Ardit Beqiri: “Derbi” nuk ndikohet nga historia, Partizani më i konsoliduar

31

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, ja këndvështrimi për javën e 24-t

Sigal

Agron Kaja

Nisur nga renditja, si i shikoni ndeshjet e javës së 24-t të Superiores?

Të gjitha janë ndeshje të forta, por takimi Laçi-Dinamo City më duket e barabartë, e po kështu edhe Vllaznia-Egnatia. Ndërkohë që “Derbi” Partizani-Tirana merr të tjera vlera, shkon përtej kampionatit në shumë elementë.

Cilën nga ndeshjet e kësaj jave e veçoni si më kryesoren?

Në futboll, çdo ndeshje ka rëndësi dhe duhet të vlersohet në maksimum. Por nisur nga renditja, njëherësh edhe nga historia, “Derbi” Partizani-Tirana mbetet kryendeshja e kësaj jave. Kjo sfidë i parakalon ndeshjet e tjera pasi përballen dy skuadra të mëdha .

Nga një “derbi” i kryeqytetit, që u luajt në Durrës, tek “Derbi” i kryeqytetit që luhet në Tiranë, si do t’i përshkruani?

Duke qënë se Dinamo City nuk ka fushë, ishte normale që të luhej diku jashtë Tiranës, por gjithmonë ballafaqimet mes tyre do të quhen “Derbi” i kryeqytetit”.  Ndërsa Partizani-Tirana është vërtet një “Derbi” i kryeqytetit që merr më shumë vlera.

Partizani është më superior në statistika dhe në renditjen aktuale ndaj Tiranës, mendoni se do ndikojnë këto dy tregues?

Partizani dhe Tirana janë dy skuadra, të cilat kanë 78 vite që ndeshen mes tyre, kanë qënë dhe janë nga më të mirat në futbollin tonë. Partizani ka avantazh renditje, por kjo nuk është e rëndësishme. Nuk vendosin në rezultat, ai vendoset në fushë.

Gjatë kësaj jave ka patur deklarata të shumta nga të dyja “kampet” e këtij “Derbi”, do vlejnë ato për rezultatin e ndeshjes?

Mendoj se i vetmi premtim mund të jetë se do luftosh nga minuta e parë në të fundit dhe do bëhesh “copë” për fitore. Është normale që para çdo sfide, aq më shumë kur kemi të bëjmë me një “Derbi” të rëndësishëm, që të ketë deklarime.

Po skema e “Final 4”, do të ketë ndikim në këtë përballje, kryesisht për Tiranën që po “rreshket” në renditje?

“Derbi” është i shkëputur nga kjo formulë, sepse ai luhet në shumë mënyra, ka dalë nga konturet e garës sportive. Ndoshta për Tiranën mund të ketë më shumë ndikim e presion, sepse po humbet shumë terren në renditje. Do ndikojë për mirë te të dyja skuadrat.

Nëse fiton Partizani, si ndikon për renditje, nëse fiton Tirana, u jep krahë bardhebluve, po barazimi sa vlerë do ketë?

E rëndësishme është që të luhet mirë, sepse loja e rregullon shumë ambientin tek të dyja skuadrat. Nëse del një barazim, vlera është vetëm te një pikë që do marrin të dyja skuadrat. Unë do doja që loja e mirë të jetë primare.

Edhe tre ndeshje dhe mbyllet faza e tretë, nga kreu në fund, çfarë mendimi keni për renditjen?

Vendi i parë i Egnatias më duket i pandryshueshëm, ndërsa skuadrat e tjera edhe mund të lëvizin. Sepse në shumë ndeshje ato nuk po tregojnë stabilitet, kanë shumë luhatje dhe është e vështirë që të parashikosh se ku do renditen.

 

 

Bilanci historik

“Derbi” 172 / Partizani-Tirana, ora 19:00 në “Air Albania Stadium”

Ndeshje 171; Fitore Partizani 71; Barazime 54; Fitore Tirana 46; Golat 238:188

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 24
Dje, 16 shkurt 2024

Teuta-Kukësi                  16:00

Partizani-Tirana              19:00

Sot, 17 shkurt 2024

Laçi-Dinamo City           13:30

Erzeni-Skënderbeu           13:30

Vllaznia-Egnatia             17:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              23      48

2.Partizani            23      37

3.Vllaznia             23      37

4.Tirana                23      34

5.Dinamo City      22      31

6.Laçi                   23      28

7.Skënderbeu        22      28

8.Erzeni                23      23

9.Teuta                 23      21

10.Kukësi             23      19

 

Trajnerët para “DERBIT”

Orges Shehi (Partizani)

Luhet një sfidë historike, duam fitoren!


Për trajnerin e Partizanit, Orges Shehi, ky nuk është “Derbi” i parë i kryeqytetit që ai e përjeton si trajner. Në disa sezone si lojtar i Partizanit dhe më pas në stolin e Tiranës, ai është ndeshur në rreth 23 ndeshje, ndërsa për sfidën e sotme ai deklaron se do jetë një sfidë e fortë ndërmjet dy klubeve rivale. “Kjo është një sfidë historike mes dy skuadrave e klubeve rivale në futbollin shqiptar. Si lojtar e trajner, unë e kam përjetuar “Derbin” Partizani-Tirana, dhe anasjelltas, në rreth 23 ndeshje, dhe nuk e quaj sfidë personale. Në të tilla sfida nuk mendohet goleadë, ka shumë pak lojë efektive. Por ne do hyjmë në fushë për ta fituar”.

Julian Ahmataj (Tirana)
“Derbi” na motivon për rezultat pozitiv

E ka marrë me qetësi Julian Ahmataj përballjen e sotme me Partizanin, por ai thekson para kësaj sfide se të gjithë duan të luajnë dhe të japin maksimumin në këtë “Derbi”. “Vetë “Derbi” i motivon lojtarët, dhe po ta shikosh në historinë e viteve të kaluara, ndeshje të tilla luhen me rritëm të lartë dhe japin shpresë që të testojmë objektivat tona në vazhdimësinë e këtij kampionati. Mund të them se kjo shikohet si java më e thjeshtë për stafet dhe drejtuesit, sepse motivimi shtohet çdo ditë te lojtarët. Kemi edhe mungesa, por të gjithë duan ta luajnë, të gjithë duan të japin maksimumin. Ndaj mbetemi optimist që të dalim me kokën lart nga ndeshja”.