Artan Bano: Aktorët e garës mos luajnë me ngarkesa psikologjike!

45

KATEGORIA E PARË/ Për gazetën “Telegraf” Mjeshtri Madh, Artan Bano, analizon 24 ndeshjet e luajtura

Sigal

Agron Kaja

Agron Kaja

 

“Java e katërt mbylli serinë e 24 ndeshjeve të luajtura, dhe mendoj se janë luajtur ndeshje të forta dhe interesante. Si dukuri mbetet fakti se skuadrat me më shumë siguri po arrijnë rezultate pozitive jashtë fushave të tyre.”

Në Kategorinë e Parë u luajtën ndeshjet e javës së katërt dhe rezultatet që u shënuan, natyrisht që sfida e fundit mes AF Elbasanit e Apolonisë tërhoqi shumë vëmendje. Një ndeshje që nga specialist të ndryshëm u quajt si e Superiores, dhe në këtë mendim është edhe ish-futbollisti e trajneri i Lushnjës e Partizanit, Artan Bano. Madje ai thekson për gazetën “Telegraf” se të gjitha ndeshjet e javës së katërt ishin të forta, por edhe interesante për lojën që prodhuan e rezultatet që shënuan. “Java e katërt mbylli serinë e 24 ndeshjeve të luajtura dhe unë mendoj se janë luajtur ndeshje të forta dhe interesante. Unë e veçoj kryesisht javën e katërt, ku si dukuri veçoj faktin se tashmë skuadrat me më shumë siguri po arrijnë rezultate pozitive jashtë fushave të tyre. Kështu duket se kampionati do jetë shumë i fortë dhe me të papritura, ku AF Elbasani duket si skuadra e parë që do ngjitet në Superiore”, kështu e nisi deklarimin e tij Mjeshtri i Madh Artan Bano, i cili shton se ka patur edhe ngarkesë psikologjike te lojtarët e trajnerët. “Mos harrojmë se Kategoria e Parë është një Superiore B, dhe brenda saj disa ekipe marrin ngarkesa të larta psikologjike, duke e frenuar deri diku edhe ecurinë e tyre në garë. Po kështu edhe me disa trajnerë që nuk e kanë përvojnë e duhur në bankina. Ndaj them se si Lushnja, Flamurtari apo edhe Besa, këtu e kanë patur ngërçin në këto katër javë”. Ndërsa nesër do të luhen ndeshjet e javës së pestë, Bano e shikon kalendarin si “pa mëshirshëm” sepse do të përballen disa skuadra që kanë luajtur e kanë fituar tituj e kupa në Abissnet Superiore. “Kalendari i javës së pestë na sjell ndeshje të forta dhe të hapura për rezultatin. Duke qenë se ky kampionat është rritur në cilësi dhe në drejtim, të tilla situate do të jenë prezente javë pas jave. Në logjikën time si teknik, do veçoja dy prej ndeshjeve të kësaj jave, Lushnja-Flamurtari dhe Besa-AF Elbasani. Duke i parë këto çifte nisur nga historia dhe aktualiteti i tyre, mendoj se do jenë si kryendeshje të javës. Por asnjëherë nuk mendoj se ndeshjet e tjera do jenë të dorës së dytë. Përkundrazi, duke i parë me kujdes, në të gjitha prej tyre priten ndeshje të luftuara. Në këtë kategori unë mendoj se të gjitha skuadrat nuk kanë shumë lojtarë stoli, ndaj edhe duhet të bëjnë kujdes në pësimin e golave”, kështu e mbylli bisedën Artan Bano për zhvillimet në Kategorinë e Parë, e cila nesër nis ndeshjet e javës së pestë të saj.

NDESHJET, JAVA 5

Të mërkurën, 27 shtator 2023

Kastrioti-Luzi 2008        15:00

Të enjten, 28 shtator 2023

Bylis-Korabi                  15:00

Vora-Tomori                  15:00

Lushnja-Flamurtari         15:00

Apolonia-Burreli            15:00

Besa-AF Elbasani           15:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.AF Elbasani       4        10

2.Bylis                  4        10

3.Tomori              4        8

4.Apolonia            3        7

5.Vora                  4        6

6.Korabi               4        5

7.Flamurtari           4        5

8.Besa                  4        4

9.Kastrioti            4        3

10.Lushnja            4        3

11.Luzi 2008        4        2

12.Burreli             4        1

Një “bravo” e Dedes për AF Elbasani

Në fakt, në sport nuk ka vlerësim me fjalën “bravo”, por gjithmonë ajo shprehet në mënyrë falenderuese. Ndryshe këtë herë, Nevil Dede e ka vlerësuar me një “bravo” skuadrën e tij, për fitoren 3-2 ndaj Apolonisë. “Unë i jap një “bravo” ekipit tim për përmbysjen e rezultatit, e po kështu edhe Apolonisë”. Kjo fitore në javën e katërt i dha AF Elbasanit kryesimin e kampionatit të Kategorisë së Parë.