Xhemal Veizaj: Si u shkatërruan fushat e blerta të Sukthit, që dikur mbushin tregun e Austrisë, Gjermanisë, Holandës etj.,

Reportazh

Dikur këto fusha mbushnin tregun e Austrisë, Gjermanisë, Holandës, Hungarisë

NOA

Kush  ia prishi bukurinë fushave të blerta të Sukthit?!

 

Bujqësia shqiptare sot po kalon një krizë të rëndë. Prodhimet nuk shiten, kanalzimet e ujitjes janë shkatërruar, institutet e  studimit bujqësor po ashtu, ujitja problem me vete. Modelet dhe mjetet e përdorura për të shkatërruar bujqësinë shqiptare, janë unike, janë “rrugë e pashkelur”, janë modele të panjohura e të papërdorura nga asnjë vend tjetër i kësaj bote. Nga njëra anë janë premtimet dhe demagogjia bajate për të ashtuquajturat reforma strukturore, zhvillimore dhe integruese, ndërsa ka ndodhur degradimi i vazhdueshëm i strukturave monitoruese, implemtuese dhe shkencore të bujqësisë. Në këto tri dekada kemi parë e përjetuar degradimin e thellë e të vazhdueshëm të politikëbërjes dhe menaxhimit korruptiv të investimeve në bujqësi. Në këtë mënyrë ka ndodhur përkeqësimi i aftësive prodhuese, përkeqësimi i standardeve dhe konkurrueshmërisë në tregje, përkeqësimi i administrimit të tokës, të varieteteve, të mekanizimit, të kullim-ujitjes, të sigurisë ushqimore, etj. Si ishte bujqësia dje dhe sot do ta gjeni të pasqyruar në këtë reportazh…A. ZH

Sapo lë prapa urën mbi lumin Erzen, në Sukth, para syve të del një godinë e bukur, lyer me një ngjyrë të ëmbël dhe duket si një anije që lundron në detin e kaltër, në Adriatik. Ngrihet sipër kodrës së bukur rrethuar me gjelbërim e të jep përshtypjen sikur kjo kodër është ngritur nga dora e njeriut. Por jo gabohesh: është dhuratë e natyrës. Godina 100 vjeçare qëndron krenare e të duket sikur pëshpërit ngadalë. Kur ngjit shkallët e saj e del në tarracën e bukur e tret shikimin diku larg poshtë këmbëve të saj, shtrihen fushat e vende -vende ngrihen kodra e tek- tuk lugina qindra vjeçare, që zgjaten e zgjaten e ndalin vrapin buzë detit. Mbrëmjeve kur nata hedh vallen e zezë mbretëron një heshtje e rëndë. Veçse kur dielli varet mbi det e fsheh kokën, kjo sipërfaqe toke të duket sikur ishte futur në krahët e shpendëve të egra. Veç valëzat kaltëroshe herë- herë vijnë të gëzuara përplasen në breg e përsëri marrin rrugën dhe hyjnë në thellësinë e detit. Këto fusha lugina e ky valëzim i butë i këtij vendi të lashtë mban mbi shpatulla historinë dhe të duket sikur nuk ka asnjë gjurmë si dëshmi e kohës. Si për t’u çuditur! Kur merrje dikur rrugën për në Hamalle, rruga tërë baltë në këmbë, të dilte përpara fshati kullë e kur del në Perlat larg në horizont, një shkëmb masiv i bardhë qëndron i heshtur, është Kepi i Rodonit, këtu mbarojnë këto fusha pambarim.

Tek Bishti i Pallës

Tutje në perëndim ngrihet Bishti i Pallës, mbushur me histori të lashtë e në gjinë e kësaj kodre të lashtë, në gjirin e këtij vendi ankordoheshin anijet romake e këto vende kanë në buzën e ngrirë historinë e tyre të lashtë e deri këtu shtrihen krahët e kësaj fushe. Vite më parë në kohën e regjimit zogist, në Sukth erdhi shoqëria konçisionare, EIA, solli bujq italianë, punëtorë të zotë, njërës të punës. Shoqëria italian e filloi me intensitet punën, ndërtoi rezidencën në kodër, ndërtoi poliambulancën, godinë që i ka rezistuar edhe sot kohës, u ndërtuan dy magazina të mëdha, ofiçina e riparimit të automjeteve. Më vonë filloi ndërtimin e rrugës, çante mes për mes fushat e pa anë e ky segment shkoi deri në fshatin Manëz, kështu u lidh me rrugën që të çonte në Ishëm. Pastaj rruga për në fshatin Hamalle e Rrushkull. Në të dy anët e këtyre rrugëve u mbollën arrë, kjo ishte një stoli e rrallë. Kurorë e rrallë e këtyre anëve. E kur e shikoje mahniteshe, rruga dredhonte e shtruar  me gurë e çakëll i bardhë. Rruga mbretëronte, fusha jeshilonte e bardhësia e rrugës ishte një stoli e ky mozaik nuk gjendej në asnjë vend tjetër. Punë e mirë e kënaqshme ishte sistemimi i parcelave të ndara në mënyrë simetrike në kuadrate 200 metër linear e anës kanalizimeve kullues të përsosura. U ndërtua dekovilë e parë, fillonte nga Hamalla, Rrushkulli, Kulla, Qendër e mbërrinte në perimore, Sukth, mblidhte prodhimin e fushave e magazinohej me kujdes, por gjatë pushtetit popullor, u shkatërrua me pretekstin se nuk i hynte më në punë ndërmarrjes të sapo ngritur. Punohej me traktorë “BIZ” dhe “URSUS”, por edhe kafshë pune. Shoqëria italiane pruri eksperiencë të mirë. Futi mekanizmin krahas punës së krahut e lopët për tërheqje me karrocë për punë, kështu kishin sjellë 100 krerë “Meriman” lopë me leverdi ekonomike, të cilat  shërbyen edhe më vonë. U përdorën e dhe për plugimin e tokave. Mund të  themi se fermerët  italianë ishin bujq të mirë, të kualifikuar mirë, ishin mjaft të kënaqur. Menjëherë pas çlirimit të vendit u themelua NB-ja Sukthi. Erdhën punëtorë nga rrethet e Shqipërisë dhe u  sistemuan me familje. Këtu çdo gjë ishte e gatshme, magazinat  stallat e kafshëve, agregate, traktorë, autokombajna, ofiçina e riparimit etj. Për herë të parë u ngrit impianti i pularisë, e ngriti zootekniku, Xhoxhi, i zoti i punës, mjaft i ndërgjegjshëm, kishte kryer studimet në  SHBA, mirëpo më vonë sektori i pularisë i shpendit u pa e arsyeshme të transportohej në Kullë, mbi 70-80 mijë shpendë me prodhim mjaft të kënaqshëm e merreshin çdo ditë rreth  50000 kokrra vezë. Stalla lopësh dhe lopë kishte vetëm në Xhavzotaj, fermë me emër, kishte punuar doktor Medar Shtylla në kohën e regjimit Zog, kështu kishte eksperiencë dhe kjo u duk shumë shpejt, në qendër, në Kullë, Rrushkull e Hamalle u krijuan tufa lopësh, stalla moderne me parametra bashkëkohore e specialistë të zotë si Kujtim Lashi, doktor Osman Lila, zootekniku Petrit Seferi Kristaq Bevati. Edhe blegtoria, dhentë morën zhvillim të madh në këtë ekonomi, numëroheshin rreth 20 000 kokë, por kishte edhe barinj të mirë të kujdesshëm, duke përmendur brigadierin Miho Bello, bariun Llazi Bello, që merrte nga tufa e dhenve në Kullë nga 2 qengja në vit. Ky sektor ishte mjaft fitimprurës, sepse jepte sasi të mëdha qumështi e mishi, ku eksportoheshin në vit rreth 12 000 shelegë në Greqi e NB-ja siguronte mjaft valutë.

 Fusha dhe  Çiflikut

Sapo kalon urën e Tonës para syve të dalin të valëzuara, fusha dhe  Çiflikut , fushë pa mbarim, kumbarë i  firmës së Sukthit vend i begatshëm. Në verilindje ngrihet një kodër veshur dikur me ullinj, sipër kodrës Veli bej Juba kishte ngritur vilën e tij në formë kulle, prandaj fshati u quajt Kullë. Fushat e bukura të gjata e të gjëra e që i mbulon qilimi i gjelbër e bënë më të bukur kodrat që ngrihen si kurioz peshku ia shtojnë bukurinë. Në perëndim buzë Tonës ngrihet një masiv dheu, shtrihet deri te kodra e Dylbres, 45 ha ose ndryshe 45-si, u kthye në vreshtari. Punë e madhe u bë, u shpyllëzua nga lisa gjigandë, fara e shkurre dhe plehu shekullor arrinte rreth 2m. Traktorët tërhiqnin e pastronin kurse buldozerët “Voronesh”, shkulnin lisat, pastaj traktorët e sistemuan e çanin ugarin thellë, plot 70 cm e u bë ndarja në parcela nga topografët. Kodra mori pamje vezulluese. Punëtorët brigada e Vreshtit filloi punën, mbjelljen. Agronomi i Vreshtarisë Faik Lumi i rrinte punës tek koka, punohej me ritëm të lartë. Fidanët e rrushit të ardhur nga Bullgaria, 36 ekzemplarë, varietete të përshtatshme për klimën e këtij vendi dhe tokës aq të mirë, plot humus. Kështu u mblodhën: Afazak, Dimiat, Rexhinë, Riesling, Shesh i Zi e i Bardhë, Muskat Hamburg, Muskat Rozë, Trebicun, Perla Ksaba etj. Vazhdoi puna në kodrat e Perlatit, tika të kuqe e pëlqyeshme e kështu sipërfaqja e mbjellë shkoi në 375 ha. E çuditshme! Kulla u bë e famshme, me emër. Punëtorët fituan eksperiencë, punonin me pasion e ndërgjegje të lartë. Edhe brigadierët e vreshtarisë kërkonin cilësi në punë. Prodhimi pas tre vjetësh, u hodh në treg. Kishte kërkesa tregu i brendshëm dhe i jashtëm. Kështu me prodhimin e rrushit furnizohej Tirana, Durrësi. Furnizohej Kantina e Rrushit në Sukth të Durrësit. Por një volum të madh zinte eksporti, pati kërkesa nga Hungaria e cila e tregëtonte në Austri, Gjermani, Hollandë, punonin rreth 3-4 muaj, ambalazhohej mirë dhe kërkesat çdo vit shtoheshin sidomos për Afuroli, Dimiat, Shesh etj, ferma siguronte mjaft valutë. Sektori i kullës ishte model dhe hambari i larmishëm dhe mjaft cilësor. Kështu nga shpendët, pulat, furnizohej Tirana Durrësi dy qytete kryesore rreth 70000 kokrra vezë tregtoheshin çdo ditë plotësoheshin nevojat e popullit, kurse në stallat e mbarështimit të mëshqerrave dallohej për kujdesin dhe mirërritjen e tyre e si rrjedhojë furnizonte kooperativat bujqësore e fermat e vendit tonë. Në fushat e këtij sektori kaq të fuqishëm mbillej grurë, misër, fasule e sojë dhe merreshin rendimente të larta, në grurë 8 kv për dynym e në misër rreth 11 kv. Dua të përmend me këtë rast në këto fusha nuk mungonte ujë për vaditje, vinte nga rezervuari gjigand i Tarinit dhe kanali vaditës shkonte deri në Sukth Katund- Jubë e gjetkë. Gjatë rrugës ishte i degëzuar si arterie shërbente për vaditje gjatë periudhës së verës, përballonte thatësirën. Këtë vepër ujitëse e kishte projektuar inxhinieri i talentuar Hasan Toptani, i cili punonte nën hijen e sigurimit të shtetit. Po në këtë sektor kaq të pasur mbarështoheshin rreth 10 000 kokë dele e nga këto siguroheshin mijëra qengja, të cilët ekspozoheshin për në Greqi. Bënin një kujdes të madh, brigadieri Miho Bello e bariu shembullor Llazi Bello, i cili u merrte dhenve dy prodhime në vit, d.m.th dy qengja.

Këtu punohej e merrnin prodhim të lartë. Kështu për të plotësuar kërkesat e larta në blegtori, ushqimi sigurohej duke renditur punën me kujdes që nga brigadierët e fushave e deri tek zootekniku e bariu. Kështu pas korrjes së grurit menjëherë mbillej misër foragjer, sipërfaqe e konsiderueshme, punohej me ritëm të lartë. Agronomi Qerim Hoka bënte një punë të studiuar. Misri i mbjellë stimulohej me plehra kimikë, nitrat e ure, por ajo që pëlqehej ishte se duke patur ujë me bollëk bëhej bajgëzimi, misri rritej shpejt e rendimenti ishte i lartë, merrej misër kokërr dhe pjesa më e madhe bëhej silazh: bazë ushqimore e marrë për periudhën dimërore. Po në këtë sektor kishte mjaft larmi në mbjellje, krahas misrit mbillej jonxhë dhe këto përdoreshin në kohë për blegtorinë që ishte jashtë kapaciteteve, por që përballohej me sukses. Ferma e Sukthit kishte një ekonomi të madhe, moderne e shembullore, ishte një shkollë ku mund të mësoje. Kishte një planifikim mjaft serioz. Duhej një punë e organizuar mirë nga kuadrot, që punonin në fusha të ndryshme të këtij fronti mjaft të gjerë dhe kishte lidhje fushë –stallë d.m.th prodhimi në fushë  duhej të paraprinte, të prodhohej me bollëk dhe të furnizonte në kohë blegtorinë. Kështu ferma kishte një kuadër mjaft të aftë për t’i përballuar. Vlen të përmendim doktorët Kujtim Lashi, Osman Lila, zooteknikët Petrit Seferi e Kristaq Berati, të cilët planifikonin sipërfaqet e tokave për t’u mbjellë me zërat e nevojshëm. Sektori Qendër ishte mjaft i rëndësishëm për këtë ndërmarrje. Ishin ndërtuar stalla moderne dhe ishin siguruar lopë nga Holanda, mjaft cilësore. Jepnin rreth 30 000 litra qumësht në ditë e përballonin nevojat e kryeqytetit, Tiranës e Durrësit. Në stalla të binte në sy kujdesi i mirë, mirërritja e viçave, të binte në sy pastërtia shembullore, puna e mirë e stallierëve .

Po a e dini se çfarë ndodhi njëherë?

Kishin ardhur në këtë sektor kuadro të bujqësisë nga rrethet e Shqipërisë, bëhej një seminar. Shikohej puna, ushqimi, kujdesi, ritmi i punës. Ushqimi baza kryesore e blegtorisë shpërndahej në kohë në stallë, e stallierët rrinin në këmbë dhe tregonin kujdes të veçantë sidomos tek viçat. Një kryetar kooperative nga zonat malore iu afrua një stalliereje dhe e pyeti: Sa qumësht ka kjo kovë?- 5 litra ia preu stallierja, kjo për ta pirë tani, kurse në darkë edhe 5 litra të tjerë. Kryetari i kooperativës mbeti i shtangur dhe mërmëriti; Hajde, hajde o mendje, ç’na qenka, – më mirë viçi në Sukth se sa kryetari i kooperativës në Dibër!. Të tjerët përreth qeshën me të madhe. Një sektor tjetër i rëndësishëm i kësaj ekonomie ishte edhe sektori i perimores ,ku mbillej domate, speca, trangull, qepë, hurdha, shalqi, bamje, karota e spinaq. Furnizohej çdo ditë sipas stinës qyteti i Tiranës e i Durrësit, por eksporti zinte një volum më të madh. Makinat e agroeksportit çdo ditë mbi 10-12 makina çanin rrugët e Evropës, e mbushnin tregun e Austrisë, Gjermanisë, Holandës, Hungarisë etj. Tregojnë shoferët se në Austri gjenin radhë të gjata me njerëz, pëlqeheshin shumë prodhimet tona.

Epilog

U detyrova dhe e bëra këtë ekspoze, m’u desh tu kthehesha tek kjo retrospektivë për t’ju njohur me këtë ekonomi gjigande, madhështore e që fama kishte kaluar përtej kufirit të Shqipërisë. Gjithashtu mund të them me plot krenari se këtu përkonte një klasë punëtore e ndërgjegjshme me halle e vuajtje derdhën djersën e punonin për të ushqyer fëmijët e tyre. Plot 17000 punëtorë kishte ndërmarrja. Rrjedha e kohës solli përmbysjen e sistemit socialist, sigurisht ekonomia ndryshoi. Ekonomia e saj u shndërrua brenda një kohe të shkurtër. Ekonomia, lopë, dhen, pularia ra në duart e përgjegjësve të sektorëve të cilët abuzuan, përvetësuan në mënyrë të paligjshme, u pasuruan dhe sot kanë marrë vulën e biznesmenit. Magazinat, ofiçina e Sukthit ishte me emër. Brenda dispononte të gjitha llojet, freza, torno moderne të ardhura nga perëndimi, traktorë e autokombajna u zhdukën brenda një kohe relativisht të shkurtër. Po ku shkuan? Asnjë përgjigje. Por më e keqja e kësaj ekonomie qe fati i 375 ha vreshta brenda një dite u shkatërruaN, hardhitë u bënë dru për t’u djeg, veç tek tuk kanë ruajtur e mirëmbajtur disa skraparllinj që ua dinin vlerën rrushit, vreshtarisë. Erdhën në pushtet partia demokratike e ajo socialiste. Menjëherë sollën në kuvend ligjin famëkeq, ligjin 7501. Ky ligj që u zbatua nga qeveria demokratike ka sjellë probleme të mëdha, sepse është ndarë toka rripa-rripa, kështu fermerët gjejnë vështirësi në kohën e punimeve. Më e keqja është se pushtetarët e Bashkive lejuan të ndërtohen shtëpi banimi në parcela. Më e keqja në këtë ish-fermë është se malësorët kanë ndërtuar pa kriter. Prishën kanalet dhe mbi kolektorët kanë vendosur ndërtesën, ose në mes të vreshtave të fermerit ka ndërtuar shtëpi. Pyesim? A është normale kjo? Por pushtetarët nuk duan t’ja dinë. Në këtë fermë nuk është bërë asnjë investim. Kanalet vaditës janë prishur dhe janë shkatërruar. Nuk është pastruar asnjë kanal, veç premtimeve të Ministrisë së Bujqësisë nuk ndryshoi. Ekonomia e saj u shkatërrua, u vodh brenda një kohe të shkurtër. Gjithë kjo pasuri me vlera të mëdha, lopë e dhen pula, traktorë, autokombajna, e agregate bujqësorë ranë në duar të  përgjegjësve të sektorëve, abuzuan e u pasuruan dhe më vonë u bënë biznesmenë dhe sot tallen me djersën e punëtorëve. Magazinat nëpër sektorë, ofiçina në qendër të Sukthit ishte me emër, dispononte freza, torno moderne të ardhura nga perëndimi të duken si në ëndërr. Të gjithë pyesin. Ku shkoi gjithë ajo pasuri shumëmilionëshe? Asnjë përgjigje. Por më e dhimbshme është kjo, që po u tregoj. 375 ha tokë vresht në Kullë u shkatërruan brenda 2 orësh u bë dru zjarri, veç tek e tuk është ruajtur një sasi vreshti e vogël, nga disa familje nga Skrapari, të cilët njihen si vreshtarë.

 Pushteti demokrat pas 1990

Erdhën në pushtet Partia Demokratike e ajo Socialiste menjëherë sollën në Kuvend dhe aprovuan ligjin ogurzi, ligjin 7501, të cilën ua servirën Ramiz Alia, pushtetarët e rinj, vetëm se e zbatuan pikë për pikë. Ligji 7501, u aprovua nga dy partitë e mëdha, por u zbatua nga Partia Demokratike Sali Berisha. Ky ligj famëkeq fshiu njëherë e përgjithmonë pasurinë, tokën e ish-pronarëve, megjithëse në fjalimet prezantohej se pronarët do të marrin pasuritë e tyre, pasurinë që u mori regjimi hoxhist. Por qe një mashtrim. Për ligjin 7501, para ca kohësh, lideri i PD-së Sali Berisha bëri një autokritikë dhe theksoi se kam bërë një gabim të pafalshëm. Ligji  7501 nuk duhej zbatuar, po këtë  gabim ka bërë edhe Pilati mbreti i Italisë dikur. Partia në pushtet atëherë e vuri në zbatim e ndau këtu në fermë nga 3000 m2 për frymë. Por kryetarët e komisionit e bënë sipas qejfit: ndanë nga 3000 m2. Në fakt ishte llogaritur që fermerët e Sukthit të merrnin nga 5000 m2. Po ku shkoi kjo tokë e planifikuar? Po ua them unë se këtë tokë e shitën kryepleqtë e fshatit dhe ata deputetë të PD-së. Toka e ndarë është për fermerët një rrip në kodër e dy rripa në fushë. Është për të qeshur, por është e vërtetë. Fermerët një pjesë të tyre e shitën, sepse ligji 7501 ishte një ligj komunist, i padrejtë. Në këtë rast, përfituan malësorët, të cilët gjetën tokë të butë e ndërtuan. Kryetarët e bashkive bënin sehir, nuk vepruan, nuk i ndalën dot dhe sot gjen ndërtesa brenda vreshtave të fermerëve, kështu ka sjellë veç konfliktime dhe asgjë tjetër.

Theksoj se edhe sot e kësaj ditë nuk është bërë azhurnimi i tokës. Premtime janë bërë mjaft sidomos në kohë fushate dhe deputetët e nderuar të të dy partive kanë premtuar mjaft, por asgjë nuk është bërë. Në këtë vend, në këto toka nuk është bërë asnjë investim, nuk është bërë asnjë kanal, nuk është pastruar asnjë metër linear dhe kur bien shirat mbyten fushat e shtëpitë. Është e çuditshme se në fshatin e Kullës në një parcelë prej 45 HA tokë, dikur vreshtë më i mirë i Shqipërisë janë ndërtuar 17 shtëpi, shpërndarë këto si baraka katarësh. Atëherë pyes qeveritarët: -A e justifikojnë këto ndërtime, duke zënë një sipërfaqe prej 45 ha?! Dhe unë shtoj dhe pyes: – Ku ua çon mushka drutë? Pse ju ore dallkaukë i kthyet fushat më të bukura si: Kamëz, Xhafzotaj, Sukthin, në shtëpi banimi, në qytete, pse e bëtë këtë masakër? Pse?…