Prof. Dr. Zamira Çavo: Kuvendi i Partisë Demokratike, si Kuvendet e Partisë së Punës

495
Sigal

Sërish nuk më zhgënjeu Partia Demokratike! Asgjë e re, vetëm një kopjim i keq i Kuvendeve të dikurshme të Partisë së Punës. Për pasojë, shpresat për të besuar tek kjo Parti, janë pothuaj zero. Por le ta analizojmë: Ne shqiptarët kemi humbur gjithnjë sepse, asnjëherë nuk kemi ditur të pranojmë gabimet tona. Gjithnjë e kemi kërkuar “fajtorin” jashtë nesh dhe kur nuk e kemi gjetur dot një të tillë të besueshëm, ia kemi ngarkuar fajin ndonjë “tradhtari” brenda nesh. Asnjëhërë nuk kemi ditur të ndalemi, ashtu si kanë bërë popujt e tjerë, dhe të analizojmë çfarë kemi bërë gabim me qëllim ndreqjen e tij. Jo! Ndaj dhe jemi mashtruar e vetmashtruar. Nëse nuk njeh gabimet e tua, je i prirur t’i përsërisësh ato. Por nëse arrin t’i njohësh, atëherë duhet mbajtur edhe përgjegjësia. Por z Basha, jo vetëm që nuk bëri një analizë të hollësishme të humbjeve të njëpasnjëshme të  partisë që ai drejton, por ashtu si dikur bënte Enveri, u përpoq t’ja vishte fajin e humbjes së fundit, “masakrës” elektorale. Asnjë gabim, po asnjë, nuk ia njeh vetes apo lidershipit të kësaj partie. Por ama, ashtu si dikur  bëntë PPSh, gjeti  “armiqtë” demokratë, të cilët paskan punuar kundër interesave të partisë! Diskursi i z. Basha në këtë Kuvend, të bën të mendosh se ky individ, nuk mundet kurrë të bëhet një lider i vërtetë! Flet me tone gati qesharake e me impostime banale për mosnjohjen e zgjedhjeve, duke vulosur me fjalët:  “PD-ja kurrë nuk ka për t’i njohur këto zgjedhje”, por ama… do hyjë në Kuvend. Nuk bëri asgjë për t’i kontestuar ato, ndërkohë vazhdon të mashtrojë në mënyrë banale, thua se është vërtetë një analfabet politik! Kuvedi i Partisë Demokratike dëshmoi edhe njëherë se, nuk ndahet dot nga e kaluara e vet e trishtë! Brohorimat për Sali Bershën, më tingëlluan si brohoritjet e dikurshme për Enver Hoxhën! Një parti që brohoret një individ, nuk është gjë tjetër veçse një parti e atrofizuar, ku demokracia konsiderohet sakrilegj!

-Dhuna ka udhëhequr shpesh politikën shqiptare në këto 30 vite! Kësaj dhune iu drejtua lidershipi i Partisë Demokratike, për t’ja u bërë më të besueshme fitoren, militantëve ekstremistë të kësaj partie! “Ne do përdorim çdo mjet për të përmbysur regjimin Doshi- Rama” u tha në Kuvend. Prisja që dikush nga intelektualët, që nuk i mungojnë Partisë Demokratike, të ngrihej e të thoshte, qoftë edhe me gjuhë të moderuar, se dhuna nuk mund ta sjellë në pushtet asnjëherë këtë parti! Në Kuvendet e Partisë së Punës, imperializmi amerikan apo ai sovjetik, anatemoheshin me fraza që sot të bëjnë të qeshësh. Ne shqiptarët, nuk pyesnim, as për amerikanët e, as për rusët. Ne ishim të pamposhtur e nuk na dridhej qerpiku! Ja pra që edhe në këtë Kuvend të PD-së, shpërfillja ndaj të huajve, e sidomos ndaj Amerikës, ishte e dukshme. Ti Moj Amerikë i hoqe vijën Berishës? Ne të heqim vijnë ty dhe brohorasim në këmbë “Rroftë Sali Berisha!” Sepse ne, jemi shqiptarë, e nuk pyesim për të tjerët! Miopi vulgare e një partie distrofike! Mund të rreshtoja edhe mjaft ngjashmëri të tjera mes Kuvendeve të PPSh-së dhe këtij të PD-së, por për të mos e lodhur lexuesin, po e mbyll me frazën: Një Parti që nuk arrin të rinovohet me problematikat që sjell koha, një parti që nuk arrin të mësojë nga eksperienca e saj  pozitive ose negative, një parti që kërkon “armiq” brenda vetes për  të justifikuar humbjet e saj, është një parti e vdekur! Dhe askush nuk mund të presë që kjo parti të vijë në pushtet! Është një thirrje për shoqërinë civile, për intelektualët e këtij vendi për t’u bashkuar e për të gjetur rrugën e vërtetë të demokracisë. Ndryshe, sa më shumë flet z Basha, e sa më shumë del në ekrane Berisha, aq më të gjatë e ka jetën qeveria Rama!