INTERVISTA/ Mahir Halili: Talentet e trajneri, garanci për kuqezinjtë në Europian

534

Kombëtarja dhe Superiorja në fokusin e ish-Snajperit kuqezi, Mahir Halili

Sigal

Nga Agron Kaja

“Është krijuar një kombëtare që edhe kush dëmtohet, ka zëvendësues. Rikthimi i Gjimshitit ishte një plus, por me Kumbullën e Brojën skuadra do bëhet më i fortë në muajin shtator” 

Në fokusin tuaj, cila është përmbledhja javore e futbollit tonë kombëtar edhe atij elitar?

Mund të them se në Kombëtare, trajneri Silvinjo ka bërë punë shumë të mirë, si në marrjen e elementëve të rinj, ashtu edhe në përshtatjen që ka bërë me më të vjetrit. Më pëlqeu mbrojtësi Mitaj, një talent, por edhe Asllani, Bajrami, Asani e Muçi.

Kombëtarja mori fitoren e dytë në Grupin E dhe renditet e dyta me 6 pikë, cili është këndvështrimi juaj për dy ndeshjet e luajtura?

Është krijuar një kombëtare që edhe kush dëmtohet, ka zëvendësues. Rikthimi i Gjimshitit ishte një plus në mbrojtje, por me rikthimin e Kumbullës e Brojës, skuadra do bëhet më e fortë në muajin shtator. Të dyja ndeshjet marrin vlerësime pozitive.

Në cilën prej këtyre dy ndeshjeve Kombëtarja tregoi rritje e ndryshim në lojën e saj?

Mendoj se me Moldavinë skuadra luajti shumë mirë, ishte e vendosur për fitoren. Me Ishujt Faroe bënë edhe ndonjë gabim, por më pas i rekuperoi. Të dyja ndeshjet janë zgjidhur në mënyrën më të mirë, këtu mendoj se trajneri ka punuar mirë.

Po defektet, ku mendoni se ishin në të dyja ndeshjet, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe?

Difekti është që duhet të mos falen rastet e krijuara, mos krijohen hapësira në mbrojtje, njëherësh edhe nuk duhet të gabohet shumë para portës kundërshtare. Ndryshimet në ekip janë të vogla, ndaj edhe defektet duhet që të minimizohen.

Pas këtyre dy ndeshjeve Shqipëria do të luajë në shtator me Çekinë, çfarë duhet të rregullojë trajneri?

Me Çekinë nuk duhet lënë hapësira në mbrojtje, të luajnë të gjithë në presing në gjithë fushën. Sepse Çekia është e fortë fizikisht dhe të godet nga çdo pozicion. Pa hapësira në mbrojtje dhe goditje me kundërsulm, rezultati do jetë pozitiv.

Ku e mendoni Kombëtaren në përfundimin e ndeshjeve eliminatore në Grupin E?

Nëse Kombëtarja do të luajë si në këto dy ndeshje, do të marrë rezultate maksimale në të gjitha ndeshjet e tjera. Të minimizohen gabimet e të bëjnë presing te kundërshtari, kështu edhe ekipi më i mirë në grup do dorëzohet.

Merkato dhe përgatitje për Europën, si e përshkruani ritmikën në Abissnet Superiore?

Gjithë skuadrat janë në merkato për të marrë lojtarë të rinj, sepse duhen përforcuar skuadrat. Partizani dhe Tirana duken më mirë në këtë merkato, ndërsa Egnatia ka fjalët më të mira për paraqitjen e saj. Vllaznisë i duhet punë për kompletimin e skuadrës.

Pas shortit, si i mendoni katër skuadrat tona që do të luajnë në Europë?

Partizani e ka të vështirë kundërshtarin, BATE Borisov, por ka edhe shance nëse bëjnë përforcime cilësore. Tirana, Egnatia e Vllaznia duhet të kenë kujdes ndeshjet në transfertë, të kenë vlerësim maksimal ndaj kundërshtarëve dhe të përqendrohen te kundërsulmi. Këto duhet të jenë dy armët më të forta për to.

 

Shqipëria

Në Europë 2024

Ndeshjet e luajtura-Grupi E

Datë 27 mars 2023

Poloni-Shqipëri              1-0

Datë 17 qershor 2023

Shqipëri-Moldavi           2-0

Datë 20 qershor 2023

Ishujt Faroe-Shqipëri      1-3

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Rep. Çeke          3        7

2.Shqipëria           3        6

3.Moldavia           3        5

4.Polonia              3        3

5.Ishujt Faroe        3        1

Ndeshjet e tjera të Shqipërisë

Datë 7 shtator 2023

Rep. Çeke-Shqipëri        20:45

Datë 10 shtator 2023

Shqipëri-Poloni              20:45

Datë 12 tetor 2023

Shqipëri-Rep. Çeke         20:45

Datë 17 nëntor 2023

Moldavi-Shqipëri           20:45

Datë 20 nëntor 2023

Shqipëri-Ishujt Faroe      20:45

 

Kombëtaret e vogla po tregohen cinike

Në tre ndeshjet e para eliminatore të “Euro 2024”, krahas skuadrave të mëdha, edhe disa të ashtuquajtura të vogla po tregohen të mëdha me të mëdhatë. Sepse Kazakistani në Grupin H ka 9 pikë e renditet në vendin e dytë, Luksemburgu në Grupin J ka 7 pikë në vendin e tretë, dhe Armenia në Grupin D ka 9 pikë duke u renditur e dyta. Këto skuadra “cinike” kanë lënë pas të mëdhatë në Europë, dhe ky duket si “evolimi” i futbollit të vogël mes të mëdhenjve.

Dy fitore radhazi, Silvinjo falenderon lojtarët

Trajneri i Kombëtares tonë, Silvinjo, tashmë ka drejtuar tre ndeshje zyrtare për eliminatoret e “Euro 2024”. Me 6 pikë, skuadra është pozicionuar në vendin e dytë në Grupin E, por ajo çka vlerësojnë specialistët janë ndryshimet me elementë cilësorë, si dhe përshtatja e skuadrës në të treja sfidat. Duke i marrë së bashku të treja ndeshjet, veçohet loja në grup, e mbi të gjitha, cilësitë e disa prej futbollistëve. Asani dhe Asllani kanë realizuar gola shumë të bukur, Mitaj tregoi se është tipik për krahun e majtë të mbrojtjes e së bashku me të tjerët treguan nivel në lojë. Dy ditë më pas, Silvinjo ka shkruar se e përshëndet skuadrën: “… Grupi funksionoi mirë, repartet ishin në ritmikën e skuadrës …”.

Luiza vazhdon “çudirat”, kampione me rekord në Europian

Në Kampionatin Ekipor Europian që po zhvillohet në Krakov të Polonisë, dje atletja shqiptare Luiza Gega ka shënuar një tjetër sukses. Në garën e saj të preferuar 3000 metra me pengesa, Luiza jo vetëm që është shpallur kampione, por ka vendosur rekord të ri në këtë garë me kohën 9:17.31. Në këtë garë, atletja jonë garoi në Divizionin 3, por pa asnjë pengesë për të qenë protagoniste absolute. Tre ditë më parë, Luiza Gega fitoi edhe garën e 5000 metrave, duke treguar se me këto rezultate është brenda normës për të marrë pjesë në Lojrat Olimpike Botërore “Paris 2024”.

35 vjeçarja shqiptare, 40 orë notim në Adriatik

Dje ka nisur një sfidë individuale e një avokateje, për të përfunduar sot në brigjet shqiptare të Adriatikut. Eva Buzo është gruaja e parë shqiptare që është nisur dje në 07:00 me not nga Bari, për të mbërritur sot në brigjet e Vlorës. Kjo 35-vjeçare jeton në Australi dhe sot pritet që të mbërrijë në brigjet shqiptare, me një rrugëtim ujor shumë të gjatë, Otranto-Vlorë, që mendohet të zgjasë 35 – 40 orë. Kështu ajo ka nisur të shkruajë historinë e saj si atletja e parë shqiptare që po kalon me not kanalin e Otrantos.