Futboll në Telegraf/ Mbyllet faza e parë e Superiores. Flet Shyqyri Ballgjini: Skuadrat janë treguar të paqëndrueshme, në lojë dhe rezultate. Klasifikimi dhe analiza nga Agron Kaja dhe Romeo Haxhiaj për Kategorinë e Parë

ABISSNET SUPERIORE/ Ja analiza e fazës së parë, flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh, Shyqyri Ballgjini

Agron Kaja

NOA

Skuadrat janë treguar të paqëndrueshme, në lojë e rezultate

Sa nostalgji keni për kohën kur luajtët futboll me Dinamon, si pjesë e treshes më të famshme: Përnaska-Ballgjini-Zëri?

Është e natyrshme nostalgjia për kohën që kam luajtur futboll, dhe jo vetëm për ndeshjet “Derbi”. Sepse të gjitha përballjet që kam luajtur në 9 vite karrierë, kanë të veçantat e tyre, bukuritë apo mangësitë që e shoqërojnë lojën e futbollit.

Në karrierën tuaj si futbollist i Dinamos, sa herë e keni luajtur “derbin” e kryeqytetit Tirana-Dinamo, dhe anasjelltas, dhe sa gola keni shënuar?

Në memorrjen time janë rreth 18 ndeshje me Tiranën, dhe nëse do të shtoja edhe ato me Partizanin, mendoj se shkojnë te 32 sfida të tilla të luajtura. Për golat nuk do jem shumë i saktë, por duhet të shkojnë te rreth 10-12 të tillë ndaj Tiranës.

Superiorja luajti pesë ndeshje në tre ditë, një javë që nuk shpëtoi pa një trajner të larguar, si e komentoni?

Dorëheqja e Di Biaxhos nga stoli i Dinamos mendoj se është një lëvizje prej profesionisti. Ai e pa se nuk mund të shkonte më gjatë, dhe kjo i shërben rregullimit të situatës. skuadrat duhet të jenë të përgatitura fizikisht e psikologjikisht që t’i përballojnë lëvizjet e trajnerëve.

Si i përshkruani të gjitha ndeshjet e fazës së parë të Abissnet Superiore?

Unë nuk do të përsëris shumë veten në këtë bisedë, por i qëndroj mendimit tim se, në fazën e parë ka patur paqëndrueshmëri nga të gjitha skuadrat. Ndoshta edhe nuk janë përshtatur plotësisht, çka mund të ndodhë në fazën e dytë e në vazhdim.

Po në tërësinë e 44 ndeshjeve të luajtura në këtë fazë të parë, çfarë konstatoni, ose veçoni?

Ka luhatje të skuadrave, si në lojën që zhvillojnë ndeshje pas ndeshje, ashtu edhe në rezultatet që arrijnë. Nuk është një Superiore e qëndrueshme, dhe për pasojë ende nuk kemi një skuadër që të ketë fituar mbi 75% të ndeshjeve në fazën e parë.

Renditja e fazës së parë çfarë tregon për situatën e dhjetë skuadrave?

Kjo tregon atë që e përmenda më sipër, paqëndrueshmërinë e tyre, dhe këtu natyrisht që nuk e përjashtoj Dinamon, e cila edhe në ndeshjen me Teutën zhgënjeu, kryesisht në pjesën e dytë. Dhe për pasojë, humbi një tripikësh me vlerë.

Më 27 tetor nisin ndeshjet e javës së 10-të menjë tjetër “Derbi” të kryeqytetit, Tirana-Dinamo City, si e parashikoni?

Sot, ndeshjet “Derbi” të kryeqytetit kanë tjetër atmosferë nga ajo që kam përjetuar unë kur isha pjesë e Dinamos. Duhet të largohemi nga nostalgjia e të flasim realitetin, i takoj brezit që krenohej me Dinamon. Sot kombëtarja të tërheq më shumë dhe jemi krenarë. Ndërsa “derbin” e shoh me interes, fusha do vendosë.

Sa ju tërheq fjala shtesë “City”, pas emrit të themelimit të kësaj skuadre të madhe në futbollin shqiptar?

Nuk është dramatike, ky ndryshim është çështje e kohës. Nuk shikoj me xhelozi, mjafton që quhet Dinamo, është në rrënjët e asaj që u themelua në vitin 1950.

Rëndësi ka që Dinamo është lidhur me Akademinë e Mançester Siti.

18 ndeshje

Në karrierën e tij 9 vjeçare me Dinamon, Shyqyri Ballgjini ka luajtur rreth 18 ndeshje në “derbin” me Tiranën.

12 gola

Në karrierën e tij 9 vjeçare me Dinamon, Shyqyri Ballgjini ka shënuar rreth 12 gola në “derbin” me Tiranën.

 

BILANCI TIRANA-DINAMO CITY

NË KAMPIONAT

Ndeshje 142, Fitore Tirana 61, Barazime 34, Fitore Dinamo 47, Golat 216:184.

 

NË KUPË

Ndeshje 31, Fitore Tirana 9, Barazime 6, Fitore Dinamo 16, Golat 32:44.

 

NË TOTAL

Ndeshje 173, Fitore Tirana 70, Barazime 40, Fitore Dinamo 63, Golat 248:228.

 

 

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 9

Të shtunën, 21 tetor 2023

Skënderbeu-Vllaznia      0-2

Të dielën, 22 tetor 2023

Kukësi-Laçi                    1-0

Dinamo-Teuta                2-3

Të hënën, 23 tetor 2023

Tirana-Egnatia               2-3

Erzeni-Partizani             1-2

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              9        19

2.Partizani            8        17

3.Laçi                             9        13

4.Tirana               9        13

5.Vllaznia             9        12

6.Skënderbeu       9        12

7.Teuta                 8        11

8.Erzeni                9        11

9.Kukësi               9        10

10.Dinamo City   9        7

 

 

 

Dukuria me trajnerët, gjashtë të larguar në fazën e parë

 

Dje, Abissnet Superiore mbylli ndeshjet e fazës së parë, duke përjashtuar takimin e prapambetur të javës së parë Partizani-Teuta, i cili është planifikuar të luhet më 4 nëntor. Por ajo çka veçohet mes të tjerash në këtë fazë, janë largimet e trajnerëve. Ato nisën me Stavri Nicën te Laçi në javën e dytë dhe vazhduan me Hallaçin te Kukësi, më pas radha ishte për Diego Longon nga Teuta, Skerdi bejzaden nga Laçi, për t’u pasuar nga Orges Shehi te Tirana, duke mbërritur te Luixhi Di Biaxho nga Dinamo City. Një numur trajnerësh të larguar në fazën e parë, gjashtë, ndoshta edhe si rekord, nisur me Laçin që ka provuar tre bankina në 9 javë kampionat.

ABISSNET SUPERIORE

 TIRANA-EGNATIA 2-3

Egnatia përmbys Tiranën, “saldon” kreun e renditjes

Pas humbjes në “Derbin” me Partizanin më 19 tetor, Tirana pritej të reagonte dje në “Selman Stërmasi” ndaj Egnatias, madje fitorja e saj mendohej opsioni i vetëm. Por kjo mbeti vetëm një ëndërr bardheblu që zgjati vetëm 53 minuta, kur rezultati ishte 2-1 për Tiranën. Dy golat e Duamena dhe Paulauskas i dhanë goditjen, e cila nuk arriti që të reagonte, me gjithë ndryshimet që bëri trajneri Ahmataj. Me këtë fitore, që përkon edhe me javën e parë të fazës së dytë. Egnatia vazhdon të kryesojë me meritë Superioren, tashmë e shkëputur nga ndjekëset. Në javën e 10-të, rrogozhinasit do të luajnë në transfertë në Korçë, ku më 28 tetor në stadiumin “Skënderbeu” do të duhet të tregojë vlerat e kryesimit. Një test edhe për korçarët.

ERZENI-PARTIZANI 1-2

Partizani fiton në ekstrem, mbetet 2 pikë larg Egnatias

 

Në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme, Partizani fitoi takimin e fundit të fazës së parë ndaj Erzenit, sfidë që u luajt në shtëpinë e tij “Arena e Demave”. Ishte Tedi Cara për të kuqtë që sinjalizoi fitoren, duke i mbyllur 45 minutat e para në avantazh të dyfishtë, me gol dhe superioritet numerik, pas kartonit të kuq të Kahrimanoviç. Por shijakasit nuk u “dorëzuan”, dhe në minutën e 64-t Meçja barazoi rezultatin. Vuajtjet e Partizanit për të gjetur golin e fitores do të mbaronin pikërisht në minutën e 90-të, teksa Alfred Mensah shënoi golin tri-pikësh. Një fitore që e mban 2 pikë larg Egnatias kryesuese, duke e bërë edhe më interesante ndeshjen me Teutën, të parën e fazës së dytë, ndërsa ajo e fazës së parë ende nuk është luajtur.

KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti i Apolonisë e Bylisit, Romeo Haxhiaj hedh “dritë” për kryendeshjen e javës së 9-të

Apolonia-Bylis, sfida, që i trazon të tre rezultatet

Agron Kaja

Kategoria e Parë i mbylli ndeshjet e javës së 8-të të dielën, dhe rezultatet nuk e ndryshuan kreun e fundin e renditjes, duke bërë lëvizje në vendet e tjera. Por ajo që veçohet pas kësaj jave është qëndrueshmëria e Bylisit të Ballshit në kreun e renditjes, madje i shkëputur me 4 pikë nga ndjekësja e afërt, Apolonia e Fierit. Dhe janë pikërisht këto dy skuadra që do të përballen mes tyre në javën e 9-të në Fier, një sfidë e cila do të flasë shumë për ecurinë e tyre në vendet e kreut. Dhe ky i quajtur si një “derbi-myzeqar” nuk duhet të mungonte nën këndvështrimin e specialistit të futbollit fierak Romeo Haxhiaj, ish-futbollist edhe i Bylisit, Apolonisë, Vllaznisë e Partizanit. Haxhiaj e shikon këtë përballje si një sfidë, e cila i ka të tre rezultatet, ndaj sipas tij pritet që edhe t’i ngushtojë diferencat në pikë për dy skuadrat e kreut. “Ndoshta nuk ishte menduar që Apolonia e Bylisi do të ndesheshin në javën e 9-të në të tilla pozicione që kanë të bëjnë me kreun e renditjes. Duke parë situatën e të dyja këtyre dy skuadrave në tabelën e renditjes, unë mendoj se në përballjen e javës së nëntë mes tyre, do të jenë të treja rezultatet në fushën e lojës. Janë vetëm 4 pikë diferencë mes tyre dhe unë shoh Apoloninë më pranë fitores, edhe për faktin se në përballjet e tyre në “Loni Papuçiu”, skuadra fierake rrallë ka gabuar. Janë dy skuadra me ecuri të mirë në tetë javët e luajtura, dhe pritet një ndeshje si “derbi”, edhe për historinë mes tyre në kampionatet e kaluara”, kështu e mendon këtë përballje ish-futbollisti i Apolonisë dhe Bylisit, Romeo Haxhiaj, i cili më pas për gazetën “Telegraf” theksoi më pas se gara në Kategorinë e Parë ka shumë rivalitet, jo vetëm si kjo sfidë mes Apolonisë e Bylisit. “Kategoria e Parë në këtë sezon duket sikur ka edhe një “luks”. Sepse nga 12 skuadra, aty janë 10 që kanë luajtur në elitën e futbollit shqiptar, madje AF Elbasani e Flamurtari kanë dalë edhe kampionë, apo edhe skuadra të tjera që kanë fituar Kupën e Shqipërisë. Ndaj gara në këtë kategori është duke u zhvilluar me shumë rivalitet, duke përjashtuar edhe ndeshje të dobëta, apo edhe nën nivelin e kësaj kategorie. Java e 9-të në kalendarin e saj sjell ndeshje të vështira, sepse ka  përballje “derbi”, si ajo Besa-Luzi, por janë edhe të tjera me aromë Superioreje, si Elbasani-Tomori, Burreli-Flamurtari dhe Lushnja-Kastrioti. Mendoj se do shohim një javë të “zjarrtë”, në kuptimin e lojës dhe të rezultateve, edhe me ndonjë surprizë”, ishte ky mendimi i specialistit të futbollit, Romeo Haxhiaj, për situatën e skuadrave të Kategorisë së Parë në prag të ndeshjeve të javës së 9-të.

Duke parë situatën e të dyja këtyre dy skuadrave në tabelën e renditjes, unë mendoj se në përballjen e javës së nëntë mes tyre, do të jenë të treja rezultatet në fushën e lojës.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 9 

Të shtunën, 29 tetor 2023

Apolonia-Bylis              14:00

Besa-Luzi                       14:00

Burreli-Flamurtari                   14:00

Lushnja-Kastrioti           14:00

Vora-Korabi                            14:00

AF Elbasani-Tomori      14:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  8        21

2.Apolonia           8        17

3.AF Elbasani      8        16

4.Flamurtari                   8        15

5.Vora                  8        15

6.Korabi               8        11

7.Tomori              8        10

8.Kastrioti            8        9

9.Lushnja             8        7

10.Besa                8        5

11.Burreli             8        4

12.Luzi 2008        8        2