Rrëfen Tefta Radi: Historia e rrallë e Gjyljanës, mbesës 90-vjeçare të Imzot Viçenc Prendushit

446
Sigal

Rrëfen Tefta Radi: Historia e rrallë e Gjyljanës, mbesës 90-vjeçare të Imzot Viçenc Prendushit. Miqësia dhe fotot në katedralen e Shën Mëhillit me Gjergj Fishtën si dhe letra e dërguar 71 vite më parë nga shoku i zemrës, dhe persekutimi nga regjimi komunist.

Një letër  dashurie, që na sjell në traditën e herëshme, kur letrat shkruheshin me dorë e sot mbeten dëshmi e bukur e plot emocione

Letra e një ushtari për të dashurën në vitin 1949

Gjyli, që i rrëmbeu zemrën Vlashit me edukatën, kulturën dhe butësinë katolike ishte mbesa e Im zot Vinçenc Prennushit

– Vajza e vogël, Gjyliana ka fatin e madh që në katedralen e Shën Mëhillit  ka dalë në foto me Padër Fishtën

– Një foto e rrallë që  i përket vitit 1936 e shkruar nga vetë Fishta

– Letra është shkruar plot 71- vite më parë dhe është ruajtur me shumë kujdes si pasuria më e çmuar dhe më e madhe e çiftit

Tefta Radi

Një letër  dashurie, që na sjell në traditën e herëshme, kur letrat shkruheshin me dorë e sot mbeten dëshmi e bukur e plot emocione. Të bën të fluturosh e të harrohesh në kujtimet e atyre  kohëve, rinisë që shkon e nuk kthehet më. Është letra e një ushtari për të dashurën e zemrës, por jo nga llogoret e luftës, siç jemi mësuar të shohim e të përlotemi në filma. Ajo është shkruar nga Korça e pasluftës dhe mbart brenda saj ndjenjë dhe emocione të pa përsëritëshme. Është pasuri që elektronika nuk e zëvendëson dot kurrë. Po kush ishte Gjyli, që i rrëmbeu zemrën Vlashit?  Vajza me edukatën, kulturën dhe butësinë katolike. Ishte mbesa e Im zot Vinçenc Prennushit. Shpesh fëmijë ajo veronte, në katedralen e  Shën Mëhillit,  në ish Dioqezën e Sapës, themeluar rreth vitit 1180 rrëzë malit të Shën Mëhillit, ku axha i saj, Vinçenci  ishte Ipeshkv. Aty u edukua me dashurinë për librin dhe për natyrën, në veçanti për lulet.   Në shekullin e 11-të, sipas dokumentave të Vatikanit, vjetarit të Atit të Shenjtë, në të cilën janë të botuara të gjitha dioqezat katolike të mbarë botës, e së cilës i referohet historiani  Dom Gasper Gurakuqi, Sapa ishte një qytet  mjaft i zhvilluar. Kohë më pas u dogj e rrënua nga Tartarët, e po ashtu tërmetet.  Muret e gurtë, me themele të forta si dhe një  prej faqeve të dioqezës,  jane dëshmi  e Kishës Katedrale të Shën Mëhillit. Në  këtë dioqezë ushtruan aktivitetin e tyre  në emer  të fesë e të Adheut, Ipeshkvij të shquar. Veçojmë Monsinjor  Pjetër Budin, ne  1621, kontributin e tij ne  shkrimin e gjuhës shqipe, monsinjor  Frang Bardhin, i cili shkroi Fjalorin Latinisht –Shqip.  Sapa, e dikurshme, shtrihej  në territorin që sot ne e njohim si krahina e Zadrimës. Mik i pandarë  i imzot Prennushit ishte dhe at Gjergj Fishta, personalitet i shquar i kombit shqiptar. Vajza e vogël, Gjyliana ka fatin e madh që në katedralen e Shën Mëhillit  ka dalë në foto me Padër Fishtën. Një foto e rrallë që  i përket vitit 1936 e shkruar nga vetë Fishta. Gjyli, sot rreth të 90 –ve, e quan veten fatlume teksa e kujton Padër Fishtën ashtu të ngulitur thellë në kujtesën e saj e të pa harruar.

Por le të kthehemi tek letra e dashurisë, shkruar me aq botë e ndjenjë nga Vlashi i saj i dashur. Është shkruar plot 71- vite më parë dhe është ruajtur me shumë kujdes si pasuria më e çmuar dhe më e madhe e çiftit , mes shumë letrave të tjera. Jetuan bashkë 63 – vite. E kjo letër vazhdon e lexohet prej Gjylit me sytë përlotur…………. I yti për jetë, Vlashi.

Letra e Vlashit e shtypur, 23.02.1949.

E dashtuna Gjyl!

Edhe zogu me fluturimin e tij te letë e të shpejtë ja mbrrini. Letrën ma dorzoj dhe me këngën e tij t’ambel të falunat, përshndetjet, fjalët tua herë të gzueshme dhe herë të mbulueme prej friget dhe trishtimit m’i dorzoi. Aj zog, e dashtuna Gjyl, aj zog me krahë të arta dhe melodina mallngjyse asht’ dashtënija që në zemra tona na lidh sot në moshë ma të bukur, na lidh na bashkon në nji fije ma të fort se hekuri, ma të qendrueshme se diamante, në nji fije që s’ka gja në botë që e këput, mos vallë as vdekja?

 

E dashtuna Gjyl!

Në këto çasa që këndoj letrën tande dhe qi nji kohësisht të shkruej, qielli asht’ i thjesht’ dhe pa re, nji erë e fresktë fryn, por letë, mbarë natyra megjithse e stolisur me gjana që mbajnë gjurmën e dimënit  që po shkon, duket e bukur dhe e ambël, sikurse e bukur asht’ foshnja e njomë që ka ndrue jetë megjithse mbi ball, mi sy dhe ndër mollza mbanë të puthmen të idhët të vdekjes. Tue e lexue me vemendje letrën, që per mue asht’ e paçmueshme, për gjendjen e mirë tanden, provoi gëzim që zemra e provon, por që goja se tregon. Me nji herë, pa vonesë përgjigjen po ta kthej. Mora vesht se letra e eme, kenka i vetmi mjet ngushllimi. Nuk duhet të jetë ashtu, pak së paku më duket mue kur gjatë ditës mërzija dhe trishtimi fillojnë me u rritë, mendja e jote të mbrrin fluturim kah mue. Të jesh e sigurtë Gjyl, se në çdo kohë dhe çdo sekond  zemrat tona shpirtnisht  kan me u bashkue dhe atëherë kujtimi i ditve  t’arshme dhe të kalueme, ka me kenë ma i ambël se trishtimi.  Keqardhjen tuej që nuk muejt me më dërgue urimet për emën e kujtojë, ndërsa unë në ato moment mendojshe për juve, isha i sigurtë se edhe juve mendoni, mendoni pa pushue për mue. Ju falnderoj me zemër, njilloj  sikur at’ ditë të më kishin ardhë  jo nji, por nji qind letra dhe dhurata prej jush.

Gjyl, pamundësin e korespondencës së shpesht e kuptoj dhe e ndiej thellë. Ju falnderoj nxehtsisht pra, ju falnderoj dhe ju due kur dielli len me shkëlqim, ju falnderoj dhe ju dua kur dielli përmes majash arritët me prandue, dhe kur terri manton e zezë gjithëshkafen ka mbulue, ka mbulue natyrën e heshtun të zhytun në melankoli.

Për mue,  të tretun larg e larg në skajet e atdheut, e të tretun larg nanës e babës, larg vllaut dhe motrës, fjalët tua janë thikë për zemrën teme. Kur më flasin për lumturi, mue jeta më duket e idhtë, por kur ti Gjyl, ti e dashtuna Gjyli trishtimin më përmend dhe vuajtje ?!? E strukun në vetmi mos kjaj,  por  lutu për dit’ t’arshmet të gëzueshme dhe të lumtuna shprese. Nuk je si ajo që pa kënd të gjallë mbi dhe’  që ta donte dhe që ta kqyrte  me sy t’ambël, kjante dhe vajtonte pa shpresë shërimi. Në çdo moment, gzimit apo idhnimit, mërzitje apo hareje, ajo zemër rrah për ty, një shpirt me fluturimin e vet ma i shpejtë se drita drejtohet kah juve. E dashtun Gjyl, mos të kesh frigë për foto, por gjithmonë kujtoj fjalët e mija, se të due për jetë. Sa për tregim që kishe ndër mend me i tregue nanës , unë kishe me thanë se asht’tepër herët.

Gjyl po përfundoj tuej  përsërit fjalët tua, mos u mërzit Gjyl se kështu mundohem dhe un’.

Pres letër sa më të shpejt prej teje.

I yti për jet Vlashi

Korçë 23-II- 949