Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Zot o Zot i kudo ndodhur

14
Sigal

 

Zot o Zot i kudo ndodhur,s’di pse kjo jetë më ka lodhur,

puno natë e puno ditë dhe nuk nxorra gjë në dritë.

Flas vërtetë nuk bëj shaka,vetëm bukën time ha,

po çuditem Zot o Zot,ca pa punë e xhepat plot.

Pa më thuaj se s’e di dhe pa punë vënë pasuri,

unë i shkreti tretur,nxirë,vetëm ujë çezme kam pirë.

Po këta që pinë verë,vetë s’kanë nxjerrë ndonjëherë,

çfarë më thua të bëj unë,se me djersë nuk qenka punë.

Nderi dhe puna s’kanë vlerë,kur shikon ca myrteberë,

hap e mbyll një zyrë shteti,si lumë u vjen bereqeti.

E vrasë mendjen ditë e natë,nuk fle gjumë s’ndjehem rehat,

them e them çfarë kanë më shumë,që u vjen paraja lumë.

Po ku vallë është ky burim,që të bën trim e më trim,

thonë që është diku në shtet,nëse fletë vetëvaru vetë.

Thonë që hanë dhe djersën time,që si zog mbledh ca thërrime,

po ç’të bëj vërtetë më thua,se pa lekë s’gjej dot as grua.

Çfarë të bëj u plaka fare,s’më pranojnë as në varre,

thonë ç’e duam këtë qen,dy lekë në xhep nuk i gjen.

Më përbuzin dhe më shajnë,duan në dysh të më ndajnë,

po ç’kam bërë unë ditë-ziu,varfëria më përpiu.

Zot o Zot pak më ndihmo,veç në shtet më punëso,

s’dua ndonjë post të lartë,drejtor do ishte e artë.

Dhe ministër nuk është keq,thonë që vuan edhe heq,

të betohem i duroj,kur parat ti nemuroj.

Aman më ndihmo dhe mua,jo si lumë,por si përrua,

sa të vjedh disa miljona,të ngreh vila,njëqind dhoma.

Aman Zot po vdes i varfër,asnjeri nuk më rri afër,

po të kem ca pasuri,ndoshta gjej edhe qetësi.

Ndoshta qetsohem dhe unë,nga shteti që më dha punë,

vidh e vidh ndoshta rinohem,si të tjerët do martohem.

Si të tjerët të varrosem,se në varr lekët groposen,

po shkova në varr pa lekë,do varrosem dhe pa brekë.

Zot o Zot ta them pa zë,se dhe varri nuk më nxë,

nuk më nxë me arkivol,ta tregova,por mos fol.

Po mos fol se turpërohem dhe nuk kam ku të ankohem,

ti ankohem qeverisë,i prish punët e tepsisë.

Ja prish fare terezinë dhe pastaj s’gjen dot tepsinë,

më mirë hesht e vdes si pulë,se kjo punë nuk ndreqet kurrë.

Më mirë hesht,barkun e thaj dhe gojën më dysh e ndaj,

s’kam ç’të bëj tjetër më shumë,veç të mbytem në një lumë.

Shkoj e mbytem në një det dhe arkivoli s’më pret,

duhen lekë për arkivol,ndaj të thashë aman mos fol.

Se po fole më prish punë,s’më pranon as det as lumë,

lëre Zot do ta zgjidh vetë,ndoshta zgjidhem deputet.

Ndoshta bëhem dhe kryetar,kandarin në qafë e var,

peshoj lekët me peshore,gjej dhe nuse dhe dashnore.

Blej dhe vaska me flori,dhjetë dashnore mbaj në gji,

pastaj s’dua të vdes fare,mëndja nuk më shkon për varre.

Zot o Zot i kudo ndodhur,s’jam i vdekur,por i ngordhur!