Brtighton ndaj Romës, De Zerbi: Daniele De Rossi është mik i imi, ai do të bëhet një trajner i madh

25
Sigal

Shorti i Europa League ka vënë përballë në turin tjetër Brighton e Roberto De Zerbit me Romën e Daniele De Rossit. Një përballje mes dy skuadrash të cilat duan të bëjnë mirë në këtë turne, por mbi të gjitha është një sfidë mes dy trajnerësh që janë shumë miq me njëri-tjetrin, siç ka zbuluar vetë ai i klubit anglez.

“Roma është një kundërshtar i vështirë, por unë dua të vazhdoj të përqendrohem te Everton, ndërsa më pas do të kemi edhe sfidën e FA Cup ndaj Wolves. Ndaj Romës do të jetë një ndeshje e vështirë, por nëse duam të ecim përpara në Europa League, e dimë që duhet të luajmë dhe fitojmë ndaj kujtdo”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp para sfidës me Everton në kampionat.

“De Rossi është një mik i imi. Vajzat tona janë gjithashtu mike me njëra-tjetrën dhe unë kam prej shumë kohësh një respekt të madh për të. E dija që para se të shkonte te Roma që mund të bëhej një trajner i madh, pasi edhe si futbollist tregonte në fushë karakter të pabesueshëm, edhe për shkak se babai i tij është një trajner.

Ai e ndjen dhe merr frymë me futbollin ashtu si unë, ka një zemër të madhe, është një person i apasionuar dhe siç e thashë, jemi miq të mirë. Por qartësisht shpresoj që të fitoj unë”, tha De Zerbi para gazetarëve.