Nepravishta e lënë në harresë totale

715
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Behar Çulla

Nepravishta e shtrirë në këmbët e malit Bureto, një fshat me histori dhe kulturë të veçantë dhe një lashtësi plot mistere, me zor i reziston kohës moderne. Nepravishta është zgjedhur nga qeveria shqiptare ndër njëqind fshatrat turistikë,  por sot ajo ndihet e braktisur e s’të ofron asgjë, pasi ndihet e lënë në harresë. Nepravishta numëron sot plot 805 votues me një popullsi në rritje. Në vitin 1750 Nepravishta numëronte 104 familje, sot është një fshat i shtrirë në disa lagje, ku popullsia është në rritje por është dhe në ikje, për faktin se, fshati është lënë totalisht në harresë dhe i pa shpresë ku, historia dhe objektet njëqind e ca vjeçare, po shemben dita ditës. Nepravishta ka ndërtime karakteristikë të larta dy -tre katëshe, si dhe porta me harqe prej guri, të cilat fatkeqësisht po shemben  dhe po  humbasin totalisht vlerat  historike dhe arkitekturore.

Kur Lord Bajroni bëri udhëtimin e tij në Evropë në vitin 1809, fati e deshi që rruga t’i binte nga Nepravishta kur përshkoi Libohovën, Antigonenë dhe arriti në Tepelenë e më tej, në kujtimet e tij s’la pa përmendur dhe Nepravishtën, për cilësitë e saj që ajo ofronte si, mikpritja dhe traditat e e fshatit por, dhe resurset që të ofronte zona, si ujë i ftohtë i Vrizit dhe duhani merullato i Nepravishtës që kultivohej dhe pihej nga burrat e Nepravishtës, ose përdorej për tregti në fshatrat përreth dhe më gjerë. Sot, fatkeqësisht Nepravishta ka nevojë për një ndërhyrje shtetërore, pasi për shkak të vjetërsisë, ndërtesat e saj të larta po rrëzohen po ashtu dhe portat me harqe të ndërtuara që në vitin 1881. Ato sot kanë nevojë për mirëmbajtje nga ana e shtetit dhe të kthehen si monoment kulture ku t’i shërbejnë dhe turizmit, edhe vizitorëve. Nepravishtës sot i mungojnë shumë gjëra për t’i ofruar shërbimin e kërkuar turistëve që vijnë tek- tuk. Ndonjë që ka lexuar librin me kujtimet e Lord Bajronit kur vjen në Nepravishtë, përballet  me vështirësitë e ditës si hoteleria, bujtinat apo restorantet apo kampingjet që duhet të ketë për një turist të huaj apo vendas. Turisti sot shikon veç një tabelë turistike që shkruan se “Në Nepravishtë gjen bankomat, internet, vend panoramik, ecje në mal, plazhe” e shumë gjëra të tjera, por fatkeqësisht sa le tabelën, pas asaj tabele nuk ofrohet më asnjë shërbim.