Vladimir Duraj: Bilal Sina – Heroi që vallëzoi me vdekjen për 11 minuta.

350
Sigal

Ishte në hapat e para të ëndrrës së tij si pilot kur u përball me të papriturën mê të pakëndshme të jetës së tij. Bilal Sina, që pas dy muajsh e një jave mbushte plot 24 vjeç, do sfidonte vdekjen duke vallëzuar me të për plot 11 minuta, teksa ulte avionin me motorr të fikur dhe rrotën e parë të bllokuar.

Në mars të 1967-ës dhe pikërisht në 18 të tij, piloti 24 vjeçar ngrihet me MIG-15 për kryerjen e detyres luftarake së bashku me 28 bashkëluftëtarë të tjerë. Por kur aparatet treguan 6000 m lartësi dhe 40 km distancë, Bilali konstaton se motorri i avionit kishte pushuar duke e lënë kësisoj Bilalin të vetëm mbi një masiv hekuri pa jetë. Me një qetësi olimpike ai i raporton për situatën e krijuar udhëheqësit të fluturimit, komandantit të aviacionit në ish qytetin Stalin, pilotit të klasit të parë, të madhit Bardhyl Taçi.

Duke vlerësuar situatën dhe duke pasur parasysh se ‘njeriu është kapitali më i çmuar’, komandant Bardhyli urdhëron Bilalin të braktisë avionin e të hidhet me parashutë pasi t’i jepte avionit këndin dhe drejtimin e parrezikshëm.

“- Urdhëri ishte i prerë, me ton të lartë e rreptësi, komandanti kërkonte të shpëtonte dhe garantonte jetën time – tregon Bilali.”

 

Po me këtë urdhër nuk ishte dakord Bilali, ai i vuri vetes detyrë që bashkë me avionin të ulej shëndoshë e mirë në pistë. Dhe kështu bëri, vuri gjithë energjitë dhe cilësitē e tij fiziko-teknike në funksion të kësaj vendimmarrje.

Me fikjen e motorrit avioni u shndërrua në një masiv metali, që në rënie të lirë po i drejtohej tokës. Bilali ato momente ndodhej mbi Gramsh. Ndërkohë që avioni humbte lartësi Bilali luftonte qetësisht e trimërisht me vdekjen që i rrinte përballë e duke qeshur i thoshte :

“- Hidhu, shpëto kokën, dëgjoje komandantin…ndryshe do të të marrë me vete.”

“- Tutje mortje, nuk jam për ty as sot dhe as për 100 vjet, ndaj largohu prej meje” – ia ktheu me neveri Bilal trimi, ndërkohë që në anën tjetër manovronte me shpejtësinë dhe përpiqej me të gjitha mënyrat për ta risjellë në gjëndje normale atë bajloz ajri të zemëruar.

 

“- Kreva 4 rilëshime dhe në asnjë rast motorri nuk rifilloj punë – tregon Bilali.”

Pas 5 minutash Bilali me MIG-un e tij të çmendur ndodhej mbi Mallakastër dhe pikërisht aty rilidhet me Bardhyl Taçin që më në fund u tërhoq nga urdhëri për hedhje me parashutë dhe u investua tek detyra tjetër, ajo e shoqërimit në ulje të pilotit të ri.

 

– Do të ulemi bashkë, do ta komandojmë avionin bashkë, do të shohësh se gjithçka do të shkojë mirë – më thoshte Bardhyli në kufje duke u shndërruar kështu në një perëndi ndihmuese për misionin tim – tregon Bilali.

 

U deshën 6 minuta që MIG-15 me Bilalin mbi shpinë të dukej në kodrat mbi pistën e qytetit Stalin, moment ky kur vdekja, tashmë e çmendur si asnjëherë, përdori fishekun e fundit për të mposhtur pilotin trim të aviacionit të një vendi shqiponjash.

Rrota e parê nuk iu bind komandës së Bilalit duke e bërë edhe më të vështirë situatën e Bilalit.

 

“- Të thashë, më merr të keqen më merr, unë dhe avioni do të ulemi si kokrra e mollës – i tha vdekjes Bilali me qetësi dhe siguri për t’u pasur zili.”

 

I ndihmuar maksimalisht nga dijet dhe përvoja e komandant Bardhylit, Bilali shmang edhe pengesën e fundit duke e ulur avionin ashtu siç kishte vendosur, për bukuri.

Ndërsa priste shokët që po vraponin drejt tij, Bilali kryen lëvizjen e fundit të valles njëmbëdhjetë minutëshe me vdekjen.

 

“- Zhduku qelbësirë, tani unë jam i tyre, shihi me sa gëzim e dashuri po vijnë drejt meje – i tha vdekjes Bilal Sina dhe gjithë kënaqësi shijonte largimin e saj me bisht ndër shalë drejt ndonjë frikacaku.”

 

Trimat fitojne çdo betejë, këtë bëri edhe legjenda e aviacionit, Bilal Sina. Akti i tij ishte i jashtëzakonshëm, një heroizëm i vërtetë. Manualet e aviacionit nuk e parashikonin një veprim të tillë, përkundrazi, hedhja me katapultë (parashutë) në raste të tilla ishte taksative. Rasti Bilalit, megjithëse thuajse identik me atë të studentit Lutfi Jaho një vit më parë, bëri bujë të madhe. Nuk mbeti njeri, pëllëmbë toke e ajri pa e marrë vesh heroizmin e djaloshit tiranas.

Në librin e Leximit të klasës së pestë ngjarja u trajtua si temë e veçantë mësimore, duke bërë kështu një përjetësim të heroizmit të Bilalit. Pikërisht në këtë periudhë u njoha edhe unë me emrin Bilal Sina. Në atë moshë, 10 vjeç, Bilalin e parafytyroja si një kreshnik malesh që kapi për fyti dhe e detyroi të ulej në tokë pa asnjë dëm atë përbindësh metalik të hazdisur.

 

Ndërkohë Bilali ishte një djalë i zakonshëm, vetëm 14 vjeç mbi mua, i lindur më 25 maj të ’43-shit në Sauk, ose në ballkonin e Tironës siç shprehet Ai, nga ku e shihte Tiranën dhe avionët që gumëzhinin në të si në pëllëmbë të dorës. Kreu shkollēn 7-vjeçare në fshat dhe pas saj regjistrohet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në vitin 1958. E përfundon këtë shkolle me rezultate shumë të mira dhe kërkon të vazhdojë për pilot në shkollën e Aviacionit të sapokrijuar në Vlorë.

 

“- Tashmë fluturimi ishte shndërruar në dashuri për mua, ndaj në kërkesën për shkollën e lartë shkruajta tre herë : Aviacion, Aviacion, Aviacion ! – tregon Bilali.”

 

E përfundon Shkollën e Aviacionit në vitin 1966 dhe pikërisht në fund të këtij viti emërohet Pilot Gjuajtës – Bombardues në Regjimentin e Aviacionit në ish Q.Stalin. Vetëm 4 muaj më pas, në 18 mars, ndodhi historia që treguam më sipër, histori që vulosi portretin maxhor të Bilalit dhe e shndërroi atë thuajse në një mit. Ajo që bëri Bilali me uljen e avionit në atë situatë të pazakontë nuk ishte një rastësi, as punë e zotit, ajo që bëri Bilali ishte vepër dhe meritë e tija, ishte rezultat i përgatitjes dhe forcës së tij, guximit, kurajos dhe trimërisë së tij. Bilal Sina ishte pilot dhe shpëtoi avionin, nëse do të pilotonte anijen do të shpëtonte anijen, nëse do të ishte mjek do shpëtonte jetë…shkurt, në çdo situatë të gjendej, Bilal Sina do të triumfonte.

Bilali i ngjiti shkallët e karierës një e nga një, nga pilot i thjeshtë e deri në komisar i Aviacionit, pa pasur suport e përkrahje tjetër veç meritës së tij. Në moshën 50 vjeçare, në kulmin e aftësive të tij Bilalin e nxjerrin në lirim si shumë të tjerë. Bilal Sina ishte veçanti në Aviacion dhe si i tillë duhej trajtuar, por jo, edhe “mjalti” i socializmit “helm” u dukej pushtetarëve të rinj të pas ’90-ës.

 

Bilal Sina, 89 vjeçari me fizik e shpirt djaloshar mbetet heroi i gjallë i Aviacionit, i nderuar, respektuar e vlerësuar nga tē gjithë, emrin e të cilit mban edhe një rrugë në Tiranë.