jashtë Shqipërisë.

EMIN LISHI, MJESHTËR I MADH
Fuati ishte një sportist me vullnet dhe puntor

Duke qënë pjesë e elitës në Notin shqiptar, Mjeshtri i Madh Emin Lishi, “zbardh” edhe një tjetër Mjeshtër të tillë, këtë herë Fuat Muratin. Në vlerësimin e tij për këtë notar, Mjeshtri Lishi tregon “dobësi” për talentin dhe karakterin e Fuatit. “Unë di të them për Fuatin se, gjatë kohës që unë kam zhvilluar stërvitje te Liqeni, e kam njohur dhe ai ka qënë dobësia ime, në kuptim sportiv, por edhe si njeri. Në radhë të parë Fuati ishte një sportist me vullnet dhe puntor, sepse atë punë që ka bërë ai, rrallë notarë mund ta bëjnë. Punonte dhe bënte edhe sport, dhe kjo këmbëngulje e bëri shëmbullor, kampion dhe rekordmen në stilin Delfi. “Fatja i vogël” kishte fatin e madh se u stërvit dhe u rrit me një grup notarësh të mëdhenj të notit te Dinamo, si Sadik Mema, Hysni Bregu, Janaq Murati, Edmond Mema dhe shumë të tjerë.
Vetë Fuati ishte një nga shtyllat e Dinamos me trajnerin e tyre të suksesshëm Emin Gripshi”.

KARAKTERISTIKA TË KAMPIONIT E REKORDMENIT FUAT MURATI
#Në karrierën e tij sportive, Fuati ka ushtruar kryesisht sportin e Notit, por kampion ka dalë edhe në Boks.
#Për t’u stërvitur me më shumë ngarkesë në sportin e notit, Fuati përdorte lejën e zakonshme në interes të përgatitjes.
#Në ekip kombëtar të notit, Fuati stërvitej më shumë nga të gjithë, ishte i zellshëm, më i zellshmi në sportin e notit.
#Nga rekordi i parë kombëtar në vitin 1979 në 4X400 m Katërnotim, dhe deri në shkurt 1991, nuk iu nda rekordeve.
#Në mesin e notarëve të Dinamos në periudhën kur garoi, Fuati bën pjesë në grupin e artë të notarëve dinamovitë.
#Në periudhën 1997-2012, Fuati ka qënë trajner te ekipi Rrari Nantes Verçeli në Itali, si dhe instruktor me moshat.
KONSIDERATA DHE VLERËSIME
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Fuati ishte i plotësuar në karakterin e një notari elitar, dhe njeri i mirë

Në të gjitha profilet e notarëve shqiptarë, Mjeshtri i Madh, Sadik Mema është shprehur me vlerësime e konsiderata, çka tregon se në këtë sport, mjeshtrat kanë qënë një fidanishte mbi ujore kampionësh dhe rekordmenësh. “Edhe Fuat Murati është pjesë e këtij grupi të artë notarësh, dhe sot ka respektin dhe mirënjohjen më të madhe. Ka qënë një notar që e udhëhoqi vetëm puna, sakrifica e karakteri, dhe kështu ai mbeti mëshirimi i punës, në sajë edhe të rezultateve të larta dhe rekordeve kombëtare. Fuati bënte sakrifica të padëgjuara, notar i veçantë në stërvitje dhe në garë, aq sa merrte lejën e zakonshme për t’u stërvitur dy deri në tre herë në ditë, sepse atëhere kushtet nuk ishin sikundër sot. Pse unë e vlerësoj në këto nivele Fuat Muratin notar? Sepse vetëm fakti që ai i thyeu rekordin kombëtar Gjigandit të notit shqiptar Shpëtim (Lime) Kote, mbetet në këto përmasa. Por mbi të gjitha, Fuati ishte i plotësuar në karakterin e një notari elitar dhe një njeriu të mirë. Jo vetëm te Dinamo, por në gjithë notin shqiptar të kohës, ai mbetet një nga notarët më të mirë shqiptarë, ku së bashku me Hysni Bregun, Janaq Muratin dhe Edmond Memën, përmirësuan disa herë rekordin kombëtar të stafetës 4X100 m Miks. Pjesë e grupit të artë te notarët e Dinamos”.
PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH
Nëse dikush quhet i talentuar nga vullneti, ky ishte Fuat Murati

“Talenti fillon me vullnetin, dhe nëse dikush quhet i talentuar nga vullneti, ky ishte Fuati”, kështu e nisi konsideratën e tij Mjeshtri i Madh Petrit Guma, i cili është një nga bashkëkohësit e Fuat Muratit në sportin e notit, dhe jo vetëm. Ai sjell në këtë bisedë disa cilësi, për të cilat ka edhe kritikën ndaj vehtes, sepse duhej folur më parë për figurën e Fuatit në Notin shqiptar. “Nuk mund të them se është harruar, por ndoshta Fuati duhet të ishte ndër të parët që mund të flitej për historinë që ka shkruar në notin shqiptar. Ndaj ai meriton respekt të veçantë si një nga notarët elitarë më të mirë, por edhe si një nga shokët më të mirë. Fuati hyn te notarët që talent ka patur vullnetin, dhe u shpreha më sipër, se nëse dikush quhet i talentuar nga vullneti, ky ishte Fuat Murati. Njeri me pozitivitet, që stërvitej me pasion, dhe këtë e kam parë te Dinamo dhe te Kombëtarja. Kam punuar e bashkëpunuar me shumë bashkëkohës të mi në ekip dhe në Kombëtare, apo edhe që i kam ndjekur nga larg, por notar që stërvitej me pasion e vullnet si Fuat Murati, numërohen me gishtat e njërës dorë. Kujtoj Mitingun Ndërkombëtar në Serez të Greqisë ku morrën pjesë shumë shtete europiane, dhe aty Fuati u rendit në vëndin e dytë”, këto janë konsideratat e Mjeshtrit të Madh, Petrit Guma.
CV Sportive / FUAT MURATI
Datëlindja: 29 janar 1963
Vendlindja: Peshkopi
Vendbanimi: Itali, Verçeli
Arsimi: Shkollën e Mesme
Profesioni: Ushtarak
Sporti i ushtruar: Notin dhe Boksin
Starti i karrierës në Not:
Në vitin 1974 në Tiranë
Starti në elitë: Me Dinamon në vitin 1974
Skuadra e parë elitare në karrierë: Dinamo, Tiranë
Stili i preferuar në gara: Katërnotim dhe Delfin
Debutimi i parë në karrierë: Me të Rriturit në vitin 1980 në Kupën e Republikës
Gara e parë ndërkombëtare në karrierë: Në Serez të Greqisë, Kampionati Ballkanik në vëndin e 2-të 50 m delfin
Rekordi i parë kombëtar: Me të Rinjtë 4X400 m katërnotim në vitin 1979
Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1990 në Serez Greqi
Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1988 në Durrës në garën 200 m delfin Fitues në gara: Nga viti 1983-1990 fitues në garat 100 m dhe 200 m Delfin, dhe në Katërnotim
Tituj e trofe si notar: Gjithmonë kampion dhe rekordmen
Karriera si trajner: Në periudhën 1997-2012, në 15 vite trajner te ekipi Rrari Nantes Verçeli, si dhe instruktor me moshat
Vlerësime, tituj e dekorime: Mjeshtër Sporti, “Naim Frashëri
Aktualisht: Në Itali, Verçeli

Të udhëtosh në garat e një kampioni!

Kështu do ta quaja rrugëtimin sportiv të Mjeshtrit të Sportit në Not, Fuat Murati. Në përgatitjen e profileve për notarët që kanë bërë histori në notin shqiptar, ka patur emra që kjo histori i ka veçuar jo vetëm nga rezultatet si notarë, por edhe si trajnerë e drejtuesa, duke i kompletuar cilësitë e tyre sportive. Duke i shfletuar këto fletë të historisë, sot me Fuat Muratin, profesioni më detyron të them se, pata rastin dhe fatin që të hedh të zezën mbi të bardhë, këto rreshta me shumë vlerë historike. Një udhëtim gazetaresk në rrugëtimin e këtij kampioni, jo vetëm që më përforcon mendimin profesional se Noti shqiptar ka qënë dhe mbetet elitë e sporteve në vendin tonë, por edhe se ky sport duhet vlerësuar si i tillë. Individët e shkruajnë historinë në çdo sport, dhe këtu kontributi i Fuat Muratit shkon në korsinë e gjithë atyre mjeshtrave e notarëve, të cilët sportin e bukurisë e kanë bërë edhe më të bukur me arritjet e tyre.




















