Intervista për Telegraf, Salvador Kaçaj: Humbëm për faj të Silvinjos, është trajner i dobët në stol

KOMBËTARJA / Ish-mbrojtësi kuqezi Salvador Kaçaj, analizon dy ndeshjet në Ligën e Kombeve

 

Agron KAJA

NOA

Shqipëria e nisi me këmbën e mbarë Ligën e Kombeve në ndeshjen e parë, pse ngeci në të dytën me Gjeorgjinë?

Po ky është ekipi kombëtar, çfarë të presim më shumë? Nuk duhet të kërkojmë më shumë nga një skuadër që në 90 minuta lojë nuk bëri një aksion të organizuar. Kjo nuk ka ndodhur edhe ndaj skuadrave më të mëdha se Gjeorgjia.

Ishte kjo një humbje, që mund t’i faturohet skuadrës në grup, apo zgjedhjeve të taktikave të trajnerit?

Kur fituam me Ukrainën, thamë që ishte meritë e trajnerit. Po tani që humbëm, çfarë do themi për Silvinjon? Unë them se faktor në humbje ishte trajneri. E quaj turp të madh për atë lojtarin që luan në Iran, Spahiu, të cilin e largoi!

Në periudhën që ju keni luajtur me Kombëtaren, jeni ndeshur me Gjeorgjinë?

Kam luajtur në dy takime. Në Tiranë më 4 dhjetor 1994 kemi humbur 0-1, dhe në ndeshjen e dytë kualifikuese për Europianin, më 26 prill 1995 humbëm në Tbilisi 0-2. Këto balance duhet t’i kishte vlerësuar mirë trajneri, pastaj skuadra, si kundërshtar i fortë.

Te goli që pësuam, cili lojtar apo repart në fushë gaboi në mbulimin e autorit të golit?

Totalisht ishte faji i Strakoshës, por edhe i mbrojtjes që e lanë lojtarin gjeorgjian të pa mbuluar. Unë mendoj se Strakosha nuk duhet të luajë në Kombëtare. Aty kanë një djalë të ri, portier shumë i mirë, Simon Simoni. Ai do jetë një yll i portës kuqezi.

Nëse do t’u kërkohej, nga porta, në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm, si i vlerësoni?

Në gjithë Botën ka një ligj që, lojtarët, të cilët nuk luajnë në skuadrat e tyre nuk mund të luajnë në Kombëtare. Kështu ndodhi edhe këtë herë me 5-6 lojtarë që nuk aktivizohen te skuadrat e tyre dhe futen titullarë. Si mund të fitonim me ta?

Në dy ndeshjet e radhës në transfertë, si e shikoni rrugëtimin e Kombëtares në Çeki dhe Gjeorgji?

Nisur nga paraqitje me Gjeorgjinë, unë them se do t’i humbin të dyja ndeshjet. Mendoj se Ukraina ka një ekip të mirë dhe me ne humbi për fajin e mbrojtjes, sepse kishte mundësi të fitonte me ne. Me keqardhje e shoh të fundit në grup.

Duke lexuar Grupin B1, cilën skuadër e shikoni si kryesuese dhe të kualifikuar për në Ligën A?

Gjeorgjia ka ekip shumë të mirë, e tregoi edhe në Tiranë. Sepse ekipi ynë kombëtar nuk bëri një aksion, i kemi bërë Spanjës një gol, edhe kur kemi humbur thellë, po kështu Gjermanisë e Portugalisë ekipe të mëdhenj

Pas Kombëtares nisi menjëherë Abissnet Superiore, cili është komenti juaj për ndeshjet në këtë sezon të ri?

Superiorja ka nivel mesatar, mos them të dobët. Duke ju referuar ndeshjeve të këtyre katër javëve, shoh se Vllaznia ka ekip të konsoliduar, por edhe Teuta do jetë konkurruese. Ekipet e tjera nuk kanë treguar stabilitet, kjo shpreh nivelin mesatar.

Jeni jashtë futbollit aktiv, keni ndonjë plan të afërt, apo të largët që të afroheni si dikur?

Unë në çdo çast të aktivitetit tim të përditshëm jetoj me futbollin. Ndjek gjithmonë Superioren e Kategorinë e Parë, dhe kur luan Kombëtarja këtu në Tiranë apo jashtë Shqipërisë, kam qënë në stadium. Një jetë me futbollin, pa të ndjehem bosh.

 

Abrashi dhe Zeka, zgjedhjet e fyera nga braziliani!

Në këndvështrimin e tij për dy ndeshjet e Kombëtares sonë në Ligën e Kombeve, Grupi B1, ish-mbrojtësi kuqezi Salvador Kaçaj, tregoi se me dy lojtarë, Abrashin dhe Zekën, Silvinjo është tallur në këto dy ndeshje. “… Se që të grumbullosh Abrashin dhe mos e aktivizosh asnjë minutë, nuk është respekt për një futbollist që ka dhënë shumë për këtë kombëtare. Nga ana tjetër, ka thirrur Zekën dhe e dërgon në tribune. Pse? Sepse Silvinjo nuk di të përzgjedhë, njëherësh edhe t’i përshtatë futbollistët në fushë sipas vlerave të tyre …”

Klasifikimi i FIFA-s, Shqipëria humb pozicione

Kombëtarja shqiptare ka humbur pozicione në renditjen e FIFA-s. pas fitores me Urainën dhe humbjes me Gjeorgjinë. Kështu, nga vendi i 66-të ka shkuar në vendin e 68-të në renditjen ndërkombëtare dhe ky është pozicioni më i dobët i Shqipërisë në tre vitet e fundit të saj. Renditja më e mirë në drejtimin e trajnerit Silvinjo është vendi i 59-të në tetorin e vitit 2023.

 

UEFA Nations Ligë

LIGA B-GRUPI B1

Ndeshjet-Shqipëria

Datë 10 shtator 2024

Ukrainë-Shqipëri         1-2

Datë 10 shtator 2024

Shqipëri- Gjeorgji       0-1

RENDITJA

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Gjeorgjia      2          6

2.Shqipëria      2          3

3.Çekia            2          3

4.Ukraina        2          0

Ndeshjet e radhës

Datë 11 tetor 2024

Çeki-Shqipëri  20:45

Datë 14 tetor 2024

Gjeorgji-Shqipëri         18:00

FlashScore “nderon” drejtimin e Silvinjos!

Sipas të dhënave statistikore të FlashScore, në ndeshjet e kombëtares sonë që kur drejtimin e saj e mori Silvinjo, kundërshtarët tanë kanë kryer më shumë sulme të rrezikshme. Ata kanë patur përqindjen më të ulët të përfundimit me gjuajtje drejt portës, por gjuajtjet kanë patur përqindjen më të ulët të përfundimit në kuadratin e tonë dhe goditjet në kuadrat kanë patur përqindjen më të ulët. Edhe pse ne kemi patur më pak sulme të rrezikshme se kundërshtarët, përqindja e përfundimit të tyre me gjuajtje drejt portës ka qenë më e larta, si dhe përqindja e tyre në kuadrat dhe e shndërrimit në gol. FlashScore “nderon” drejtimin e Silvinjos!