Dita e 2-të e bojkotit në universitete përfundon pa rritje pagash për pedagogët! Qeveria paralajmëron se do mbajë peng diplomat e studentëve të mjekësisë

188
Sigal

Presidenti Begaj letër universiteteve: Ndjek me vëmendje zhvillimet. SPAK “harron” koncesionet në shëndetësi, Ilir Beqaj u jep leksion rektorëve për menaxhimin e parave në krah të kryeministrit dhe ministres së Arsimit

 

 

Kostoja e studimeve në Shqipëri nuk rëndon aspak mbi buxhetin e shtetit, pasi nuk është falas. Kostot për arsim në vendin tonë mbulohen nga xhepi i familjeve të studentëve.

 Presidenti Begaj  letër universiteteve: Ndjek me vëmendje zhvillimet, më informoni për kërkesat.

Viti i ri akademik filloi më 17 tetor, por mësimi nuk është zhvilluar pasi prej dy ditësh një pjesë e pedagogëve të universiteteve publike kanë bojkotuar mësimdhënien, pasi i kanë drejtuar qeverisë një sërë kërkesash. Presidenti Bajram Begaj u ka dërguar letër rektorëve të universiteteve duke kërkuar informacion në lidhje me situatën e krijuar nga protesta e pedagogëve. Letra është siguruar nga TCh. Ai shprehet se po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe se ata duhet të japin informacion konkret për kërkesat që kanë.

Vazhdon bojkoti i mësimit nga pedagogët. Pedagogët protestuan përpara universiteteve publike në të gjithë vendin. Ata kërkojnë rritje pagash dhe kushte më të mira pune, përfshirë edhe financimin për kërkime shkencore. Mësimi është bojkotuar në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, e Korçë. Pedagogët nuk e pranuan rritjen 15% të pages, ndërsa iu përgjigjën edhe kryeministrit Edi Rama që mblodhi paralelisht rektorët e Universiteteve për t’ju thënë se rritje pagash nuk ka. Pedagogët thanë se rritja që kërkon Rama nuk bëhet pa financim, ndërsa thanë se gjendja aktuale e universiteteve është skandaloze. Pedagogët thanë se sot do të vazhdojë protesta në orën 10:00, dhe bojkoti vazhdon. Për deklaratën e kryeministrit Rama në lidhje me rritjen e pagave në mënyrë uniforme ka reaguar dhe Sindikata e Pedagogëve. Kryetari Sandër Kovacci tha se universitetet janë në gjendje kënetore dhe për këtë arsye protestat do vijojnë çdo ditë para universiteteve së bashku me studentët.

Në takimin e thirrur prej tij me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike, Edi Rama ka gjetur kohën dhe momentin për t’i kritikuar të gjithë lidhur me problemet në arsimin e lartë, por për të mos mbajtur përgjegjësi mbi reformën e dështuar të qeverisë së tij. Rama fillimisht “u tërhoqi veshin” rektorëve dhe pedagogëve duke i fajësuar për mungesën e rankimit të universiteteve shqiptare në tregun ndërkombëtar, si pasojë e cilësisë së dobët në mësimdhënie. Më pas ua bëri të qartë atyre, që protestojnë dhe kanë bojkotuar auditorët se rritje page uniforme nuk do të realizohen më në historinë e Shqipërisë dhe i kërcënoi se do t’u kontrollojë pagesat e detyrimeve duke thënë se regjistrohen si “punëtorë fasonerie” duke fshehur të ardhurat.

“Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme, sepse kërkojnë sindikatat ka mbaruar bashkë me reformën e Arsimit të Lartë. Autonomia është liri dhe përgjegjësi. Kjo është hera e fundit që ne bëjmë rritje page uniforme. Aty tjetër deklarojnë, tjetër marrin. S’mund ta pranojmë të kemi pedagogë të regjistruar në librin e pagave sikur punojnë në fason”, deklaroi kreu i qeverisë.

Dhe të fundit në lumin e kritikave që liston, por që kurrë nuk prekin atë apo vendimet e qeverisë së tij, Rama e pati për Bashkimin Europian dhe veçanërisht Gjermaninë, por edhe studentët ekselentë që përfitojnë bursa studimi dhe më pas diplomën e tyre e shfrytëzojnë për t’u punësuar në Perëndim.

Por, i pari i qeverisë vazhdoi edhe më tej duke “zbritur” në Tiranë fjalimet kritike që ripërsërit në çdo skenë të samiteve europiane ndaj vetë BE-së. Këtë herë Rama kërkon nga Bashkimi Europian që të financojë universitetet shqiptare në mënyrë që të “shlyejë borxhin” për studentët që Gjermania i merr vendit tonë dhe për shkollimin e të cilëve sipas tij ka financuar qeveria.

Por, e vërteta që kryeministri harron, ose me qëllim nuk dëshiron t’i referohet është se kostoja e studimeve në Shqipëri nuk rëndon aspak mbi buxhetin e shtetit, pasi nuk është falas.Thënë këtë, sepse kostot për arsim në vendin tonë mbulohen nga xhepi i familjeve të studentëve, pasi prindërit e tyre financojnë në çdo hap përgatitjen e arsimtarëve, mjekëve, ekonomistëve, inxhinerëve dhe gjithë profesionistëve të fushave të ndryshme për të cilët Shqipëria ka nevojë.

 

‘Bllokimi’ i diplomave të mjekëve

‘Diploma e mjekëve nuk do të jepet direkt sapo të mbarojnë shkollën’, kështu u shpreh kryeministri Rama në takimin e tij me rektorët. Kreu i qeverisë tha se mjekët e sapo diplomuar, duhet që fillimisht brenda një afati të caktuar të shërbejnë në detyrë disa vite në Shqipëri dhe pas marrjes së diplomës të mund të emigrojnë në vendet e tjera, nëse këta të fundit e kanë si qëllim.

Kushi: Mësuesit meritojnë më shumë

Por në një kohë që qeveria pretendon se nuk ka mjaftueshëm para për të financuar Arsimin Universitar dhe nuk mund të sforcohet për pedagogët, ministrja e Arsimit Evis Kushi në Komisionin e Arsimit lajmëroi një rritje tjetër të pagave për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. “Mësuesit meritojnë më shumë, i rritëm pagat mandatin e kaluar pavarësisht tërmetit e pandemisë. Janë rritur 32%. Mandatin e ri jemi angazhuar për 40% rritje, vitin e ardhshëm do të ketë sërish rritje, deri në fund të mandatit minimumi i rritjes do jetë 40%.”, deklaroi ajo.

SPAK “harron” koncesionet në Shëndetësi, Ilir Beqaj u jep leksion rektorëve

Ilir Beqaj, një prej ministrave më të akuzuar për korrupsion gjatë qeverisjes së Edi Ramës, u shfaq në krah të shefit të tij dhe ministres së Arsimit, Evis Kushi, në një takim me rektorët e universiteteve të Shqipërisë. Qëllimi zyrtar i takimit ishte rritja e performancës së shkollave të larta, ndërkohë që e vërteta që fshihet pas saj është tentativë e kryeministrit Rama për të sfumuar grevën e pedagogëve, të cilët kërkojnë trajtim më dinjitoz financiar. Një pjesë e rëndësishme e takimit ndërmjet kreut të qeverisë dhe rektorëve e zuri fjala e Ilir Beqaj, i cili mban prej pak kohësh postin e drejtuesit të Agjencisë së Planifikimit Strategjik të Ndihmës së Huaj. Për opozitën, ky institucion i krijuar nga Rama në vitin 2021, është “një mekanizëm për të vjedhur fondet e BE”. Kjo bindje iu forcua më shumë opozitës, kur në krye të saj u emërua Ilir Beqaj. Ai ishte ministër i Shëndetësisë në mandatin e parë të Edi Ramës, në periudhën 2013-2017. Gjatë asaj kohe, ministria e Shëndetësisë miratoi disa koncesione shumë të debatueshme, të cilat u kushtojnë qindra milionë euro taksave të qytetarëve shqiptarë. Për këto kontrata koncesionare të shëndetësisë , Ilir Beqaj është kallëzuar pranë SPAK, një institucion i krijuar pas miratimit të Reformës në Drejtësi, me objekt hetimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.

Pas më shumë se dy vitesh, Prokuroria Speciale ende nuk ka arritur në një konkluzion nëse ekzistojnë ose jo shkeljet penale. Në Korrik 2022, pra më shumë se 24 muaj nga kallëzimi, Ilir Beqaj u thirr për të dhënë deklarimet e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore të SPAK-ut. Pak orë para tij, në dyert e Prokurorisë Speciale ishte paraqitur edhe ish-zëvendësi i tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj. Këto lëvizje të verës krijuan idenë se SPAK-u tashmë kishte ndezur motorët dhe mund të arrinte në një konkluzion sa më të shpejtë, të paktën për njërin prej 4 koncesioneve e shumëdebatuar në Sektorin e Shëndetësisë. Por, siç “vapa ikën me gushtin”, edhe veprimet e Prokurorisë së Posaçme u rikthyen apatike pas përfundimit të stinës së verës.Tashmë që Ilir Beqaj pritej të kalonte më shpesh dyert e drejtësisë, ai shfaqet përballë rektorëve, duke u dhënë leksione për mënyrën e menaxhimit financiar të universiteteve.