Hyqmet Zane: Patronazhistët si vullnetarët e Enverit – spiunët e popullit

81
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Gjetja e re” e rilindjes  Rama “Patronazhistët” u bë sebep për të thënë të vërtetat dhe komentet e tyre siç e mendon secili në rrjetet sociale apo në kanalet televizive. Këtë model unë e dija se ishte bërë me ligj që në çdo institucion që të ishte një njeri, që do të raportonte te rilindja opinionet për punonjësit se kush ishin, nga vinin, me se merreshin, me kë shoqëroheshin, sa të zellshëm ishin në klikimet e postimeve të udhëheqjes e të tjera si këto spiunllëqe dhe shpifje pa fund. Me një fjalë këta ishin spiunët e qeverisjes.

Mirë apo keq, ata u bënë “rrotë dhe burmë” e sistemit tamam siç thoshte Lenini për shkrimtarët dhe artistët. Por këta punonjës informatorë janë të një lloji të veçantë, se ata janë si pasardhës të modelit “vullnetarët e Enverit” që shprehnin besnikërinë e madhe ndaj partisë dhe spiunonin këdo që donin me filozofinë në shërbim të luftës së klasave. Këta “rrotë dhe burmë” – informatorë të institucioneve ishin edhe frika e madhe e punonjësve që nuk e dinin se nga mund t’u vinte e keqja se çfarë mund të spiunonin ata atje ku mblidheshin të dhënat. Tamam si një sistem sulltanor si në romanin “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë.

Ky rikthim në instalimin e spiunëve në çdo institucion dhanë efektin e tyre, se kudo ata shpërndanë formularët ku çdo punonjës ishte i detyruar të shënonte të dhënat donte apo nuk donte dhe të firmoste. Në rast të mospranimit, vihej në dyshim dhe gjendej momenti i parë që të hiqej nga puna. Ndaj dhe janë shtuar shumë gjyqet administrative për të fituar të drejtën, edhe pse në shumicën e rasteve nuk ktheheshin në punë, por fitonin dëmshpërblimin që tanimë, sipas KLSh, ka arritur në miliona e miliona lekë detyrime të shtetit ndaj individëve.

Pikërisht këta u bënë patronazhistët e parë se më pas gjithçka u bë një kazan me çorbë, që secili duhet të hante një lugë edhe pse do e vjellë gjithë jetën. Ky është një turp tipik rilindas dhe që na risjell në vëmnendje si modeli më i keq i bëmave të atyre vullnetarëve të Frontit Demorkatik në çdo lagje, që nuk bënin gjë tjetër, por ishin “syri vigjilent” si spiunët e zellshëm të diktaturës së partisë – shtet sipas metodave staliniste. Të merrte jetën Fronti, të internonte, të fuste në burg, të bënin gjyqe publike dhe ata që shpëtonin rrinin sus se e pësonin.

Pikërisht këtu kemi arritur që patronazhistët kanë ngritur institucion dhe janë bërë edhe mjeshtra të vjedhjes jo të mendimeve, por të të dhënave personale duke të vënë përballë faktit që rilindja di gjithçka për gjithkënd.

Kur Edi Rama kërkon ta ekstradizojë këtë gjë si për të zhvlerësuar efektin negativ që krijoi në popull në këtë pragzgjedhjesh,  me siguri që ai ndjehet i pasigurtë se nuk merret më me programe dhe projekte për të ardhmen, por me spiunllëqet e spiunëve me emrin “patronazhistë”.  Nuk e bëri këtë në shëndetësi që të intersohej për shëndetin e popullit që e kërcënonte Covidi – 19, por vuri propogandën në funksion të dështimit për të ndihmuar popullin e tij.

Por vjedhja, vjedhja e të dhënave nga sistemi digjital kombëtar dhe përdorimi politik i të dhënave personale, përmes metodave diktatoriale, është një lajm tronditës për çdo shqiptar, por dhe për çdo europian. Tanimë ikja nga ky vend i rinisë për ti’ shpëtuar patronazhistëve, do rritet nëse nuk votohet ndryshimi që kërkohet edhe ndërkombëtarisht.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ndarë me qytetarët shqiptarë një opinion të tijin në lidhje me këtë fakt duke u shprehur se: “Ndaj të njëjtin shqetësim të thellë dhe u bëj thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë me shpejtësi duke nxjerrë para përgjegjësisë ligjore ideatorët dhe ekzekutorët e këtyre praktikave survejimi e përndjekjeje, që e kthejnë vendin vite pas dhe i nxijnë faqen Shqipërisë kudo në botë”.

Bërja publike e këtij lajmi për vjedhjen e të dhënave digjitale duket se ka shqetësuar edhe përfaqësuesen e SPD në Gjermani që e cilëson alarmues një veprim të tillë. Ajo i vë në vëmendje këtë vepër hajdutërie edhe  Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Avokatin e Popullit dhe çdo institucion shtetëror, që e kanë detyrë kushtetuese dhe ligjore mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Ka një fjalë populli shqiptar kur thotë se:  “ku të çon mushka a derëzi” ? Është kjo pyetje që i bëhet sot Edi Ramës dhe rrjetit të tij të patronazhistëve dhe gjithë socialistëve të ndershëm se një sjellje e tillë kryeministrore nga kryepatronazhisti i Shqipërisë, është një provokim i rëndë i demokracisë  dhe i shtetit të së drejtës, që shpërdoron Kodin Zgjedhor, shpërdoron votimet e lira dhe të ndershme si çdo gjë tjetër që ka bërë në këtë vend një njeri me veshje kryeministrore dhe me sjellje oligarku me synime kriminale për të ardhmen e këtij vendi.

Për të nderuar një figurë si Presidenti Amerikan Franklin D. Roosevelt, sjell në vëmendje shprehjen e tij brilante si një këshillë dhe apel edhe për shqiptarët kur ai shprehej:  “Në demokraci liria rrezikohet nëse populli toleron rritjen e pushtetit personal deri në pikën kur ai bëhet më i fortë se vetë shteti demokratik”. Në thelb ky është fashizëm  kapja e qeverisjes nga një individ, nga një grup, a çfarëdo kontrolli nga pushteti privat

25 prilli 2021 vendos që në këtë vend do qeverisin  patronazhistët me kryepatronazhistin dhe shqiptarët të ikin edhe më shumë nga vendi i tyre apo do të fitojë ndryshimi me një aleancë të madhe për t’i dhënë shqiptarëve shpresën e së ardhmes.