/Gazeta TELEGRAF
Përse duhet të votojë për opozitën Berati-Vlora dhe Tirana? Basha–Kryemadhi dhe trotuarët e ‘Rilindjes’
Ardhja në pushtet duke grabitur apo deformuar votat është një trashëgimi qindravjeçare në formimin e shtetit shqiptar. Para viteve 1990, ajo ka qenë e ligjëruar. Ndërsa në dekadat aktuale ajo ka ndërruar formë, por është pjesë organike e pabesisë për marrjen e pashallëkut. Të paktën 100 vitet e fundit, grabitja e pushtetit, ndërtimi e qeverive armiqsore me paraardhësit, formimi ligjeve për të zhvatur popullin, humbja e identitetit para të huajve dhe shitja e interesave kombëtare, formojnë modelin e organizimit dhe drejtimit të turmës, popullit shqiptar. Ndërsa filozofia për të bindur të huajt se qeveria aktuale, ka grabitur vota disa herë më shumë se Ne të opozitës, kur ishim në pushtet, përbëjnë paaftësi, mungesë karakteri, servilizëm, dhe mosnjohje të popullit tënd. Vjedhja e votave dhe grabitja e pushtetit janë probleme të brendëshme të një populli të varfër dhe të paditur. Të huajt i njohin mirë tranzicionet e vendeve si Shqipëria dhe gjithmonë marrin anën e atij që hipën në krye.
Të eleminohet grabitja e votave duhet minimum 1/10 e opozitës, të dalë në rrugë. Blerja e votave nuk hiqet duke informuar ndërkombëtarët. Patronazhistët ose heronjtë e heshtur të kandarit të votive, dolën më të aftë se flamurmbajtësit e ndryshimit.
“Blerja e votave nuk hiqet duke informuar ndërkombëtarët. Patronazhistët ose heronjtë e heshtur të kandarit të votive, dolën më të aftë se flamurmbajtësit e ndryshimit”
Mbas 25 prillit, kryetari opozitës ka filluar përsëri të merret me teorinë e ‘Ndryshimit’,duke justifikuar humbjet, me informacionet e masakrës elektrorale. Edhe të deleguarit e qarqeve, ku humbjet janë masive, vajtojnë demokracinë humbur, nga grabitja e votës. Pa u sqaruar më parë, nëse programet tyre, kanë apo nuk kanë lidhje, me elektoratin që po i ankohen. Duke theksuar se dhe shtresa e mesme ka shitur votën. Kjo është e vërtetë. Të mesmit dhe të pavendosurit, duke mos parë asnjë projekt konkret, të lidhur me interesat e tyre, preferuan më mirë kacidhet e shitjes votës, se asgjëja.
Termi Ndryshimit është një fjalë e bukur, shumë dimensionale, gjithëpërfshirëse, që i shërben interesave perspektive të popullit në përgjithësi dhe moralit, demokracisë, në veçanti. Megjithëse në nivele të caktuara shoqërohej dhe me ndonjë angazhim konkret, si heqja e taksës të Rrugës Kombit, edhe me ndonji tregues ekonomik, ajo përsëri nuk është një program ose një model zhvillimi konkret. Teoria e ‘Ndryshimit’ e pakonkretizuar me projekte konkrete, që zgjidhin hallet dhe interesat e individit, familjes, fisit, fshatit, komunës, lagjes, qytetit, qarkut, nuk konceptohet, nuk ndihet, nuk kuptohet si pjesë e zgjidhjes të halleve të jetës përditëshme. Si e tillë, ajo mbetet thjesht një moral skolastik që nuk realizon gjë për ndrrimin e pushteteve.
Nqs., edhe mbas rizgjedhjes, Basha, nuk kthen në projekt konkret teorinë e Ndryshimit, duke programuar e shkruar një libër më vete, për secilin komunë, qark, bashki të vendit dhe nuk informon, për muaj rresht nëpërmjet një kanali televiziv, programin e detajuar, misioni i Ndryshimit, do të mbesë një dogmë morali e palidhur me realitetin shqiptar. Ndërsa prezantimi në bazë, duhet bërë i pashoqëruar me tam–tamet e balilave të partisë.
Të shkosh në Berat dhe të mos flasësh për fillimin sistemimit Osumit dhe rrugës Berat-Memaliaj, por për rrugën Berat-Roskovec-Fier, që s’ka lidhje fare me jetën e përditëshme të Beratit, do të thotë që nuk ka program, nuk ka projekte, sepse mungon njohja e problemeve vendore.
Të shkosh në Vlorë dhe të mos flasësh për financimet abuzive, pa asnjë interes të rrugës dhe tunelit Llogorasë, duke ofruar vitalizimin e Fushës Ravenës dhe të Karaburunit, të mos flasësh për masakrën urbane që do kryhet për rrugën e kalasë, duke i afruar si zgjidhje të re, zgjerimin e bregdetit Uji Ftohtë-Orikum, të mos flasësh për grabitjen e shekullit që do realizohet në ndërtimin e aeroportit të Akërnisë, të mos flasësh se në Tre Port nuk ndërtohet port mallrash, të mos flasësh për autostradën bregdetare Vlorë-Delta e Vjosës, që është e ardhmja turistike balneare Vlorës, të mos flasësh për heqjen e vizave për të shkuar dhe vitalizuar ishullin e Sazanit, të mos flasësh për pastrimin e pyllit Sodës nga ndërtimet industriale, që i ka zënë frymën turizmit qytetit, atëhere për çfarë ndryshimi bëhet fjalë në Vlorë ? I vetmi projekt konkret për Vlorën ishte deklarata e subvecionimit të rrjetave të peshkimit.. Si mund të flasësh për peshkimin pa përcaktuar konsumin aktual dhe perspektiv të prodhimeve itike, pa programuar formimin e fotiljes, prodhimin vjetor të një varke dhe numrin e porteve që parashikohet të ndërtohen gjatë regjimit të ‘Ndryshimit’. Ne konsumojmë sot 1,5kg peshk për frymë, më e ulta se vendet e Afrikës mesdhetare. Nga ato që u thanë në Vlorë, vetëm projekte ‘Ndryshimi’ nuk ka. Atëhere përse vlonjatët, duhet të votojnë Opozitën ?
Të udhëtosh në Tiranë është nji torturë e vërtetë. Ajo ka një sistem radial qarkullimi. Të gjitha rrugët konvergojnë me Sheshin ‘Skënderbej’. Ndërtimi sheshit ‘Gungaç’, ka bllokuar qarkullimin. Për rjedhojë, bllokimi zinxhir trasmetohet në të gjitha kryqëzimet e tjera. Të flasësh për ‘Ndryshimet’ në Tiranë, pa i dhënë zgjidhje torturës së qarkullimit apo të mos flasësh për getot antimjedisore dhe antifunksionale të pallateve të larta të banimit pranë “21 dhjetorit”, që kanë shkatërruar gjithë mjedisin e ndërtimeve urbane përrreth, do të thotë se, mungojnë projeket dhe vizionet e ‘Ndryshimit’. Lind pyetja, përse duhet Berati, Vlora dhe Tirana, duhet të votojë Opozitën?
Projektet e ndryshimit për Beratin
Konkretisht për Beratin, nuk ka asnjë projekt konkret që të materializohet objektivi ‘Ndryshimit’. Që të binden beratasit, Basha duhet të shpjegojë çfarë kanë investuar demokratët, mbas viteve 1990 dhe çfarë projektesh ofron shenjtëria e ‘Ndryshimit’, për Beratin. Berati ka dy projekte jetike, që janë të lidhur me jetën e përditshme të beratasve dhe gjithë ekonominë e vendit. I pari është sistemimi i lumit Osum në zonën e qytetit. I cili është kthyer si një gropë septike ose ËC gjigande për jetën e përditëshme të qytetit muze. ‘Rilindja’ dështoi në mënyrë spetakolare me projektin e ishullit. Berat pa Osum nuk ka, dhe Osumi pa Beratin do të ishte një rrjedhë e zakonshme. Pikërisht lidhja organike e Beratit me Osumin dhe kalanë, formojnë poligonin e UNESKOS. Si është e mundur që vjen Basha në Berat, dhe nuk flasin asnjë flalë për sistemimin e Osumit. Se mos ofendohen injorantët që kanë hartuar programin e ‘Ndryshimit’! Si është e mundur të vish në Berat dhe të mos flasësh për perspektivën e kufijve hidroteknikë të qytetit me shtratin e degjeneruar të Osumit? Në një kohë që projekti është miratuar nga prof.Farudin Hoxha, që në vitin 1990.
“Basha ,të shkosh në Berat dhe të mos flasësh për fillimin sistemimit Osumit dhe rrugës Berat-Memaliaj, por për rrugën Berat-Roskovec-Fier, që s’ka lidhje fare me jetën e përditshme të Beratit, do të thotë që nuk ka program”
Projekti dytë jetik, është Rruga Berat-Memaliaj, L=45 km. Beratin për ta vizituar duhet të shkosh enkas, sepse ka mbetur si qytet i izoluar. Megjithëse Korridori Qendror Jugor ose Boshti i Jugut, rregullon Tiranën dhe 2/3 e vendit të shkojnë në Tepelenë, duke udhëtuar 70 km më pak. Berati gjendet 45 km larg Memaliajt dhe udhëton 120 km për të shkuar në Tepelenë! Anasjelltas kjo është e vlefshme për gjithë Jugun, për të ardhur në Berat, Kuçovë apo Çorovodë. Ndërtimi rrugës Berat- Memaliaj do t’u shkurtonte mjeteve të Beratit dhe gjithë vendit, minimumi 100 mijë km rrugë çdo ditë. Qeveria e Doktorit e grabiti projektin e ri, i ndërroi emrin, në Boshti Jugut, e përdori për tre programe zgjedhore dhe e sabotoi, duke shkatërruar autorin e projektit, megjithëse u siguruan financimet për ndërtimin autostradës Baldushkut. Si është e mundur që vjen Basha në Berat dhe nuk prezanton projektin e rrugës Berat-Memaliaj, që do të vitalizonte jetën e beratasve dhe gjithë vendit? Për sistemimin e Osumit dhe rrugën Berat-Memaliaj, opozita duhet të përcaktonte ditën e fillimit e mbarimit punimeve dhe këtë, duhet ta promovonte çdo ditë, gjatë gjithë fushatës. Por për dy projektet jetike nuk u tha asnji fjalë. Çfarë do të ndryshonte Opozita në Berat, kur nuk flet për dy projektet që janë lidhur direkt me jetën, shëndetin dhe ekonominë e beratasit? Lind pyetja, përse duhet të votojnë beratasit Opozitën?
Tre ngjarje reale
Shitja e votës është më e mirë se asgjëja. Popujt po ndërgjegjësohen. Po e ilustrojmë interesin votës me tre episode reale. Viti 1948. Ilia Erenburgu është një shkrimtar disident rus. Artikujt nga fronti luftës dhe romani “Rënia e Parisit” i dhanë famë të madhe në Perëndim. Sipas romanit, “Rënia e Parisit”, fillon me një ngjarje në resorantin ‘Ches Josepfine’, rruga ‘Cherche Midi’. Javer Malo, askohe ambasadori ynë në Francë, mbasi lexon romanin, shkon takon pronarin e resorantit, duke i kujtuar se lokali tij ishte bërë i famshëm, falë botimit, dhe a e kishte lexuar romanin. Mos e keni fjalën për librin e atij rusit. E kam lexuar deri atje ku flet për dyqanin tim, pastaj shkrimtari futet në politikë dhe nuk e ndiqja dot.
Duke marrë shkas nga kjo kujtesë e largët, i drejtohem një të djathti të thekur, që ka një resorant afër ish- dyqanit “Flora”, Tiranë. “Për kë votove?…Fasadën e dyqanit, trotuarin dhe legalizimin, ma bëri kjo qeveri. Pothuaj gratis. Kemi votuar si bllok dyqanesh. Luli është djalë i mirë, por llafi ‘Ndryshim’ nuk rregullon asgjë nga jeta ime”. Të njëjtin sondazh e kreva dhe në Berat. Pronarit të një dyqani miks, me veshje edhe popullore, i bëra të njëjtën pyetje…”Për kë votove….Dyqanin jashtë e brenda ma rregulloi muzeu, ndërsa trotuarin bashkia. Nuk kam paguar pothuaj asgjë. Vetkuptohet që këta votova”. Më thuaj, çfarë ka të reja për Beratin dhe mua programi ‘Ndryshimit’? Asgjë. Asgjë. Miqtë e mi të djathtë u përgjigjën pothuaj njësoj si pronari resorantit francez. Dikur atë e quajta pa kulturë, që nuk kishte lexuar romanin e Erenburgut. Por në kapitalizëm jeta është e programuar. Popujt e prapambetur si puna 3 jonë, po ndërgjegjësohen. Ata po i largohen teorive dhe afrohen interesit. Të njëjtën gjë po ia drejtoj dhe vetes. Por unë çfarë kam përfituar nga e djathta, që për 20 vjet jam i vetmi që kam ndihmuar e shkruar hapur për ardhjen në pushtet të PD-së? Si shpërblim kam marë vetëm shkatërrim dhe mosmirnjohje, personalisht nga Doktor non Grata. Prandaj nevojitet një program i detajuar, që t’i shërbejë direkt komunitetit, që ai ta prekë dhe ta kuptojë se aty, përmirësohet edhe jeta e tij. Kjo do të thotë që për misionin e Bashës…..teoria e ‘Ndryshimit’ është detyrim përcaktim të përkthehet në projekte specifike për komunitetin.
“Të shkosh në Vlorë dhe të mos flasësh për financimet abuzive, pa asnjë interes të rrugës dhe tunelit Llogorasë, të mos flasësh për grabitjen e shekullit që do realizohet në ndërtimin e aeroportit të Akërnisë është skandaloze”
Mbi Kryemadhin
Kryemadhi bën pjesë në krijesat që të bën mik që në bisedën e parë. E hapur, pa natyrë fyese dhe hipokrite, dallohet për një operativitet të pa kursyer. Por përmbajtja e programit, ishte në kundërshtim me natyrën e saj tejet mase praktike. Si duket për të ruajtur nderin apo besën e teorisë ‘Ndryshimit’, ajo nuk evidentoi projekte konkrete që logjika e saj, duhet t’i bashkë bisedonte me njerëzit ose komunitetin e që ajo, takonte çdo ditë. Në Berat, ajo duhet të fliste 3 muaj rresht, çdo ditë për sistemimin e Osumit dhe rrugën Berat-Memaliaj. E cila është disa herë më e thjeshtë se rruga e Arbërit. Është fatkeqësi që ajo nuk mori përsipër vepra që do çimentonin lidhjet dhe besimin ndaj LSI-së, në nivel qarku dhe vendi. Duhet të theksoj se në bordin kryesor të programit, ajo kish disa të rinj të zgjuar që nuk njihnin realitetin shqiptar. Në logjikën e fakteve, LSI nuk ka humbur. Ajo vërtetoi se rrënjët e saj nuk u thanë nga terrori patronazhit. Një kolaudim i programeve me Vasilin si dhe Manjanin do ta çonte LSI-në, më afër me realitetin.
Epidemia se fitorja ishte e garantuar nga keq qeverisja, erdhi nga kampi PD-së. Ata që kanë hartuar programin e PD-së dhe gjithë opozitës, me bazë teorinë e ‘Ndryshimit’, ose nuk njohin realitetin shqiptar, ose janë të paditur, ose janë të paguar. Dogma e ndryshimit nuk është program pune për vendin. Ajo duhet të shqiptohej mbas projekteve konkrete, dhe nuk duhet të zinte jo më shumë se 5 % kohë në ligjëratat zgjedhore. Pavarësisht nga vendimi administrativ, opozita duhet të kërkojë fitoren jo me programe e ‘Ndryshimit’ që pergatiten nga Lart, por me projekte që formohen nga poshtë. Të vazhdosh të gjykosh se vetëm masakra e votave është baza e humbjes, nuk është reale. Edhe kandidatët për kryetar të PD-së, nuk kanë program, por me teorinë e ‘Ndryshimit’, kërkojnë të zëvëndësojnë Bashën. Zëvëndësimi premierit nuk argumentohet.