Dritan Smajli: Niveli i Superiores i ulët, “Final 4” do e prishë garën

138
Sigal

SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” Dritan Smajli, ish-futbollisti i Tiranës, Vllaznisë e Kukësit

Agron Kaja

“E vërteta është se në Superiore ka rënë niveli i saj, kryesisht në cilësi. Skuadrat kanë edhe vështirësi ekonomike dhe ky mund të jetë një fakt. Por edhe interesi publik ka rënë, ku më shumë tifozë ka në kategoritë e ulta.”

Nga një ish-lojtar në Superiore sot trajner në inferiore, si ka ndryshuar ritmika e jetës suaj sportive në përvojën e re?

Ndryshimi është thuajse në 100%. Sepse kur je futbollist është më e lehtë, pasi zhvillohet me urdhrat e trajnerit. Ndërsa si trajner duhet të menaxhosh grupin, të cilin duhet ta përgatitesh për ta hedhur në fushë.

Janë luajtur 18 javë kampionat dhe kreu me fundin e renditjes nuk kanë ndryshim, pse ndodh kjo sipas jush?

E vërteta është se duke parë kreun e renditjes, Egnatia kryesuese ka një skuadër e mirëinvestuar dhe me një buxhet nga më të mirët dhe me meritë është në krye. Teuta duhet ta pranojë se është skuadra që ka prodhuar më pak në këto javë.

Vëmendjen kryesore në këtë javë e merr Egnatia-Tirana, e quani këtë si kryesfidën e javës?

Padiskutim që po, ishte një kryesfidë, që ndeshi dy skuadra me kahje historike të ndryshme. Tirana 26 herë kampione dhe Egnatia një zonjë e re. Ishte një ndeshje interesante, por Tirana ta ketë parasysh se jo gjithmonë duhet të dalë kampion.

Java e 18-të do të mbyllë vitin 2023, mendoni se “kampionia e dimrit” dhe fundi i tabelës ishin të merituar me çka treguan?

Renditja që mbylli këtë vit në Abissnet Superiore, mendoj se është reale. Por do shpresoja që Teuta diçka të ndryshojë vitin tjetër, sepse do jetë humbje për Superioren pa këtë skuadër. Kreu dhe fundi i tabëlës janë për sa kanë dhënë.

Në javën e kaluar u shfaqën elementët e dhunës në ndeshje, mendoni se do kemi rikthimin e fenomenit “kancer” të futbollit?

Unë jam ndër të vetmit sot që mendoj se nuk duhet të ekzistojë më dhuna në futbollin tonë, i cila ndër vite e ka shoqëruar. Por dhunë brenda fushës, është e pafalshme për futbollin tonë. Stop dhunës, sidomos në brendësi të fushës.

Në këndvështrimin tuaj teknik, çfarë konstatoni në 18 javë të luajtura të Abissnet Superiore?

E vërteta është se unë e ndjek Superioren, dhe shoh se ka rënë niveli i saj, kryesisht në cilësi. Skuadrat kanë edhe vështirësi ekonomike dhe ky mund të jetë një fakt. Edhe interesi publik ka rënë, ku më shumë tifozë ka në kategoritë e ulta.

Superiorja rikthehet më 11 janar 2024, çfarë mund të bëjnë skuadrat në këtë hapësirë 15 ditore pa ndeshje zyrtare?

Gjithmonë muaji janar të ofron pak për t’u përgatitur dhe për merkato të mirë. Them se të gjitha skuadrat duhet të ndryshojnë diçka, kryesisht te skuadrat nga mesi e fundi i tabelës. Nuk kanë shumë diferenca skuadrat, por realiteti është i tillë.

Si ish-futbollist në Superiore, si e mendoni grupimin e skuadrave në “Final 4”?

Kur u hodh si ide “Final 4”, u mendova se për çfarë po flasin. Me kalimin e ndeshjeve, e shoh si një skemë të dështuar, që nuk i vlen futbollit shqiptar. Sepse e prish garën dhe nuk do jetë pozitive për futbollin tonë. Do ketë edhe tolerime.

 

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 18

Të premten, 22 dhjetor 2023

Teuta-Dinamo City     1-2

Vllaznia-Skënderbeu   5-0

Të shtunën, 23 dhjetor 2023

Laçi-Kukësi                 1-1

Të dielën, 24 dhjetor 2023

Egnatia-Tirana                         0-5

Partizani-Erzeni          1-2

RENDITJA

Skuadrat                      Nd       Pikë

1.Egnatia                     18        37

2.Partizani                   18        32

3.Tirana                       18        26

4.Vllaznia                    18        26

5.Dinamo City            18        22

6.Skënderbeu              18        22

7.Laçi                          18        21

8.Erzeni                       18        21

9.Kukësi                      18        19

10.Teuta                     18        15

Shehi është gati, pas Erzenit vesh tutat e Partizanit

Pas një kalvari dy-mujor me Tiranën, kryesisht për anën zyrtare të shkëputjes nga bankina bardheblu, më në fund Orges Shehi është i lirë të ulet në stolin e Partizanit. Vetë drejtori Arbër Abilaliaj është shprehur se ka akord me teknikun Shehi. “Ditët në vijim kemi pasur akord total prej shumë kohësh me trajnerin. Besoj që shumë shpejt do jetë dhe dita për të bërë zyrtarizimin”, ka deklaruar Abilaliaj, duke qartësuar se ky ishte projekt që kemi filluar të punojmë që në 5 tetor. Kështu, Orges Shehi kalon në anën tjetër të kryeqytetit, pas disa vitesh qëndrimi te Tirana, dhe pritet të shihet sesi do jetë Partizani nën urdhërat e tij.