SUPERIORE/ Nesër luhen sfidat e javës së dytë, Igli Allmuça kërkon më shumë prani në stadiume
Agron KAJA
Si e përmbledhni performancën e skuadrave në ndeshjet e javës së parë të Abissnet Superiores?
Mendoj se ishte një javë që nuk mund të thuash ndonjë mendim të plotë për çdo skuadër. Por sa pamë në fushën e lojës, Egnatia, Vllaznia dhe Teuta ishin skuadrat që treguan më të mirën. Të tjerat mendoj se nuk u shprehën në mundësitë e tyre.
Nisur nga starti, si e mendoni vazhdimësinë e skuadrave në ecurinë e garës, pa problematikat e sezonit të kaluar?
Nuk mendoj se asnjëherë nuk do të shmangen problematikat në çdo sezon, por problematikat me arbitrat janë minimizuar gabimet me VAR. Kontestime do të ketë gjithmonë, sepse futbolli i ka problematikat si bashkëudhëtare gjatë garës.
Në javën e parë tifozeria nuk ishte në pritshmëritë e zakonshme, ka ndikuar moti i nxehtë dhe të qënurit me pushime?
Padiskutim që pushimet kanë ndikuar, si te tofizeria, ashtu edhe tek lojtarët. Muaji gusht është kulmi dhe tifozeria nuk ishte e shumtë, vetëm në ndeshje të veçanta e decisive. Elbasani e Vllaznia do t’i japin gjallëri tifozerisë, nëse do kenë ecuri pozitive.
Nga sa u pa në javën e parë, cila skuadër mendoni se ishte më e plotësuar në përgatitje dhe merkato?
Çdo skuadër do tregojë gjithmonë çfarë ekipi ka bërë, pasi të mbarojë faza e parë. Aty do duket se cilat skuadra kanë bërë merkato të mirë. Por duke e parë tërthorazi nga java e parë, e shoh se Egnatia dukej më solide dhe me autoritetin e kampiones.
Mendoni se rregulli që vetëm kapiteni i skuadrës komunikon me arbitrin gjatë ndeshjes, çfarë risie do sjellë për garën?
Këto janë gjëra të vogla, sepse kushdo që të shkojë te arbitri nuk ka ndonjë lloj rëndësie. Kjo është më shumë për estetikë se sa për rëndësi. Arbitri po e pa një moment, nuk do ta ndryshojë sa lojtarë e kundërshtojnë. Gjithsezi, mbetet një risi.
Nisur nga ky rregull, arbitrat do jenë më të lehtësuar në menaxhimin e lojës?
Niveli i një arbitri në ndeshje, nuk varet shumë nga rregulli që të flasës vetëm me kapitenët e skuadrave. Një arbitër që hyn në fushë, mendon të bëjë më të mirën dhe mes kësaj “beteje” ai pret edhe kundërshtitë e lojtarëve.
Ndeshjet e javës së dytë, mendon se kanë kalendar të vështirë për të gjitha skuadrat?
Të gjitha ndeshjet e kësaj jave të dytë janë të forta, por edhe të pa parashikueshme. Ndoshta Egnatia duket pak favorite në sfidën me Laçin, por në javët e para çdo ndeshje mbetet e fortë dhe nuk mund të përcaktosh saktë për favoritët.
Cilën nga këto ndeshje të javës së dytë do ta quani si kryendeshje?
Unë them se edhe Vllaznia me Tiranën, Bylis me Dinamon apo Elbasani me Teutën, do luhen si kryendeshje. Por si kryendeshjeve të vërtetë e mendoj në Ballsh, janë dy skuadra me zero pikë dhe ballshiotët në fushën e tyre janë të fortë.
Duke qënë se jemi në javën e dytë, cila është këshilla juaj për vazhdimësinë e garës së Superiores 2024-2025?
Ajo që do dëshironim të gjithë është që tifozeria të ndjekë skuadrat e tyre, ti japin më shumë gjallëri. Prania e tyre do rrisë performancën e çdo skuadre, mbështetja e tyre do ti motivojë më shumë lojtarët. Stadiumet bosh do sjellin ndeshje të vakta.
Egnatia vazhdon përforcimet, vjen një sulmues nga Gana
Pas javës së parë që e nisi me fitore, Egnatia nuk bën pushim me merkaton. Në faqen zyrtare të klubit të futbollit rrogozhinas bëhej me dije dje pasdite se një sulmues afrikan ka firmosur me ta për tre vite. “Klubi njoftos se në “Bordin e avionit të kampionëve” ka hypur një “luftëtar” i ri. Mohammed Yahaya, 19 vjeç, ka firmosur për tre sezone, duke nisur kështu një udhëtim të gjatë me ne”.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2024-2025
Ndeshjet-Java 2
Datë 25 gusht 2024
Egnatia- Laçi 17:00
Partizani-Skënderb 20:00
Vllaznia-Tirana 20:00
Datë 26 gusht 2024
Bylis-Dinamo C 17:00
AF Elbasani-Teuta 20:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 1 3
2.Teuta 1 3
3.Vllaznia 1 3
4.AFElbasani 1 1
5.Laçi 1 1
6.Skënderbe 1 1
7.Tirana 1 1
8.Bylis 1 0
9.Partizani 1 0
10.DinamoC 1 0
MERKATO
Dinamo kërkon përforcim të ri, Hasaj për mesfushën
Në ndeshjen e parë të kampionatit me Egnatian, Dinamo City tregoi se kishte mangësi në repartin e mesfushës, dhe për këtë drejtuesit e skuadrës janë hedhur në sulm për një ish-të Kukësit. Bëhet fjalë për mesfushorin e Kukësit në sezonin e kaluar, Françesko Hasaj, i cili nuk është emër i panjohur te dinamovitët e tani emri i tij është kthyer në “modë” dhe po diskutohet sërish për mënyrën e marrjes nga Kukësi. Ditët në vazhdim deri në mbyllje të merkatos do të tregojnë më shumë për këmbënguljen e Dinamos.
Nga Partizani në La Liga 2. Maget përshëndet të kuqtë

Nga një lojtar në konflikt me klubin, Maget Guaje u kthye në tre sezone te lojtari kyç i Partizanit. Te skuadra e kuqe ai erdhi 18 vjeç dhe e nisi me luhatje, njëherësh edhe me probleme me ish-trajnerin Dritan Mehmeti. Por ardhja e Kolelës e “zgjoi” dhe ai u gjet menjëherë titullar, për t’u bërë më i pazëvëndësueshëm edhe me Orges Shehin. Në dy sezone Maget u kthye në lojtar kyç për mesfushën e skuadrën e Partizanit dhe forma e tij e mirë e bëri të kërkuar edhe në Europë. Tashmë ka firmosur në La Liga 2 të Spanjës me skuadrën e Rasing Cantander duke u bërë për Partizanin momentalisht, merkato më e shtrenjtë në dalje.




















