Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ Gruaja shqiptare në epopenë e Vlorës

613
Sigal

Në ndihmë të luftëtarëve

Në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi, për një jetë të lirë nga shfrytëzimi dhe padrejtësitë shekullore, gruaja shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm. Në vitet 1918-1920 Parashqevi Qiriazi kryesoi me dinjitet delegacionin e Kolonisë Shqiptare të Amerikës, që mbrojti çështjen shqiptare përpara Konferencës së Paqes në Paris. Lufta e Vlorës e vitit 1920 u shqua për pjesëmarrjen dhe rolin aktiv të grave vlonjate e të krahinave të tjera të vendit, pjesëmarrëse në këtë luftë. Gratë vlonjate ndihmuan luftëtarët që luftonin në front në vitin 1920 kundër Italisë, ndërsa mjaft gra të tjera nga krahina të ndryshme të vendit morën armët, lanë familjet dhe shkuan në Vlorë për të dëbuar nga trualli i atdheut ushtrinë pushtuese italiane.

Kudo, në fshat e në qytet u mobilizuan gratë në ndihmë të luftëtarëve. Ato u rreshtuan në front, përkrah luftëtarëve që në ditët e para të luftës. Kështu gra luftëtare nga Dukati, Smokthina, Bolena, Salaria, Kurveleshi, etj., u gjendën në vijën e frontit, të luftimeve. Ato dhanë një kontribut të dukshëm, në prapavijë duke bërë furnizimin me armatim, ushqim, veshmbathje, etj. Të shumta ishin aktet trimërore që u regjistruan në atë luftë epope, jo vetëm nga Vlora, por edhe nga Gjirokastra, Mallakastra etj. Në këtë luftë gratë kryen detyra të rëndësishme për furnizimin e frontit me municion, me ushqime, si dhe tërheqjen e transportimin e të vrarëve dhe të plagosurve me kafshë dhe në krahë nga frontet e luftës. Ndihma e tyre krijoi mundësi nga njëra anë që fronti të kishte më shumë luftëtarë dhe nga ana tjetër inkurajoi dhe u dha zemër luftëtarëve.

Gratë, ndonëse ishin të shtypura, që lindnin dhe vdisnin pa lënë gjurmë në jetën shoqërore, politike, ndonëse rriteshin e brumoseshin në gjirin e ngushtë të familjes patriarkale, shpërthyen duke e ndarë lavdinë me burrat. “Gjalmëzezat”, siç i quan poeti popullor gratë, e përbuzën frikën dhe frikacakun, e mallkuan të birin, kur i ligështohej betejës a vdekjes.

Mos u turpërofshin këto pragje…

Afize Rukës me shoqe, iu besua furnizimi i luftëtarëve me ushqime e me pajime. Ajo u vu në krye të një grupi grash, që gatuanin, lanin e pastronin teshat e kryengritësve. Ato, sistemonin, transportonin dhe mjekonin të plagosurit e shumtë. Në luftë mungonte personeli mjekësor për punë të specializuara. Gratë në këtë punë i kishte “specializuar” përvoja, kurse armët e luftëtarëve nuk kishin heshtur ditë e natë, pasi edhe të plagosurit mjekoheshin nga gratë dhe shkonin përsëri në vendet e betejave në Gjorm, në Kotë, në Llogora e në Kaninë etj. Më 3 qershor 1920, në fshatin Tragjas shkoi mareshali me katër karabinierë. Aty ishin vetëm gra, pleq e fëmijë. Ato u dolën përpara me sëpata, sfurqe, hanxharë e jataganë, e marshalli u largua i lemerisur nga britmat e grave.

Alem Mehmeti, një nga anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, u kthye drejt portës të madhe të oborrit në Qafë të Ramicës dhe me një theks qortimi, ku përzihej kënaqësi dhe krenari bashkë, pyeti me zë të lartë: Kujt do t’i lëmë shëndetin na në këtë shtëpi, kush mbetet këtu? Atëherë doli nënë Isafja, gruaja më plakë e të gjitha familjeve të Agajve dhe iu përgjigj me një zë të kthjellët që të dëgjohej anë e mbanë: Me mua, Alem Aga, me mua do të përshëndetesh. Se burrat e djemtë e këtyre pragjeve dhe ata të gjithë fshatit do të përcillen për në luftë. Na, gratë do të mbetemi në këto pragje, po s’e ka thënë Zoti që të mbetemi vetëm përgjithnjë. Ju shkoni në luftë dhe të luftoni si të parët tuaj. Zoti, ta dini nga unë plaka e vjetër që kam parë shumë, do t’u zbardhë faqen se përpiqeni për vatanin Tuaj. Zoti është si me gazitë, ashtu dhe me shehitët. Mos u turpërofshin këto pragje.

Rubi Hosi nga Bolena, e shoqja e komandantit trim Toto Hosi, pushkën e kishte mësuar që në vogëli, sidomos në vitin 1913, kur Bolena u dogj nga andartët grekë. Lufta e Vlorës nuk dihej sa do të zgjaste, ndaj një ditë ajo u duk në front, poshtë Drashovicës. Luftëtarët e çetës së Bolenës u quanin “motra e çetës”. Luftimet vazhdonin në Sherishtë, Kallafet, afër Kaninës. Luftëtarëve u thahej buza për ujë. Rubia fluturonte nga llogorja në llogore, nga burimi te pozicionet, me vockën në krah e me okaren në dorë. Në luftë ra si trim dhe ushtaraku Toto Hosi, të cilin e qau, e ligjëroi. Ajo rrëmbeu armën e tij dhe luftoi deri sa u arrit fitorja.

Zekia Krasta ishte nga Kreshova e Kolonjës. Kudo që shkonte Zekia ngjallte ndjenjat e patriotizmit, shkonte dyqan me dyqan e shtëpi më shtëpi për të mbledhur ndihma për luftëtarët. Në valën e Luftës së Vlorës Zekia u kthye nga vullnetarët që do të niseshin e u tha: A më pranoni dhe mua t’u lidh plagët vëllezërve të mi? Në mes të brohoritjeve të popullit u nis Zekia, hipur në kalë të bardhë, hejbetë mbushur plot me ilaçe, përpara vargu i vullnetarëve dhe prapa karvani i ngarkuar me plaçka që ajo vetë i kishte mbledhur nga shoqet e saj. U vendos në Llakatund, ku vazhdoi punën pa u trembur si kryeinfermiere.

Gratë u ngrenë bashkë me burrat

Më 18 qershor, forcat pushtuese organizuan një kundërofensivë ndaj luftëtarëve popullorë, të shoqëruar me reprezalje ndaj popullsisë së qytetit. Shumë burra u internuan në ishullin e Sazanit, u masakruan fëmijë e gra. Ato tërhoqën të plagosurit nga fronti, i mjekuan me gjethet e barërat e malit, u qepën xhamadanët e shpuar nga plumbat dhe luftuan së bashku me luftëtarët: “me dyfek e spatë në dorë/… u ngrenë burra dhe gra,/ mbi të gjitha Sadoja/ s’ish grua, po ezhdërha,/ në armiq bëri hata,/ asnjë plumb bosh s’i ra”.

Më 29 maj 1920, Sado Koshena ishte 65 vjeçe kur u krijua çeta e Dukatit, ishte vullnetare e parë së bashku me tre djemtë e saj. Ajo kishte luftuar në Qafën e Llogarasë më 1914 me grekët. Përsëri u gjend në Qafën e Llogarasë më 5 qershor 1920 dhe mori pjesë në luftime dhe u shpartallua garnizoni italian i ngritur në qafë. Më 12 qershor 1920 shkuan në Drashovicë, e prej andej në çetën e Dukatit edhe në Shashicë, Qafën e Ullinje, nëpër lagjet e qytetit të Vlorës. Ajo shkonte sa në Dukat, në Drashovicë e në Shashicë dhe u shpinte luftëtarëve armë e ushqime, të mbajtura në shpinë së bashku me gratë e fshatit.

Luftëtarja Qeriba Derri mblodhi ndihma të ndryshme dhe i dërgonte në çetën e Shullërit së bashku me mjaft gra smokthinjote. Nga fshati malor i Bashajt ajo mblidhte ndihma në ushqime e veshje për luftëtarët që luftonin qafave e kodrave të qytetit të Vlorës. Midis luftëtarëve ishte dhe i shoqi, Shaqo Derri. Nëna e dëshmorit Razip Hito nga Bashaj i Smokthinës, i tha të birit kur e nisi për në luftë: Razip të keqen nëna, hasmi nuk durohet brenda, në u vrafsh, vritu në këmbë e vdekja mos të të trembë. Kur mësoi lajmin e rënies së të birit e qau me ligje krenarie: U vrave siç të tha nëna, astrit i bukur me rremba.

Safe Musai nga Salaria e Tepelenës, kur përcolli kunatin, Selam Musa Salaria, për në Smokthinë të Vlorës, ku u bë dhe mbledhja e zgjeruar për fillimin e luftës, i premtoi se do të shkonte me gratë e fshatit në llogore duke shpurë ndihma e bërë luftë. Dhe kështu bëri. Gratë e Gjirokastrës formuan komisione, mblodhën sende të argjendta (byrzylikë, vathë, unaza) e me to blenë ndihma që u duheshin luftëtarëve në Luftën e Vlorës të vitit 1920.

Prefekti i Beratit, Xhafer Ypi, pas takimit që pati me Osman Haxhiun në frontin e luftimeve, shkruan më 17 qershor 1920 për qeverinë e Tiranës: Morali i popullit është shumë i lartë. Edhe fëmijët e gratë nuk hiqen nga marrja pjesë në këtë luftë, duke thënë se shpirti i Qeverisë është Vlora. Këtë detyrë, së bashku me luftëtarët e lirisë nga të gjitha viset e Shqipërisë e plotësuan edhe gratë, duke e kryer me faqe të bardhë. Në kuadrin e 99 vjetorit të Luftës së Vlorës, shoqata e historianëve ushtarakë të Shqipërisë do të organizojë veprimtari të ndryshme, si dhe do të botojë materiale me karakter ushtarak që i bëjnë jehonë kësaj lufte të gjerë popullore, që në një farë mënyre ruajti dhe mbrojti pavarësinë e brishtë shqiptare, tetë vjet pas shpalljes së saj