Kadri Roshi aktori i 180 roleve që vdiq me pengun e Ali Pashait

385
Sigal

Kadri Roshi, një yll i kinematografisë dhe skenës shqiptare lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma u nda nga jeta kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati. Përfundoi specializimin në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor që në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi. Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë

Takimi me kinemanë

Sipas poetit Petrit Ruka, takimi I Kdriut me kinematografinë ka qenë te kinema “Republika”. Ja si shprehet aktori:” Punoja si biletaprerës  Ngandonjëherë i zoti i lokalit më shikonte se nuk e kisha mendjen te puna, që të grisja biletat. Ndërsa, gjatë intervalit që futeshin njerëz, unë isha i gozhduar pas filmit”. Me një biletë tregon se mundet që të hynte brenda gjatë gjithë ditës për të parë filmin tek ajo kinema e vjetër, që në vitet e demokracisë u shkatërrua. Rikthimi i tij pas shumë vitesh, e gjen atë bosh, karriget mbi njëra-tjetrën dhe ekranin me njolla. “Në këtë kinema të dhimbjes, në këtë kinema të rrëmujës, kam parë vende dhe salla, por në asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë sa tek ty, e shtrenjta barakë…, në çdo moshë që të hy, në çdo vend që të vete, si hamall këta stola do t’i marrë me vete”.

Në hotel “Kontinental”

Ishte emëruar trupa artistike, kori, teatri. Ndërsa, Kadri Roshi rrinte përjashta dhe shikonte kur dilnin dhe bënin pushim djemtë dhe vajzat e ansamblit. Në parkun Rinia një ditë takoi mësuesin e tij të shkollës fillore nga Berati. Nuk e njohu. E përshëndeti. E pa dhe i tha: “Jam Kadri Roshi”. Pasi e njohu e pyeti se me se merrej. “Jam pa punë i thashë”. “Pse nuk hyn në sallë të teatrit”, më tha: “Nga të hy, si të hy nga hyhet?”. Edhe kështu mësuesi i tij i fillores do të bëhej sebep, që Kadri Roshi të hynte në atë derë, të cilën do ta donte për tërë jetën. Teksti i parë, që mori në dorë, ishte i vështirë për të, aq i vështirë, saqë nuk e kuptoi dot as deri në fund të jetës së tij, kuptimin e tij të vërtetë. Bëhet fjalë për “Hamletin” e Uilljam Shekspir. Por, jo gjithçka kishte mbaruar këtu. Ai nuk do ta kalonte provimin për të qenë pjesë e teatrit. Por, lotëve të tij plot dënesë do t’u jepte një përgjigje pozitive, drejtori i Teatrit Kombëtar, Xhemal Mbroja. Ai pasi e pa, vendosi që ta merrte që të angazhohej, si sufler. “Mezi prisja që të sëmureshin aktorët dhe do t’i zëvendësoja unë. Isha më i sigurt nga të tërë. Por, doni ju që ata nuk sëmureshin”.

Aleksandër Moisiu në jetën e tij

Roli i tij i parë në skenë në Teatrit Popullor, që do t’i hapte të dyja dyert e teatrit për të ishte Osipi tek “Revizori” i Gogolit. Pas këtij roli, atij i del e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, si aktor. Por, me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë u transferua në Pragë të Çekisë, ku i gjendur përballë një komisioni, sebep apriori kësaj here, që të niste studimet e larta në këtë vend do të ishte origjina shqiptare e Aleksandër Moisut. Kthimi në Shqipëri në vitin 1955 do të bënte, që ai të luante në skenë role të ndryshëm, ndërsa spektatori i pëlqente të gjitha ato. Roli që e bindi atë vet se aktrimi ishte zgjedhja e vërtetë e jetës së tij, do të ishte sërish roli i Osipit nga Gogoli. “Diplomën e parë ma dhanë pedagogët, por atë më të madhen të shoqëruar me dashuri dhe me ndjenja të pastra dhe fisnike ma dha spektatori”.

Dënimi

Pas suksesit të Kadri Roshit në interpretimin e rolit Arturo Ui në vitin 1974, u akuzua se kishte ngritur zërin gjatë interpretimit. Në fund të shfaqjes u dënua, duke u dërguar të punonte, si punëtor në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, OAN. Por, as pas këtij dënimi nuk ndali së punuari, edhe si aktor edhe si regjisor, duke ngritur një grup amator. Shfaqja që do të vinte në skenë “Komisari Memo”, do të duartrokitej dhe brohoritej aq shumë nga spektatori, saqë dukej, sikur ata thoshin: “E duam në teatër Kadri Roshin”.

Premtimi për Sandër Prosin dhe Naim Frashërin

Dhe teksa i  ndjeri aktor legjendar, përgatit së bashku me Petrit Rukën filmin e tij dokumentarë për jetën e tij, plaku fisnik dhe i urtë nuk mund të rrinte pa kujtuar dhe pa “biseduar” me miqtë e tij, mjeshtrat e aktrimit që dhe një llamarinë të lidhur me zinxhir në trungun e një peme e bëjnë madhështore. Ulet në gjunjë i madhi Kadri, edhe i premton Naim Frashërit dhe Sandër Prosit se nuk do të harrohen. Mban në duar ato llamarina kokëforta, që e zbehin shpresën e aktorit, po ai nuk dorëzohet, premton se brezat që do vijnë do kujtohen e lëvdohen me ta…

Ali Pashë Tepelena, pengu i Kadri Roshit

Në figurën e tij të skalitura janë shumë personazhe, që e mbajnë gjallë. Po është edhe një rol, i paluajtur që ne s’patëm privilegjin ta shikonim nga mjeshtri i madh. Nuk dëshironte të ndahej nga kjo jetë Kadriu pa qenë në rolin e Ali Pashës. Mjaftoi një fragment në këtë dokumentar ku Roshi u vu në rolin e tij, për të bërë publikun të entuziazmohet, dhe të kuptojë, se një Ali Pashë kaq të gjallë vështirë se mund ta shohim tjetërkund. Edhe pse interpretoi plot role, i kishin mbetur ende peng ato që nuk i kishte prekur kurrë deri atëherë, veçanërisht figurën e Ali Pashë Tepelenës. Kur u mblodh me miq, për të festuar 80-vjetorin e lindjes, Kadri Roshi qe shprehur se kështu ishte jeta e aktorit, me suksese dhe dështime, që nuk ishte e nevojshme t’i provoje e të mos e kaloje provën. Dështoje edhe pse s’të jepej mundësia për ta provuar fare. Ai ka ikur me brenga profesionalisht. Më e rënda ishte që i”vodhën” në mënyrën më banditeske, për smirë apo egoizëm profesional rolin e tij në dramën Arturo Ui. Ky është dhe mbetet kryeroli i Kadri Roshit. Për këtë rol të madh ai vërtet ka investuar shumë. Spektatori dhe aktorët e kanë të qartë pse u bë kjo lojë. Arturo Ui ishte prerë dhe ishte qepur për Kadri Roshin.
Viti 2007 ishte jo vetëm vit zie për humbjen e njeriut dhe aktorit të madh Kadri Roshi, por për artin dhe kulturën shqiptare, për kinemanë, së cilës natyra i mori shumë: Iku jo vetëm Kadri Roshi, por edhe Sulejman Pitarka, edhe Violeta Manushi dhe pak më vonë edhe Serafin Fanko