Sazani ‘shpërthen’ në Berlin, Der Spiegel ‘hedh bombën’ si projekti në Shqipëri vihet nën lupë

Revista e njohur gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një analizë të gjatë dhe kritike projektit miliardësh të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.

Artikulli e përdor këtë projekt si një dritare për të shqyrtuar jo vetëm ambiciet turistike të Shqipërisë, por edhe problemet e vjetra të vendit me pronësinë, korrupsionin, shtetin ligjor dhe mënyrën se si merren vendimet për investimet strategjike.

Sigal

Historia nis me entuziazmin e Ivanka Trump, e cila ka treguar se pesë vjet më parë, gjatë një lundrimi me jaht pranë brigjeve shqiptare, ajo dhe Jared Kushner u mahnitën nga Sazani dhe Laguna e Nartës. Për të, peizazhi dukej si vendi ideal për një “projekt të jashtëzakonshëm”. Sot, megjithatë, ky projekt është shndërruar në një prej çështjeve më të debatueshme politike në Shqipëri.

Projekti parashikon një resort luksoz në Sazan, me vila, bungalow, marina dhe pishina, ndërsa në zonën e Zvërnecit janë planifikuar një qendër mirëqenieje, park ujor, fushë golfi, marina dhe rezidenca luksoze. Vlera e parashikuar e investimit shkon rreth 4 miliardë euro.

Por përballë këtij vizioni luksoz është shfaqur një realitet krejt tjetër: protesta të vazhdueshme, akuza për mënyrën se si është ndryshuar kuadri ligjor dhe pikëpyetje mbi pronësinë e tokave.

Një prej simboleve të protestave janë bërë flamingot prej kartoni, të cilat qytetarët i vendosin si kundërvënie ndaj projektit dhe si simbol të mbrojtjes së natyrës. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një resorti luksoz është shndërruar, sipas Der Spiegel, në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe ndjenjës se ligji mund të jetë më fleksibël për të fuqishmit.

Revista gjermane ndalet veçanërisht te roli i Edi Ramës. Kryeministri shqiptar nuk është vetëm mbështetës politik i investimit, por drejton edhe Këshillin Kombëtar të Territorit, struktura që ka rol vendimtar në miratimin e projekteve të mëdha dhe strategjike.

Sipas artikullit, Rama ishte në dijeni të projektit që në fazat e hershme dhe kishte kontakte të drejtpërdrejta me Kushnerin. Në vitin 2024, Shqipëria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke krijuar më shumë hapësirë për projekte ndërtimore në zona të ndjeshme bregdetare.

Në dhjetor të po atij viti, projekti mori edhe statusin e investimit strategjik.Qeveria shqiptare mohon se ndryshimet ligjore janë bërë posaçërisht për projektin e Kushneritdhe argumenton se ato nuk ndryshojnë statusin juridik të zonave të prekura.

Pikëpyetjet bëhen edhe më të mëdha kur projekti kalon nga Sazani në tokat pranë Lagunës së Nartës.Ndryshe nga Sazani, i cili është pronë shtetërore, një pjesë e tokave në kontinent ka histori të ndërlikuar pronësie.

Shpronësimet e periudhës komuniste, pretendimet e trashëgimtarëve, dokumentet e vjetra dhe vendimet kontradiktore gjyqësore kanë krijuar një konflikt pronësie që vazhdon prej dekadash.Der Spiegel sjell rastin e familjes së Petraq Balliut, i cili pretendon se ka të drejta mbi qindra hektarë tokë në zonën e Nartës. Paralelisht, në të njëjtën zonë ka pretendime nga familje të tjera, mes tyre edhe ajo e biznesmenit me shtetësi amerikane Artur Shehu.

SPAK ka hetuar gjithashtu dyshime për përvetësim tokash përmes falsifikimit të dokumenteve dhe përfshirje të autoriteteve politike në disa marrëveshje.Avokati i Shehut i mohon akuzat dhe i cilëson ato të motivuara politikisht. Ndërkohë, nuk ka prova që Jared Kushner apo Ivanka Trump të jenë të përfshirë në këto veprimtari të dyshuara kriminale.Kjo është pyetja kryesore që lë pezull Der Spiegel.