Vangjush Saro: Frika (shekullore) për bashkimin me Kosovën

13
Sigal

Ngjarjet e fundit – me provokime e vrasje – pasuan atë çfarë u pa në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku z. Vuçiç foli krejt mbrapsht për Kosovën dhe për shqiptarët. Këto ndodhin ndërkohë që janë shtuar “përdredhjet” e Perëndimit; ata po e miklojnë Serbinë, po nxisin oreksin e saj për ta mbajtur konfliktin me Kosovën të hapur. Për problemet me fqinjët, Serbinë më së pari, deri diku edhe Greqinë, por edhe për raportet me BE-në dhe SHBA-të, që dikë e lodhin e dikë e përkëdhelin – dhe kjo është një taktikë e njohur – për këto, diplomacia do të vazhdojë të ketë punë edhe më pas. Ne, edhe njëherë, duhet të kuptojmë që Shqipëria dhe Kosova, më vete e mes vedi, kanë problem, të cilat duhej të ishin zgjidhur me kohë. Ne jemi në pikën kritike kur duhet të verifikojmë vetveten, kombin, bashkimin e tij; në kuptimin e përafrimit të politikave, shërbimeve, vendimeve, zgjidhjeve që (realisht) duheshin bërë dekada më parë.

Në fillim të viteve ‘90, kur Rexhep Qosja erdhi në krye të një lëvizjeje që quhej “Pajtimi Kombëtar”, -gjoja-demokratët dhe “titistët” e Shqipërisë nuk e pritën mirë. Këto ditë, u pa sërish që ne jemi gjithë të ndarë, e për më keq, të nëpërkëmbur; dhe duhet t’i thërrasim mendjes. Nuk po duam t’u kundërvihemi aleatëve, nuk se vuajmë për të ngacmuar Serbinë a kënd tjetër, s’jemi dalluar kurrherë për luftëra e provokacione; por s’na pengon kush të kapemi për duarsh tani, një herë të vetme. Dhe ka një sërë mënyra për ta bërë këtë e për t’u ndjerë gjithnjë e më të bashkuar. Siç jam shprehur edhe në shënime të mëparshme, kjo gjë, para së gjithash kërkon që dheu amë të jetë pak më në rregull, ta ketë disi punën në vijë, të mos jetë rrumpallë për veten e vet… Pse shkoi puna gjer te provokimet dhe vrasjet? Pse z. Vuçiç bën të “fortin” duke folur veresie? “Një e ashtuquajtur Kosovë,”- thotë ai. Dhe ka të drejtë të flasë përçart, për sa kohë snobët tanë i rrinë atij “lepe-peqe”, për sa kohë vetë Kryeministri ynë i ka bërë dhe i bën shoqëri (të tepruar), flet për Shengen ballkanik, i shmang deklaratat e fëlliqura, nuk gjen gjuhën me homologun e pjesës tjetër të kombit, e kështu më tej. Në këto e sipër, edhe vetë lideri i Kosovës (pjesërisht aso) z. Kurti, ndjek me kokëfortësi linjën e vet, pa kontrolluar kë ka përqark e në krah. Ky vend që quhet Serbi, gjithnjë është faktorizuar, ia ka dalë të dëgjohet e të përkëdhelet. Në Lindje, ka aleatë që s’e tradhtojnë asnjëherë. Evropa dhe SHBA-të gjithashtu e duan; përherë e kanë dashur, sepse shohin më së pari interesat e tyre strategjike, mëtojnë dobësimin e gjigandëve të Lindjes, Rusisë sidomos. Mandej, ata vlerësojnë tek ajo mënyrën se si “vallëzon”, kujtojnë sukseset e Titos, që “e vërtiti dhe u vërtit” si mundi, me të gjithë; dhe, njëfarësoj mirë bëri. Por ne s’kemi më punë me Serbinë; bota (dhe lufta e UÇK-së) e ndanë Kosovën prej saj, që do të thotë se ajo është tani më pranë se kurrë hartës origjinale, etnike, të Shqipërisë. Nuk po kërkon askush të ndërrojnë kufijtë, të krijohen eksese; por… qeveritë shqiptare, fill pas ‘90-ës kanë marrë përsipër të harmonizojnë veprimet me Kosovën, të afrojnë dy shtetet, të ribëjnë kombin, paçka se në dy hapësira të ndara administrativisht. Janë kaq shumë zotime, me fjalë dhe në letër. Mirëpo, çfarë po bëjnë ato? Asgjë dhe gjithçka. Me politikat e mbrapshta dhe me shpërndarjen e kobshme të të ardhurave të shtetit, e syrgjynosën në emigracion gjysmën e shqiptarëve. Më tej, e qelbën me inceneratorët dhe duke prodhuar pareshtur hajdutë e të dyshuar për abuzime. I ranë Portit të Durrësit e do bëjnë edhe atje kulla, do ta mbysin ca më keq se ç’kanë mbytur Tiranën e mjerë. (Na qenka një pasunar arab, që s’e zënka gjumi për të zhvilluar Durrësin dhe Shqipërinë!) Folën për mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës dhe dështuan me gjithsej. I kishin si asnjëherë tjetër mundësitë për t’u përafruar në arsim, kulturë, sporte, etj. dhe kanë bërë aq pak, sa të vjen zor ta kujtosh çfarë (dhe sa pak) është arritur… Ndërkaq, të tjerët nuhasin situatën, shikojnë rrumpallën tonë dhe… bëjnë revansh.

Ngrihet një nacionalist i sëmurë si z. Vuçiç dhe thotë “një e ashtuquajtur Kosovë”. Çfarë turpi! Jo për atë, se ai bën lojën e vet, por për qeveritë shqiptare, që nuk dinë e nuk munden t’i vënë atij “kufirin te thana”. Në histori, përçarja ndër shqiptarë ka prodhuar vetëm drama e vuajtje. Kjo po përsëritet; dhe është kaq për t’u habitur. Andej e këtej, disa njerëz snobë bëjnë çmos të çorodisin të vetët, duke krijuar njëmijë përfytyrime për problemet aktuale, por asnjëherë atë që duhet, të vetmin. Të tjerë myteberë nuk ndajnë dot se kë duan më shumë, Vuçiçin apo drejtuesit e Kosovës. Një palë tjetër derdhin vrer mbi të shkuarën, sulmojnë kulturën, gjuhën, standartin, duke rikthyer të folmet, dialektet dhe duke mbajtur gjallë konfliktet, mëritë dhe urrejtjet e kohëve e rasteve të panumërta, që koha (në fakt, rendi i shkuar) i prodhuan me shumicë. Ndonjëherë të bëhet sikur shqiptarët e duan këtë kaos; kupto, klanet shqiptare, në mos më gjerë se kaq. Dhe prandaj kanë frikë nga bashkimi. Një frikë shekullore! U deshën fashistët italianë dhe më pas ata gjermanë për t’i bashkuar dy vendet në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të saj, shqiptarët prapë i zuri frika; mbase edhe pabesia. Kështu edhe në fillim të viteve ‘90. Tash prapë në frikë po jetojnë. Nga ta vërvisim këtë dreq argumenti, se është vërtet e pakuptueshme… S’po kërkon njeri luftë, s’po provokon askush palën tjetër, por thjesht duhet me i kujtue asaj që ashtu siç u nda Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, nj’ashtu u nda edhe Kosova; për më tepër, ndryshe nga ish-republikat e tjera, nga shtetet e tjerë, ajo, Kosova, nuk kishte asnjë lidhje të qenësishme me Serbinë dhe ish-Jugosllavinë: as në gjuhë, as në zakone, as në histori. Kosova i shpëtoi një pushtimi shekullor, i shpëtoi dhunës; duhet të jetë më pranë se kurrë dheut amë. Dhe ky i fundit, Shqipëria, duhet ta mbrojë atë, t’i dalë zot kur e vrasin dhe e përçmojnë, të hapë gojën për bashkim në kuadrin e pranimit në BE, të aspirojë mirëqenien dhe të ardhmen e përbashkët të një populli, të cilit historia dhe disa protagonistë të saj (veças Serbia) i kanë borxhe që ka ardhur koha të shlyhen. Kjo do të thotë: ne në punën tonë, e Serbia në të vetën.

Mbeti duke krijuar konflikte për ca pak fshatra, që koha i trazoi nga pikëpamja demografike, ndërsa hartat e krijuara nga “parimorët” pranoheshin symbyllur. Respektim i të drejtave të qytetarëve e pakicave (atyre serbe në Kosovë dhe atyre shqiptare në Serbi) ky është detyrim, por jo krijimi i minishteteve brenda shtetit. Por ja që këto punë nuk mbyllen me kaq. Ajo nuk i ndahet Kosovës; është me të vërtetë një marrëzi. Dhe Perëndimi, BE-ja, SHBA-të duhet të kuptojnë se nuk mund të shtyhet pa fund me lojëra dhe dredhi, si në shekujt e kaluar. Këtë duhet t’ua thonë atyre edhe Shqipëria, edhe Kosova; por duke qenë të bashkuara, së paku në vijat kryesore të politikës së sotme dhe që kanë të bëjnë me shqiptarinë. Të tjerët mund ta përkëdhelin Serbinë, punë e tyre; politikanët shqiptarë e kosovarë duhet t’i tregojnë vendin, por duke qenë një zë, çka do ta zbulojë më qartë sa trim dhe sa kokëfortë është z. Vuçiç. Politikanët shqiptarë, së paku një herë, një herë të vetme, duhet t’u ikin klaneve e frikës dhe të mendojnë për ta ribërë kombin; së paku, ta kurojnë disi e të mos e lënë më në fatin e vjetër. Kaq e vështirë është të formulojnë (prapë, them së paku) një qëndrim të përbashkët?